Ballina Aktualitet Çfarë merr dhe çfarë jep shteti shqiptar në projektin strategjik të Sazanit

Çfarë merr dhe çfarë jep shteti shqiptar në projektin strategjik të Sazanit

32
0

Vizita e fundit në Shqipëri e Ivanka Trump ka rikthyer në vëmendjen publike dhe institucionale një nga investimet më të mëdha të pritshme turistike në vend: zhvillimin e Ishullit të Sazanit. Edhe pse vizita kishte karakter privat, prania e saj në Shqipëri ka riaktivizuar diskutimin mbi projektin që pritet të realizohet nga Jared Kushner, i cili tashmë ka marrë zyrtarisht statusin e investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Sipas vendimit të miratuar nga Komiteti, të analizuar nga Ekofin.al, kompania e Kushner ka marrë statusin “investitor strategjik” për një periudhë 10-vjeçare, për realizimin e një projekti turistik në Ishullin e Sazanit, me një vlerë të deklaruar investimi prej 1.4 miliardë euro. Projekti parashikohet të gjenerojë rreth 1 mijë vende të reja pune, duke u pozicionuar si një nga investimet me ndikimin më të madh ekonomik dhe punësues në sektorin e turizmit në Shqipëri.

Shteti shqiptar do të jetë bashkëpjesëmarrës në këtë investim përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe Albanian  State Development & Real Estate sh.a., duke e vendosur projektin në një formulë partneriteti publik-privat, ku roli i shtetit lidhet kryesisht me vënien në dispozicion të pronës dhe lehtësimin e kushteve për zhvillimin e investimit. Sipërfaqja ku do të realizohet projekti ka qenë për vite me radhë zonë stërvitjeje ushtarake, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, çka e bën këtë projekt edhe një transformim simbolik të përdorimit të pasurive shtetërore nga funksione ushtarake në zhvillim ekonomik e turistik.

Vendimi për dhënien e statusit të investitorit strategjik është shoqëruar me një paketë të gjerë masash mbështetëse, të cilat duhet të realizohen nga institucionet shtetërore përkatëse. Hapi i parë parashikon kalimin e pronës nga Ministria e Mbrojtjes në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike dhe më pas në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare. Kjo e fundit do ta vërë pronën në dispozicion të kompanisë amerikane, si kontribut shtetëror në funksion të projektit turistik.

Në vijim, Komiteti i Investimeve Strategjike ka ngarkuar Ministrinë e Turizmit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Bashkinë e Vlorës, që të identifikojnë të gjithë sipërfaqen bregdetare të Ishullit të Sazanit dhe ta përfshijnë atë në listën e stacioneve të plazhit. Ky proces pritet të pasohet me vendime të posaçme qeverie për vënien në dispozicion të bregut të detit për kompaninë amerikane, në funksion të zhvillimit të projektit.

Një tjetër komponent thelbësor i masave mbështetëse lidhet me infrastrukturën bazë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Bashkinë Vlorë, janë ngarkuar të sigurojnë furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë të pijshëm, ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, si dhe përcaktimin e vendit të depozitimit të mbetjeve të ngurta, duke marrë në konsideratë edhe mundësinë e riciklimit. Duke qenë se Ishulli i Sazanit aktualisht nuk disponon infrastrukturë të tillë, realizimi i këtyre ndërhyrjeve përfaqëson një kosto financiare shumë të lartë.

Megjithatë, sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, e gjithë kostoja financiare për realizimin e këtyre masave do të mbulohet nga vetë kompania amerikane, si palë investitore, me synimin për të mos cënuar buxhetin e shtetit apo atë të pushtetit vendor. Ky element e vendos projektin në një pozicion të veçantë krahasuar me investime të tjera strategjike, ku shpesh barra financiare e infrastrukturës ka rënë mbi fondet publike.

Projekti shtrihet në territorin administrativ të Bashkisë së Vlorës, e cila prej disa vitesh po konsolidohet si një nga qendrat kryesore të investimeve strategjike në vend, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe infrastrukturës. Zhvillimi i Sazanit pritet të rrisë më tej peshën ekonomike të zonës dhe të ndikojë drejtpërdrejt në profilin turistik të Shqipërisë në rajonin e Mesdheut.

Në vijim, të gjitha masat e parashikuara do të duhet të konkretizohen përmes miratimit të akteve nënligjore dhe procedurave përkatëse, deri në finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë së Jared Kushner. Kjo marrëveshje pritet të miratohet me ligj të veçantë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, duke i dhënë projektit bazën e plotë ligjore për zbatim.

Rikthimi i këtij investimi në vëmendje, i nxitur edhe nga vizita e Ivanka Trump në Shqipëri, e vendos sërish projektin e Sazanit në fokusin e debatit publik dhe institucional. Për nga madhësia, kompleksiteti dhe impakti i pritshëm ekonomik, ai konsiderohet një test i rëndësishëm për aftësinë e institucioneve shqiptare për të menaxhuar dhe finalizuar me sukses investime strategjike të kësaj përmase. /ekofin.al