Legjenda gjermane e Formula 1, Michael Schumacher, i cili u plagos rëndë në një aksident gjatë skijimit para 12 vitesh, nuk është më i shtrirë në shtrat, sipas informacioneve të publikuara nga gazeta britanike Daily Mail.
Ish-kampioni botëror 57-vjeçar raportohet se tashmë ulet në një karrocë invalidësh dhe lëviz brenda hapësirave të tij private.
Procesi i rehabilitimit të tij po zhvillohet ngadalë dhe në kushte sekrete absolute, me shumë pak persona që kanë dijeni për gjendjen reale shëndetësore të tij. Sipas burimeve të cituara nga artikulli, Schumacher mund të lëvizë me karrocë invalidësh si në vilën e tij në Majorka, me vlerë rreth 30 milionë paund, ashtu edhe në rezidencën e tij në Gland të Zvicrës, pranë liqenit të Gjenevës, e cila vlerësohet rreth 50 milionë paund.
Përkujdesja për të është marrë përsipër nga bashkëshortja e tij, Corinna, me të cilën është i martuar prej 30 vitesh, në bashkëpunim me një ekip infermierësh dhe terapistësh që ndodhen në gatishmëri 24 orë në ditë. Kostoja e mbështetjes së vazhdueshme mjekësore raportohet të arrijë në dhjetëra mijëra paund në javë.
Mbrojtja e jetës private të Michael Schumacher konsiderohet prioritet absolut për familjen e tij. Që nga momenti kur pësoi dëmtime të rënda në tru, pasi u përplas me shkëmbinj gjatë skijimit pranë qendrës alpine të Meribelit në Alpet franceze, ai ka qëndruar plotësisht jashtë vëmendjes publike.
Përpjekjet e ish-anëtarëve të stafit të tij për të shitur fotografi të Schumacherit në gjendje të rënduar fizike çuan, siç u bë e ditur vitin e kaluar, në dënime penale. Ndërkohë, raportimet se ai do të merrte pjesë në dasmën e vajzës së tij, Gina, në vitin 2024, nuk u konfirmuan kurrë.
Herë pas here, kanë qarkulluar spekulime lidhur me gjendjen e saktë shëndetësore të tij. Njëra prej tyre fliste për sindromën e “mbylljes” (locked-in syndrome), një gjendje e rrallë ku pacientët janë plotësisht të vetëdijshëm, por nuk mund të komunikojnë, përveçse përmes lëvizjes së syve. Megjithatë, disa burime të cituara nga publikimi e hedhin poshtë edhe këtë skenar, duke e cilësuar të pasaktë.
“Përshtypja është se ai kupton disa nga gjërat që ndodhin rreth tij, por me shumë gjasë jo gjithçka”, deklaroi një nga burimet, duke ofruar një nga indiciet e rralla mbi nivelin e komunikimit dhe perceptimit të shtatë herë kampionit botëror.







