Nga Majlinda Bregu
Ky është përfundimi i Komisionit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian, i miratuar dje, i cili e kornizon zgjerimin e Bashkimit Europian si një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjeopolitike të Unionit.
Vonesa e zgjerimit rrezikon krijimin e zonave gri gjeopolitike, të cenueshme ndaj ndikimeve keqdashëse. Disa vende kandidate kanë vendosur tashmë objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave, edhe pse BE ku do të anëtarësohen nuk do të jetë i njëjti Union si sot.
Përputhja e përfundimeve të AFET me konsultimet aktuale për Kuadrin e ardhshëm Financiar Shumëvjeçar të BE-së (MFF 2028–2034) e rikthen debatin te një e vërtetë e thjeshtë: paratë kanë rëndësi.
Nga shumë realitete që ndikojnë këtë debat, njëri është veçanërisht i vështirë për t’u injoruar (shpresoj): gjatë këtij cikli të MFF-së, disa vende që aktualisht janë në proces zgjerimi pritet të bëhen Shtete Anëtare të BE-së.
Drafti i MFF 2028–2034, me një vlerë afërsisht 2 trilionë euro, e vendos zgjerimin brenda kapitullit “Global Europe”, i cili arrin rreth 190–200 miliardë euro. Brenda tij, Instrumenti për Zgjerim dhe Fqinjësi parashikohet të marrë rreth 42.6 miliardë euro, pra vetëm 2.2% e MFF-së totale.
Këto 42.6 miliardë euro aktualisht mbulojnë:
• të gjitha vendet e zgjerimit,
• politikën e fqinjësisë,
• dhe konkurrojnë me krizat globale, sigurinë, migracionin dhe prioritetet gjeopolitike.
Kjo arkitekturë ngre një pyetje themelore:
A po merr parasysh Plani i Afatmesëm Financiar i BE-së edhe mundësinë e zgjerimit me anëtarë të rinj apo llogarit vetëm vende kandidate?
Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi anëtarësohen, financimi për frymë do të duhet domosdoshmërisht të rritet. Aktualisht, vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) marrin mesatarisht jo më shumë se 40 euro për frymë në vit.
Shqipëria dhe Mali i Zi, dy vendet e radhës për anëtarësim, do të kenë nevojë për 500–1000 euro për frymë në vit, çka më çon sërish në këtë përfundim:
Nëse MFF-ja e re nuk përmban një mekanizëm të qartë tranzicioni për anëtarësimin dhe supozon se zgjerimi mund të absorbohet pa ndryshime strukturore, atëherë Bashkimi Europian po rrezikon të mbetet strukturalisht e papërgatitur pikërisht për atë rezultat politik që sot e quan prioritet strategjik
Jo më i vogël është rreziku që një “luftë për buxhetin” mes vendeve anëtare të BE-së, ta kthejë anëtarësimin në një debat shifrash, në vend që të jetë një proces integrimi reformues, i menaxhuar dhe i planifikuar mirë.
Pikërisht për këtë arsye, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mblidhen së bashku dhe të kërkojnë qartësi për
• një portofol të dedikuar për zgjerimin, brenda ose paralel me “Global Europe”,
• një periudhë buxhetore tranzitore të qartë për te kaluar nga para-anëtarësimi në anëtarësim të plotë,
• dhe një MFF që përputh ambicien politike me planet afatmesme financiare dhe mbi te gjitha realitetin gjeopolitik.







