Ballina Opinion Ndonëse rritemi ekonomikisht emigracioni i shqiptarëve të arsimuar do të vazhdojë të...

Ndonëse rritemi ekonomikisht emigracioni i shqiptarëve të arsimuar do të vazhdojë të jetë i lartë!

25
0

Irena Beqiraj

Shqipëria renditet në vendin e tretë për emigracionit e popullsinë e arsimuar në vitet 2023-2024 krahasuar me 38 vende të Rajonit të BERZH. Më keq se Shqipëria renditen Bosnja, Palestina vende që kanë qenë të destabilizuara nga luftërat.

Të dhënat tregojnë se mbi 23% e të arsimuarve shqiptarë kanë emigruar në 2023-2024, vetëm 2-3% e tyre rikthyer. Shqipëria ka diferencë shumë të madhe midis “daljes” dhe “hyrjes” së talenteve, një nga disproporcionet më të larta mes ekonomive të EBRD-së.

Flitet me krenari për rritje ekonomike, rritje të pagës mesatare, amnisti fiskale por shqipëria nuk po arrin të jetë një destinacion tërheqës për talentet ndërkombëtare, ndërkohë që humb vazhdimisht profesionistë vendas drejt vendeve më të zhvilluara.

Megjithëse besojmë tek arsyetimi konvencional që është varfëria ajo që nxit emigracionin , eksperienca edhe studimet empirike tregojnë motive të tjera .
Për ta thjeshtuar analizën po marr një shembull! Një nënpunës banke, paguhet në Shqipëri 1000 Euro në muaj, ndërsa kolegu i tij në Gjermani, paguhet rreth 5000 euro në muaj.

Ndërkohë nëse ekonomisti shqiptar emigron e punon në bankë në Gjermani , produktiviteti i tij rritet brenda natës . Thënë këtë avantazhi i ekonomistit gjerman nuk është individual. Përgjigja duhet kërkuar tek mjedisi ekonomik.Ekonomisti gjerman ka fatin të operojë e një ekonomi që ka teknologji më të mirë, firma më produktive, sektorë ekonomikë më të zhvilluar, institucione më të mira dhe infrastrukturë më të mirë –arritje këto që në pjesën më të madhe janë produkte të veprimeve kolektive të ndërmarra ndër dekada.

Njerëzit kur munden gjithmonë do të përpiqen të emigrojnë drejt mjediseve ekonomike ku produktiviteti I tyre është më i lartë. Studimet empirike tregojnë se ndërsa një vend kalon nga vend i varfër në vend me të ardhura të mesme për frymë mundësia edhe edhe nxitja për të emigruar, rriten në të njëjtin drejtim.

Edhe ka një shpjegim për këtë. Kalimi nga vend i varfër në një vend më të ardhura të mesme për frymë është i lidhur ngushtë me rritjen e investimit individual tek arsimimi. Aftësitë e rritura nxisin dhe lehtësojnë emigrimin.

Po kështu barrierat e emigrimit nga vendet e destinacionit të migrantëve, kanë tendencë të zbuten ndërsa vendet e origjinës së migrantëve kalojnë nga vend i varfër tek vend me të ardhura të mesme për frymë. Grafiku tregon qartazi se aftësia për të emigruar edhe nxitja për të emigruar lëvizin në kahe të kundërta në vendet e zhvilluara , pra kur vendi kalon në vend me të ardhura të larta për frymë.

Sa më gjatë vendi të qëndrojë në stadin e vendit me të ardhurave të mesme për frymë (Shqipëria ka hyrë në këtë stad në 2018) aq më e lartë do të jetë nxitja për të emigruar e njerëzve të arsimuar të cilët kanë mundësinë të rrisin produktivitetin e tyre brenda natës në vendet e pasura.

Për çdo ekonomist që studion zhvillimin lajmi i keq nuk është se aktualisht në Shqipëri kemi emigracionin më të lartë të njerëzve të shkolluar pas vendeve të destabilizuara nga lufta , por fakti se nuk ka asnjë shenjë ndryshimi në politikat që nxisin zhvillimin, pra burimet e rritjes.

Shkretëtirizimi i Shqipërisë të bekuar nga natyra e bukur, klima, edhe burimet natyrore, por të mallkuar nga poltikbërës përtacë edhe pa vizion do të vazhdojë .
Mbështetja e zhvillimit tek turizmi edhe ndërtimet e hoteleve me Pesë Yje, është rruga e sigurt drejt ekonomisë Haëaiiane, ose ekonomisë së sherbimeve me produktivitet të ulët (pastruesve edhe kamarierëve). Si rrjedhojë e produktivitetit të ulët rritja ekonomike përkthehet në pabarazi ekonomike edhe në kosto të larta të jetesës.

Pra për ta thjeshtëzuar , vlonjatët do të vazhdojnë të blejnë mallrat bazike të konsumit nga vendet e pasura, ndërkohë që do të pastrojnë tualetet e dhomat e resorteve të ndërmjetësuara nga Ivanka Trump . Në këto kushte një ekonomist , inxhinier, një programues , një kërkues një mjek do të vazhdojë të ketë produktivitet shumë të ulët në Vlorë.

Mungesa totale e politikave të rritjes së produktivitetit; vala dytë e deindustrializimit në të cilën po kalon prodhimi vendas ; fakti që firmat më të mëdha prodhojnë thuajse “asgjë” edhe parazitojmë mbi fondet e buxhetin e shtetit; mungesa e konkurrencës ; korrupsioni endemik , janë faktorë që nuk do të na mundësojnë për një kohë të papërcaktuar kalimin në një vend me të ardhura të larta.

Thënë këtë stanjacioni tek stadi i vendit ardhura të mesme për frymë gjithmonë e më shumë do ti shtyjë shqiptarët të emigrojnë edhe të kërkojnë mjedise më të favorshme ekonomike ku me të njëjtat aftësi mund të jenë disafish më produktivë.