Nga Abdurahim Ashiku
1. Taksixhinjtë dhe filipinezët
Ata ishin katër, një burrë dhe tre gra. Të shkurtër sa një njeriu të zakonshëm i hyjnë nën sqetulla. Të imët sa dy vetë në një sedilje teke mund të rrinin rehat. Pesha e puplës, më e
vogla në garat e mundjes, nuk ishte e mjaftë për ta. Burri sa shihte ndonjë taksi nxirrte dorën. Gratë e rrethonin duke formuar një tufëz të vogël njerëzore. Burri i thoshte taksixhiun, me një greqishte të çalë ku “dh-ja” shqiptohej “d“, vendmbërritjen. Taksixhiu, pasi e mbërthente vështrimin nga koka tek këmbët e burrit, e shkulte dhe e ngulte tek tre gratë… Diçka belbëzonte dhe i fuste makinës marrshin dhe shkelte gazin… Kështu me taksixhiun e parë. Kështu me taksixhiun e dytë. Kështu me të tretin… Tek i katërti gratë u tërhoqën prapa dhe u ulën në stolin e hekurt të stacionit të autobusit…. Burri i nxorri dorën një taksie. I tha drejtimin dhe pa taksixhiun t’i tregojë sediljen e makinës… Tre gratë u ngritën dhe u futën në ndenjësen prapa kurse burri u ul përpara, në krah të djathtë të shoferit… Taksixhiu u murrtie, i ra një çehre e zbehtë mbi fytyrë. Diçka mërmëriti, futi marrshin dhe i dha gaz makinës… Filipinezi i ra hiles së taksixhinjëve, hile e njohur prej të gjithëve… Taksixhinjtë e Athinës preferojnë të marrin njerëz tek e tek, t’u marrin secilit një euro, çmim i detyruar për nisjen e taksisë, t’u faturojnë atyre që hipin më vonë gjithçka që regjistron sahati në pikënisjen e parë… Ekonomi tregu…Treg i zi…
2. Këmbëkryq në tram
Të dielën, ditë pushime por edhe një përvjetor intim i jetës bashkëshortore, gruaja shprehu dëshirën të shkojmë në bregdet, të uleshim në ndonjë lokal me sytë nga deti dhe të provonim ndonjë nga prodhimet e shumta të tij: barbunj të kuq, kallamarë, karkaleca…Tha edhe se donte të udhëtonte me tram, një linjë e re urbani që lidh nyje sheshin Sintagma me bregdetin thuajse në të gjithë gjatësinë e tij nga Faliro në Glifadha. Ishte hera e parë që udhëtonim me këtë mjet që rrëshqet mbi shina duke u kapur lart pas telave elektrikë që i japin fuqi. Me thënë të drejtën nuk më pëlqeu udhëtimi dhe si në shkuarje si në ardhje mezi prisja stacionin e fundit. Nuk më pëlqeu sepse përveç ndalesave të detyruara nga e kuqja e semaforit dhe nga shkopi i policit kishte aq shumë stacione sa nuk ka asnjë mjet tjetër i shërbimit me autobusë apo me trolei…Në më pëlqeu mua apo jo kjo nuk ka rëndësi, është një preferencë vetjake dhe nuk dua që askush të imponohet prej saj. Ajo që më tërhoqi vëmendjen dhe më uli të shkruaj këto radhë ishin tre djem, tre të rinj shqiptarë që në moshë rrotulloheshin lart e poshtë të njëzetave. Dy ishin ulë në krahun e majtë të tramit kurse i treti përballë, në krahun tjetër. Se trami ka vendosje të ndryshme karrigesh. Disa janë teke dhe disa janë çifte dhe në njerin udhëtim sheh përpara e në tjetrin sheh prapa. Të tjerat janë ballë përballë dhe të japin mundësinë ta shohësh bashkëfolësin në sy. Njeri nga djemtë ishte ulur këmbëkryq në karrige. Syti ia fshinin një palë syze të zeza kurse fytyrën simpatike ia rethonin ca flokë të dendura që i vareshin mbi supe. Fliste shumë, fliste me një shqipe të pastër e me një theks ku dallohej bukuria dhe muzikaliteti i saj. Kishte humor në fjalët e tij dhe pasqyrë të jetës në Greqi,
jetë që ai preferonte ta ndërronte me një tjetër jetë në fqinjin përtej Adriatikut. Shokët e tij herë e mbështesnin e herë herë e linin të fliste pa ia prerë mendimin. Njerëzit në tramin që nga stacioni në stacion mbushej duke u ngjeshur me njeri tjetrin, i vështronin herë duke buzëqeshur e herë herë duke u ngrysur. Djemtë e ndjenin veten si të ishin ulur “këmbëkryq” rreth vatrës së një kulle me themele të moçme shqiptare. Nuk frikoheshin të flisnin shqip e të tregonin se nga janë. Ata zbritën njëri pas tjetrin në Neo Kosmos, një stacion ka pranë metronë dhe bulevardin e gjerë Ilia Ilias… Në ndenjëset e tyre u ulën tre vajza që mbanin ngjeshur pas këmbëve çanta turistike. Si të ishin elektrizuar nga pasardhësit e tyre ato filluan të flasin me zë të lartë e të shkëmbenin batuta
humori me njera tjetrën. Flisnin anglisht… Në trenat, autobusët, tramet e kryeqytetit grek flitet anglisht, frëngjisht, italisht, arabisht, kinezçe… Dy të fundit kanë hyrë tashti vonë.
Në mjetet e shërbimit urban tashmë shqipja ka bërë vend, është ulur këmbëkryq dhe nuk luan vendit…
3. Biznesmen
Një miku im, maniak në ruajtjen pastër të shqipes dhe një nga idhëtarët e shqipes së drejtshkruar, do të kërkonte që fjalët angleze “bissnes-man” ta përkthente dhe ta
zëvendësonte me fjalët e shqipes “njeri i punës”. Unë nuk miratohem me të sepse fjala “njeri i punës” ka një simbolikë tjetër nga fjala “bisnessman”, është më njerëzore dhe kur
e dëgjon të materializuar tek dikush të krijon një ndjenjë të thellë respekti…Nuk do të kisha hyrë kaq në të thella sikur një tavolinë ngjitur me tonën në kafenenë e madhe të Sintagmës të mos ishte ulur një çift simpatik. Të dy, në gjatësi, ishin të prerë si me sharrë. Vajza kishte një buzëqeshje magjepse që i jepte një hijeshi të veçantë fytyrës së pastër. Flokët i kishte ndarë në një formë të tillë që nuk e kisha parë ndonjëherë. Zakonisht flokët vajzat i ndajnë mes përmes kokës, në anën e majtë apo në anën e djathtë të saj. Ajo i kishte ndarë diagonal, fillonte nga e majta dhe dilte prapa kokës, në të djathtë të saj. Djali, një zeshkan i bukur i buzëqeshte vazhdimisht dhe herë nxirrte nga çanta një kamerë të vogël dhe i vidhte në celuloid buzëqeshjet dhe herë herë nxirrte nga një çantëz lidhur pas rripit të pantallonave një aparat të vogël dixhital dhe e fotografonte. Ia jepte edhe asaj dhe fytyrat e tyre ngurtësoheshin në memorjen e aparatit. Pastaj rrotullonin një burmë dhe qeshnin me njëri-tjetrin me pozat e fiksuara. Me kamerierin që u solli vajzës një pije freskuese të mbushur plot e përplot me akull dhe djalit një kafe ekspres, burri foli greqisht. Me njeri tjetrin flisnin rusisht… Një zile celulari e lidhi djalin me dikë në hapësirën e kryeqytetit grek… Djali iu përgjigj telefonatës në shqip… Me telefonuesin lanë një takim në një hotel që nuk iu përmend emri…Djali u ngrit menjëherë, pa i lënë kohë vajzës që ta pinte deri në fund lëngun në gotën e saj, kërkoi lart e poshtë
kamerieren dhe i la në dorë paratë dhe bakshishin. Ikën, krahë përkrah njëri-tjetrit, pa dhënë asnjë shenjëafërsie intime…Dikush i priste në një hotel…







