Ballina Ekonomia Miratohet vendimi, nga 10 shkurti Bashkitë do të administrojnë taksën mbi ndërtesën

Miratohet vendimi, nga 10 shkurti Bashkitë do të administrojnë taksën mbi ndërtesën

27
0

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme, i njohur gjithashtu si Kadastra fiskale. Sipas vendimit, të gjitha bashkitë e vendit kanë detyrimin të administrojnë taksën mbi ndërtesën në këtë regjistër shtetëror, duke filluar nga 10 shkurti 2026.

Ky vendim synon krijimin dhe funksionimin e një baze të centralizuar të të dhënave mbi pasuritë e paluajtshme dhe taksën mbi ndërtesat, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Regjistri krijohet dhe administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, për të siguruar përditësimin dhe saktësinë e informacionit.

Sipas dokumentit të miratuar, Regjistri Qendror përmban të dhëna të detajuara për ndërtesat dhe njësitë e tyre, pronarët, përdoruesit, zonat e vlerave, kufijtë gjeografikë, bazën e taksës, shkallët e zbatueshme dhe detyrimet tatimore përkatëse. Ai përfshin edhe informacione mbi kamatëvonesat, gjobat, rimbursimet dhe statusin e privatizimit apo të ndërtimit të njësive.

Bashkitë e vendit do të kenë përgjegjësi direkte për regjistrimin, përditësimin dhe korrigjimin e të dhënave për taksapaguesit dhe pasuritë brenda juridiksionit të tyre, në përputhje me vendimet administrative ose gjyqësore. Regjistri do të ndërveprojë gjithashtu me baza të tjera të dhënash shtetërore, përfshirë Regjistrin e pasurive të paluajtshme, Gjendjen civile, Regjistrin Kombëtar të Adresave, Regjistrin Tregtar, sistemin E-TAX dhe platforma të tjera të administratave përkatëse.

Sipas vendimit, bashkitë detyrohen të administrojnë taksën mbi ndërtesën në Regjistrin Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme (Kadastra fiskale) duke filluar nga data 10 shkurt 2026. Vendimi i mëparshëm nr. 273, datë 16.05.2018, për krijimin e regjistrit të taksës vendore të pasurisë, shfuqizohet.

Në zbatim të këtij vendimi, janë ngarkuar institucione të ndryshme shtetërore, përfshirë Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, bashkitë dhe autoritete të tjera përgjegjëse për zbatimin e sistemit të ri të të dhënave dhe taksave mbi pasuritë.