Ballina Aktualitet Ja tenderat korruptivë në dosjen hetimore të SPAK për AKSHI-n, dyshime për...

Ja tenderat korruptivë në dosjen hetimore të SPAK për AKSHI-n, dyshime për pagesa fiktive dhe përfitime nga Ergys Agasi

34
0

Dosja hetimore e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) evidenton një numër të madh procedurash prokurimi, ku për qëllime të hetimit janë ndarë në tre kategori: prokurime të realizuara në periudhën kur dokumentohen takimet midis Ergys Agasit, Mirlinda Karçanaj dhe Ermal Beqiri; prokurime të lidhura me subjektin “ABS” sh.pk ku përfshihen tërheqjet nga ankimimet por jo vetëm, si dhe prokurime që lidhen me aktivitete fiktive të kryera nga “EA Solution” në favor të “Soft & Solution” sh.p.k. Sipas dokumenteve të SPAK, ndër procedurat e prokurimit të analizuara gjatë takimeve mes Agasit, Karçanajt, dhe Beqirit rezultojnë kontrata për “Mirëmbajtjen e sistemit të ATP-WEB-GIS për Agjencinë e Trajtimit të Pronave, Procedurë e Hapur” me fond limit në total 39,528,000 lekë pa TVSH. Në të njëjtën listë përfshihen procedura për “Përmirësimin e sistemit të lejeve, zhvillimi i modulit të monitorimit të ndikimit në mjedis dhe monitorimit të zbatimit” për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, me vlerë limit kontrate 314,961,948 lekë pa TVSH, si dhe procedura për “Përmirësim dhe shtim të funksionaliteteve të sistemit të menaxhimit dhe raportimit të incidenteve kibernetike”. Dosja përmend gjithashtu procedurën për “Mirëmbajtjen e sistemit të depove farmaceutike (eDepo) për FSDKSH”, procedurën për “Implementimin e infrastrukturës së desktopëve virtual për Autoritetin e Aviacionit Civil”, si dhe “Implementimin e sistemit të gjeneruar për dokumentet me nënshkrim elektronik 2.0, moduli i administratës publike”.

Tërheqja e ankimimeve

Në vijim, SPAK rendit edhe procedura prokurimi që lidhen me tërheqjen nga ankimet pranë Komisionit të Prokurimit Publik nga subjekti “ABS”, në pronësi të shtetasit Gerond Meçe. Mes tyre evidentohet “Mirëmbajtja e sistemit FER për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, “Softe kompjuterike me karakter të përgjithshëm për Agjencinë e Zhvillimit të Territorit” si dhe “Përmirësimi i sistemit të thesarit”. Dosja përfshin edhe procedura për ndërtimin e sistemit informatik të menaxhimit të proceseve të brendshme për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, institucionet e varësisë (IEVP) dhe infrastrukturës hostuse, si dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik LIMS për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, me fond limit 22,065,600 lekë pa TVSH. Po ashtu, evidentohet mirëmbajtja e sistemit elektronik LIMS për Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë me fond limit 29,993,490 lekë pa TVSH. Një tjetër procedurë e rëndësishme e përfshirë në dosje është “Biletimi qëndror online për muzetë dhe sitet e trashëgimisë kulturore. Përmirësimi i sistemit të biletimit elektronik dhe platforma e shitjes së biletave” me fond limit 213,795,898 lekë pa TVSH, si dhe “Mirëmbajtja e sistemit elektronik të menaxhimit të vizitave dhe hyrje-daljeve në IEVP” me fond limit 46,800,000 lekë pa TVSH. Në faqen pasuese të dosjes hetimore, SPAK liston procedurën për “Mirëmbajtjen e sallës së monitorimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve”, me fond limit 79,996,200 lekë pa TVSH, si dhe procedurën për “Përmirësimin dhe integrimin e sistemeve të menaxhimit të informacionit për ndihmën ekonomike, persona me aftësi të kufizuar dhe shërbimit social”, me fond limit 226,460,451 lekë pa TVSH. Një nga procedurat me vlerë më të lartë financiare të përmendura është ajo për “Pajisje të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për përdorim zyrë”, me numër reference REF-50809-06-112025, me objekt “KOMPJUTERA”, me fond limit të lotit 1,348,052,656 lekë pa TVSH.

Pagesat fiktive

Në të njëjtën dosje, SPAK ndan një seksion të veçantë për procedura prokurimi për të cilat dyshohet se janë bërë pagesa fiktive, në drejtim të subjektit “EA Solution” sh.p.k., në pronësi të shtetasit Ergys Agasi. Ndër këto procedura përfshihet “Përmirësimi i Qendrës Kombëtare të Biznesit”, ku sipas dokumentit “Aneks 1 – Termat Referencë për Projektin TIK”, konstatohet se fitues i procedurës është bashkimi i operatorëve ekonomikë “HORIZON” sh.p.k. dhe “Soft Solution” sh.p.k., me ofertën ekonomike më të ulët në vlerën 194,545,212 lekë pa TVSH. Në dokument thuhet se qëllimi i kontratës është përmirësimi i moduleve dhe regjistrave elektronikë duke ofruar shërbime të unifikuara për bizneset në Republikën e Shqipërisë që lidhen nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe rritjen e nivelit të automatizimit të proceseve të punës së institucionit. Po ashtu, evidentohet procedura e prokurimit me objekt “Implementimi i e-Albania 2.0, site sekondar dhe open data”, me vlerë 1,462,500,000 lekë pa TVSH, nga e cila, sipas dokumenteve të tenderit, rezulton se fitues i kësaj procedure është subjekti “Fastech” sh.p.k.

Në analizën e saj, gjykata vlerëson se në përshkrimin e rrethanave të faktit, burimit të provave dhe analizës së bërë, organi procedues ka pasqyruar në mënyrë të detajuar rrethanat faktike, analizën ligjore përkatëse dhe shkeljet e evidentuara, duke mos lënë vend për përsëritje në këtë pjesë të arsyetimit të vendimit, pasi arsyetimi i prokurorisë konsiderohet i ezauruar dhe i mbështetur në ligj për sa rezulton deri në këtë fazë. Në përfundim, gjykata konstaton se lidhur me këto procedura prokurimi të zhvilluara nga Autoriteti Kontraktor AKSHI, ato janë kryer në referim të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik” dhe në respektim të VKM nr. 285, datë 19.5.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, si dhe analizën e procedurave të sekuestruara dhe të analizuara në kuadër të ligjit nr. 36/2020 “Për prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”. Megjithatë, në miratimin e titullarëve të Autoritetit Kontraktor dhe zëvendësdrejtorëve përkatës, sipas dosjes, janë vendosur kritere të veçanta kualifikuese, janë kërkuar procedura të ndryshme prokurimi dhe pajisje nga operatorë ekonomikë me certifikime CSI dhe CSP, duke iu referuar bazës ligjore në fuqi, përfshirë ligjin nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar” dhe aktet nënligjore përkatëse.