Ballina Kosovë Autorizohet nisja e hetimeve për keqpërdorime të mundshme zgjedhore edhe në Drenas

Autorizohet nisja e hetimeve për keqpërdorime të mundshme zgjedhore edhe në Drenas

36
0

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë grumbullimin e informacioneve, të sigurojë prova dhe të evidentojë shkelje të mundshme nga persona përgjegjës, pas dyshimeve për manipulime zgjedhore në komunën e Drenasit.

Vendimi për autorizimin e Policisë erdhi pasi gjatë procesit të rinumërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, është vërejtur “mospërputhje lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputetë pas përfundimit të procesit të rinumërimit në komunën e Drenasit”, u tha në njoftim.

Hetime të ngjashme po kryhen edhe në komuna të tjera, përfshirë në Ferizaj dhe Malishevë, teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka urdhëruar rinumërimin e plotë të votave të rregullta, pasi vërejti mospërputhje të votave të kandidatëve për deputetë.

Në Prizren – komunën që vlerësohet se ka pasur mospërputhje më të madhe të votave të kandidatëve për deputetë – javën e kaluar u ndaluan 109 persona nën dyshime për manipulim të rezultatit zgjedhor. Më pas, gjykata shqiptoi një muaj paraburgim ndaj 23 prej tyre.

Më 9 janar, KQZ-ja kishte njoftua se kishte përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave. Votat e rregullta u numëruan nëpër qendrat komunale të numërimit, ndërsa votat tjera, përfshirë ato nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Gjatë procesit të numërimit, në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve me mbi 51 për qind të votave të fituara. Ajo pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë.