Ballina Dossier “Në letrën që ai i dërgon Fehim bej Zavalanit, një nga organizatorit...

“Në letrën që ai i dërgon Fehim bej Zavalanit, një nga organizatorit kryesor të Kongresit të dytë të Manastirit, në mes të tjerash i kërkon që alfabeti…” / Historia e panjohur e atdhetarit Llambi Kotta

33
0

Nga Llambi Kotta

 Në nëntor të vitit 2009, bije zilja e telefonit të shtëpisë time dhe një zë nga larg prezantohet dhe thotë: – “Jam Elida Jorgoni. Kërkoj Z. Llambi Kota”? –“Unë jam”, – ia ktheva. – “Doja t’ju pyesja, – vazhdoi ajo , – si quhet gjyshi juaj”? “Llambi Kota”, – ja ktheva unë. – “Atëhere, – tha ajo, – më së fundmi të gjeta dhe më dëgjo me vëmendje. Me rastin e festimeve kushtuar 100 vjetorit të Kongresit të dytë Kombëtar të Manastirit, që u zhvillua nga data 09 deri më 11 prill 1910, në qytetin e Manastirit, është ngritur një komision organizativ për të drejtuar dhe udhëhequr gjithë punën për të realizuar tërë programin e përcaktuar për organizimin e festimeve. Ndër të tjera komisioni po përpiqet të gjej dhe të ftoj për të marrë pjesë në ceremoninë e festimeve delegatë të Kongresit dhe në pamundësi të tyre, pinjoj, bijë apo bija të tyre.  Me këtë rast duke qenë se Llambi Kota ka qenë kontribuues në atë Kongres dhe pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës 23-26 korrik 1909, si një nga katër delegatët përfaqësues të qytetit të Korçës dhe meqenëse Llambi nuk është më në jetë, jeni i ftuar ta përfaqësoni, pasi jeni nipi i tij dhe mbani po të njëjtin emër”.

U befasova, por befasi e këndshme. Nuk u besova veshëve të mi, ndaj iu drejtova bashkëbisedueses: “lutem mundësisht ma thoni edhe njëherë problemin, sepse nuk e mora vesh plotësisht”. Zonja Elida pa hezituar aspak, plot gatishmëri, elegancë dhe kujdes i përsëriti edhe njëherë fjalët që më kishte thënë pak më parë. E falënderova dhe i shpreha mirënjohjen më të thellë për gjithçka që më tha në emër të komisionit organizator, për të cilin iu luta t’i transmetonte falënderimet dhe mirënjohjen time.

Menjëherë një ndjenjë gëzimi më përfshiu dhe zemra po më rrihte më fort. Deri në atë moment nuk kisha asnjë dijeni për veprimtarinë patriotike të gjyshit tim, por vetëm disa të dhëna të pakta për jetën e tij, të cilat i kisha dëgjuar nga im atë dhe nga familjarët e mi. Sipas tyre të parët e tij ishin larguar nga Berati në vitin 1801 dhe ishin vendosur në qytetin e Korçës në vitin 1803, ku kishte lindur gjyshi dhe babai i tij. Llambi-gjyshi im, kishte lindur më 21 mars 1878 në Berat, në shtëpinë e Kota-ve në lagjen “Kala”.

Në vitin 1881 familja e tij ishte vendosur në Lagjen “Goricë” dhe në vitin 1888 u largua nga Berati dhe emigroi në Egjipt, ku u vendos në Aleksandri. Në tetor të vitit 1909, ai u kthye në Berat. Në 5 tetor 1909 e shoqja Elena, i solli në jetë djalin-Jorgjin dhe më 21 prill 1912, të bijën Evgjeninë, por Llambi qëndronte shumë pak në Berat, kohën më të madhe e kalonte në qytetin e Korçës, ku kishte kushërinjtë dhe prej andej dërgonte mallra për dyqanin e tij në Lagjen “Goricë” në Berat. Në 21 prill 1912, Llambit i vdiq gruaja Elena dhe në korrik 1918 e bija, e cila u sëmur nga kolera, që si epidemi përfshiu qytetin e Beratit asokohe.

I biri shpëtoi për mrekulli sepse familjarët e Elenës e strehuan fillimisht në Ballësh dhe pastaj në Drobonik. Duke mos gjetur gjurmët e Llambit ata e pandehën të vdekur nga kolera. Më 28 janar 1922, dajallarët e larguan Jorgjin nga Berati dhe e sistemuan në Tiranë. Në regjistrimet e organizuara nga administrata e Shtetit Shqiptar, të afërmit e Jorgjit e deklaruan Llambi N. Kota; të vdekur. Kaq dijeni kisha për jetën dhe familjen e gjyshit tim, prandaj lajmi që mora nga Zonja Elida Jorgoni më befasoi dhe më ngjalli dëshirën, shpresën dhe kuriozitetin të njihja jetën dhe veprimtarinë e tij, që për mua ishte e panjohur dhe që në të vërtetë më takonte plotësisht mua ta zbuloja.

Pranova me krenari dhe kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në ceremonitë e festimeve që do të zhvilloheshin në qytetin e Manastirit në datat 9-11 prill 2010, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit. Mora pjesë në ato festime së bashku me bashkëshorten time dhe në shoqërinë e Z. Perikli Jorgoni e të tjerë, duke demonstruar patriotizmin tonë në Shtëpinë Muze të A, B, C, në shtëpinë e motrave Qiriazi dhe në ambientet e caktuara për atë manifestim. Flamuri shqiptar u shpalos e u valëvit në rrugët e qytetit të Manastirit dhe ne kënduam këngë patriotike.

Që nga ai çast në ndërgjegjen time qytetare më lindi një ndjenjë kureshtjeje dhe dëshirë e madhe, për t’i hyrë punës për të zbuluar dhe mësuar mbi veprimtarinë atdhetare e politike të gjyshit tim. Shumë mendime, dilema, mjaft të panjohura, të shoqëruara me njëfarë ndjenje mosbesimi në vete dhe pasigurie më qarkullonin ato çaste të para. Sidoqoftë isha i vendosur t’ja nisja punës. Në momentet e para më dhanë kurajo disa të fakte, ndonëse shumë episodike, për jetën dhe veprimtarinë e gjyshit tim Llambi Kota, që i mësova gjatë ditëve të festimit të 100 vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit në Manastir.

Në stendat e Muzeut kushtuar atyre ngjarjeve Kombëtare, sidomos fotokopje të gazetave shqiptare të viteve 1908, 1909, 1910 në të cilat gjeta edhe të dhëna për veprimtarinë e gjyshit. Gjithashtu dhe në biseda të lira me pjesëmarrës në festime të cilët më rekomanduan edhe burime ku mund të gjendeshin të dhëna të tjera për gjyshin tim Llambi Kota. Pjesëmarrja në ato festime më hapi një horizont të ri për realizimin e detyrës që i kisha vënë vetes. Mbi të gjitha nisa të orientohesha drejt dhe krijova besim se do ta arrija qëllimin. Rekomandimet e tyre më nxitën të filloja procesin e kërkimeve të mija.

PIKËPAMJA E MENDIMI I LLAMBI KOTA-S PËR ALFABETIN E NJËSUAR TË GJUHËS SHQIPE. LETRA E TIJ DREJTUAR FEHIM ZAVALANIT NDËR ORGANIZATORËT KRYESOR TË THIRRJES SË KONGRESIT TË MANASTIRIT (14- 22 nëntor 1908)

Fillimisht kërkova dhe më ra në dorë një e dhënë shumë e rëndësishme, me shumë vlerë jo vetëm historike, politike e patriotike, por shumë domethënëse edhe për qëllimin tim për të sqaruar çështjet e mësipërme. Kjo ishte një vepër shkencore shumë e rëndësishme, botim akademik, Monografia “Kongresi i Manastirit”, me autorë akademikët dhe profesorët e nderuar, të mirënjohurit Shaban Demiraj dhe Kristaq Prifti, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 2008, ku në faqen 22 të saj, ndër të tjera theksohet se……”Për alfabetin latin u shpreh edhe Llambi N.Kota (Gjyshi im –Ll.Kota), në letrën që i dërgonte Klubit të Manastirit nga Aleksandria më 20 tetor 1908”.

Dihet se pas disa ditësh më 14 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i parë i Manastirit, në të cilin u diskutua dhe u vendos njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Pra Llambi ia drejtoi letrën nismëtarëve dhe organizatorëve të Kongresit, me anën e së cilës parashtroi mendimin e tij për problemin e alfabetit që pritej të diskutohej dhe të vendosej në kongres, nga që asokohe në trojet shqiptare ishin në përdorim alfabete të ndryshme. Llambi Kotta përkrahte alfabetin latin dhe u propozonte organizatorëve të Kongresit ta kishin parasysh edhe mendimin e tij. Duke u mbështetur në këtë të dhënë iu kushtova me këmbëngulje punës për të gjetur letrën e sipërshënuar.

Ajo gjendej në fondet e Arkivit Qendror Shtetëror të Republikës së Shqipërisë, ku sipas rregullave e ligjeve shtetërore arrita të marr një fotokopje të saj. Letra është e plotë dhe unë këtu mendoj ta paraqes të plotë për lexuesin, ashtu sikurse e gjeta. Letra i drejtohej drejtpërdrejt njërit prej figurave të shquara të Rilindjes kombëtare Shqiptare Fehim Bej Zavalanit, i cili asokohe ishte ndër organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe kryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit. Ja përmbajtja e plotë e letrës që Llambi Kota i dërgoi më 20 tetor 1908 nga Aleksandria, Fehim bej Zavalanit në Manastir:

“Mik i vlerë Zoti Fehim Bej, Në Manastir. U lip ndjesën se nga punërat që na ardhë përgnëriesh, menuar përghighem ne-të ndershmen letre të Zotri-sate. Më gëzon pa anë lëvizja që nisi me të madhe dëshirë në të gjithë viset e Shqipërisë për të mësuar gjuhën e vet. Më të mbëdhegnjtë Filosofë kanë thënë se gneriu nuku gdhendet pa funt, përvets me ghuhën e memes vet, për këtë shkak lipset dhe ne Shkipëtarët të punojmë me sa na mundet për këtë qëllim. Të filluarin e Klupit Manastirit e mësum jo vetëm nga letrat e Zotsisë tuaj, po dhe nga shumë fletë të uaja!!! I lutem Zotit Madhë të Shkipëtarëvet tu falgnë rojtie dhe përparim të funtë.

Ju lutem pra të më bëni nderë të më shkruani dhe mua shok në klupnë që Zotëria juaj nderoni dukme qenë Kryesognes, dhe pres Kanonismën që tu dërghong të ollat e pajtimit të motit. Mora përsëri dhe një tiatër letre e tsila ka për shkak të bashkuarin e a be sesë shqipe, mbesong se Velazëria jona e këtushma do tu shkruangë për këtë ghere e ghiatë. Mendia ime është që të zghidhet ajo e Shoqërisë Shkodrës e tsila është fieshtë Latinishte pa pasur asgne letre gherkisht as sllavisht. Lipset abeseja Shkip të jetë e paqme, e fisme, e sojtë, (jo e trazuar me shumë lëngrash) se kësi soj do të ketë dhe kaligrafi të bukur. Ju lutem të bëni të falja me nder të ghidhë miqve dhe shokëve tanë, të vetsanta Z. Jashar dhe Z. Natsit. Ju përqiafognë me shumë nder”. Miku juaj Llambi N. Kotta’’

Kjo ishte letra e plotë. Çdokush që e lexon e kupton se ajo shpreh mendimin dhe pikëpamjen e Llambi Kotta-s në atë moment politik të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Problemi themelor i letrës, ishte shprehja e mendimit dhe njëherazi propozimit të Llambi N. Kotta-s për alfabetin e njësuar, çështjen e të cilit e trajton jo vetëm si problem kulturor, por edhe si problem politik-mjet e rrugë bashkimi të shqiptarëve, një komb një alfabet. Ai i lutet Zotit të Madh të Shqiptarëve (këtu ai ka parasysh kombin shqiptar të bashkuar rreth idesë kombëtare me ndjenjën e shqiptarizmit mbi gjithçka pa marr parasysh fetë.

Me këtë koncept Llambi dëshmon se ishte i një mendjeje me Rilindësit e mëdhenj të cilët theksonin se gjithë shqiptarët janë vëllezër dhe kanë një zot dhe ky zot është Shqiptaria) tu falë rojtje (jetë) dhe përparim. Llambi me këtë pikëpamje paraqitet si një patriot vizionar i largimit, shkëputjes të shqiptarëve nga Orienti dhe afrimi me Oksidentin, me Perëndimin. Siç shihet qartë në letër Llambi duke u shprehur për alfabetin latin spiegon edhe arsyet pse e përkrah atë. “Mëndja ime, -thekson ai, – është që të zgjidhet ajo e Shoqërisë së Shkodrës e cila është thjeshtë latinishte pa pasur asnjë gërmë greke as slave”.

Pra ai e vlerëson atë si alfabet të pastër, sepse nuk kishte asnjë gërmë të alfabetit të gjuhës greke apo të alfabetit të gjuhës sllave. Ai shkon më tej në arsyetimin e vet. Llambi thekson se, lipset abeceja (alfabeti—H.K.) shqip, të jetë e pastër, e fismë e sojshme (jo e trazuar me shumë lëngra) se kësi soj do të ketë kaligrafi të bukur. Sa thellë e analizon procesin e njësimit të alfabetit, sa gjërë e drejtë gjykon, mendon e shpreh pikëpamjen për nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të një alfabeti shqip të pastër të fismë e të sojtë, sepse kështu, arsyeton ai, do të ketë kaligrafi të bukur, pra shkrim të bukur.

Propozimi i tij përmban një veçori dhe synim themelor domosdoshmërinë e krijimit të një alfabeti origjinal, të veçantë e të dalluar nga alfabetet e gjuhëve të fqinjëve ballkanas, sepse edhe gjuha shqipe ishte e veçantë në gjuhët e popujve të tjerë ballkanas. Origjinaliteti, individualiteti, dallimi i alfabetit që do krijohej ishin kërkesa të kohës dhe të programit të qarqeve më largpamëse të Rilindësve. Nga letra del qartë se Fehim Zavalani i kishte dërguar letër Llambit, me anën e së cilës i kërkonte të jepte mendim dhe të shprehte pikëpamjen e vet për varjantin e alfabetit që përkrahte. Pra atdhetari i madh Fehim Zavalani, priste përgjigjen nga Llambi Kotta.

Qysh në fjalinë e parë të letrës që i drejton Llambi Fehim Zavalanit, i kërkon ndjesë për vonesën e përgjigjes për shkak të punëve të paparashikuara. Midis këtyre personaliteteve patriotike ekzistonte një letërkëmbim. Dihet se letërkëmbimi midis personaliteteve dhe figurave të shquara gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishte mjaft intensiv, jo vetëm si mjet komunikimi por, edhe si një rrugë për të shfaqur mendimet, alternativat e tyre për zgjidhjen e problemeve politike, atdhetare, kulturore e shoqërore që shqetësonin kombin shqiptar. Letërkëmbimi ishte një proces i domosdoshëm dhe i nevojshëm sepse ai ndikoi fuqishëm në përpunimin e mendimit politiko-shoqëror të asaj periudhe të historisë së shqiptarëve.

Në rastin konkret letërkëmbimi midis Llambi Kotta-s dhe Fehim bej Zavalanit, veç sa pohuam më sipër, na jep të drejtën të pohojmë se Llambi Kotta bënte pjesë në radhën e atyre figurave patriotike të cilave, duke iu çmuar e vlerësuar kultura, përkushtimi ndaj çështjeve të kombit shqiptar, u kërkohej mendimi, pikëpamja e tyre për probleme themelore të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, siç ishte edhe problemi i njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në letër Llambi shprehet: “më ghëzon pa anë lëvizja që nisi me të madhe dëshirë, – siç shprehet ai, – në të ghidha viset e Shqipërisë për të msuar ghuën e vet”. Kjo ide e tij tregon se ndonëse gjendej larg Shqipërisë ai ndiqte me kujdesin dhe vëmendjen më të madhe ecurinë e zhvillimeve politike, kulturore ekonomike në të gjitha viset e Shqipërisë.

Atë e gëzonte pa masë, – sikurse shprehet në letër,- lëvizja e shqiptarëve për të mësuar gjuhën shqipe. Tek kjo lëvizje ai dallonte dy tipare kryesore e themelore: 1- ajo nisi dhe zhvillohej me dëshirë të madhe dhe 2 – zhvillohej në të gjitha viset e Shqipërisë, d.m.th., në të gjitha trojet shqiptare. Këto tipare të saj ia gëzonin zemrën Llambi N. Kotta-s. Kjo letër provon gjithashtu se Llambi ishte në dijeni të programit dhe detyrave themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që preokuponin kombin shqiptar në atë periudhë shumë të rëndësishme, të dekadës së parë të shekullit XX-të.

Përmbajtja e letrës së sipërshënuar tërheq vëmendjen për një nga problemet më të rëndësishme të momentit politik dhe historik që kalonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Duket qartë se asokohe Llambi e vlerësonte dhe e përjetonte atë problem me ndjenjën e patriotit të përkushtuar çështjes së Atdheut dhe të kombit të vet. Llambi ishte i ndërgjegjshëm, i vetëdijshëm, e kuptonte mirë dhe qartë peshën dhe rolin që do të luante (sikurse e luajti në të vërtetë) alfabeti i njësuar i gjuhës shqipe jo vetëm në aspektin kulturor për mësimin e gjuhës dhe të shkrimit shqip, por mbi të gjitha në aspektin politik kombëtar, për bashkimin e shqiptarëve dhe konsolidimin e mëtejshëm të origjinalitetit dhe individualitetit të etnisë shqiptare në trojet e veta.

Në letër Llamdi Kota i kërkon Fehim Zavalanit ta regjistronte si anëtar të Klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe t’i dërgonte statutin e klubit “Kanonizma e ligja e klubit të Shqiptarëve në Manastir”, për të cilin do ti çonte të hollat përkatëse. Këtë letër Llambi N. Kota e ka nënshkruar duke vendosur firmën e tij Ll.N.Kotta, duke na qartësuar në këtë mënyrë që personi i tij i publikuar edhe në shtypin e kohës do të botohej herë Llambi N. Kota dhe herë Llambi N. KottaMemorie.al