Policia e Brukselit ka arrestuar 2 të rinj, si autorë të dyshuar për vrasjen e shqiptarit Marko Beka në Geel të Belgjikës, mbrëmjen e së premtes.
Ngjarja ndodhi të premten rreth orës 21:00, në Larum, një fshat i vogël i Geel-it, në rajonin e Kempenit. Pas një telefonate emergjente, policia dhe shërbimet e ndihmës mbërritën në vendngjarje dhe gjetën një burrë të shtrirë në rrugë pranë makinës së tij. Ai ishte qëlluar me armë zjarri në praninë e katër pasagjerëve.
Ekipet e shpëtimit në vendngjarje i dhanë ndihmën e shpejtë por ishte shumë vonë.
Marko Beka ishte 45 vjeç, shofer taksie dhe pronar i kompanisë së tij private. Ai ishte me origjinë shqiptare dhe la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.
Të premten, dy të arrestuarit pritet të dalin para dhomës së këshillimit, e cila do të vendosë për vazhdimin ose jo të paraburgimit.
Deri tani nuk është e qartë nëse shoferi i taksisë ishte viktimë e një grindjeje që përshkallëzoi në vrasje apo ajo ishte e paramenduar.
Megjithatë, prokuroria i tha mediave belge që “viktima nuk ishte zgjedhur rastësisht”