Në Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u mbajt sot një seancë dëgjimore me banorët pronarë të banesave të cilat janë planifikuar të shemben në kuadër të projektit TID për rikonceptimin e qendrës historike të Durrësit.
Përfaqësuesit e këtij komuniteti thanë se familjet e prekura nuk u konsultuan dhe nuk janë vënë në dijeni për ekzistencën, hartimin apo përmbajtjen e projektit, pavarësisht faktit se ky projekt kishte lidhje direkte me pronat e tyre në zonën historike 3 mijë vjeçare.
“S’kemi pasur asnjë njoftim zyrtar për komunitetin. Plani u përgatit nga kompania italiane ARS dhe financohet nga ADF. ADF thotë se do të hedhë 7 milionë dollarë për të lyer fasadat e 3 milionë dollarë kompensim për 75 familje, ndërkohë që vetëm një hotel aty kushton 3 milionë dollarë’ tha banori.
“Kush jeni ju që arrini të bleni shtëpinë time pa bërë akt noterial, pa diskutuar dhe më diktoni çmimin? Na thonë qërohuni nga këtu. Në themelet e qytetit të Durrësit është historia 3 mijë vjeçare. Banorët kërkojnë që projekti ose të rishikohet ose të tërhiqet. Ne nuk jemi kundra projektit.
Projekti duhet të ndalet urgjentisht. ADF duhet të zhduket e qërohet me të gjithë ministrinë e Kulturës. Pranojmë restaurime por jo shkatërrime. Pse nuk shikojnë qytetin e vjetër të Kotorrit. Në rrethinat e qyetit ku kanë ardhur banorë u është legalizuar neve jo. Kjo është grabitje e hapur e ADF-së bashkë me ministrinë e Kulturës.
Projekti parashikon rrënimin e banesës së prindërve të Marsida Kazazit e cila në komision zbulon dhe arsyen dhe flet për prishje selektive.
“Do prishet shtëpia ime për dy stola. Ky është turp. Në këtë zonë do të shkatërrohen 18 banesa. Dhe nuk ka lidhje fare me amfiteatrin. Është larg amfiteatrit. Shpronësimi i banesës është bërë 47 mln lekë të vjetra. E turpshme dhe qesharake. Ndërsa një vlerësuese gjykate e vlerësoi 420 mijë euro pronën ku prindërit e mi banojnë.
Çfarë po ndodh?
Bulevardi “Epidamn”, që lidh Bashkinë e Durrësit me hyrjen e portit, u ndërtua rreth një shekull më parë, pas tërmetit të rëndë të vitit 1926.
Rruga ndërroi disa herë emër, por është ngulitur në memorien e banorëve të Durrësit si “Rruga Tregtare” për shkak të dyqaneve në të dy anët e saj.
Si pjesë e qendrës historike, bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi të njohur si TID Durrës, i cili po realizohet përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.
Por projekti ka shkaktuar shqetësime, pasi parashikon të prekë dhjetra prona private dhe t’i shpronësojë ato me vlera poshtë çmimit të tregut.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ishte ftuar sot në dëgjesën parlamentare për projektin TID Durrës por refuzoi të paraqitej. Kryetarja e komisionit Ina Zhupa e quajti dëshmi e qartë e cenimit të interesit publik.
“Ky projekt duhet pezulluar se ka kosto të rënda financiare dhe sociale. Në vendimin e KKTM-së është dhënë prishje objektesh që nuk i ka pasur në pronësi ministria’ kërkuan familjet e prekura.







