Dy britanikë janë ndaluar në Francën veriore me dyshimin se po planifikonin t’i bashkoheshin një proteste të ndaluar të ekstremit të djathtë. Dy burrat, të moshës 35 dhe 50 vjeç, u arrestuan pranë Calais të dielën.
Prokurorja Cecile Gressier tha se ata u arrestuan për “nxitje të urrejtjes” dhe “pjesëmarrje në një grup me qëllim përgatitjen e akteve të dhunës”. Arrestimi vjen pasi autoritetet franceze thanë javën e kaluar se do të dëbojnë menjëherë këdo që shkon nga Mbretëria e Bashkuar për të marrë pjesë në demonstratat e planifikuara kundër emigrantëve gjatë fundjavës.
Në mediat sociale në Mbretërinë e Bashkuar ka pasur thirrje që aktivistët kundër emigracionit të merrnin pjesë në një protestë në zonën e Francës veriore, ku nisen anije të vogla për të transportuar azilkërkuesit përtej Kanalit.
Demonstrata e ashtuquajtur “Operacioni Overlord” u ndalua nga autoritetet franceze.
“Këta individë u arrestuan gjatë një kontrolli identiteti, ndërsa po postonin një video në mediat sociale që dyshohet se përmbante komente diskriminuese dhe dëshmonte për pjesëmarrjen e tyre të mundshme në këtë organizatë”, tha prefektura e Pas-de-Calais në një deklaratë.







