Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Itali, ku dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja është regjistruar në strada Sanità, në segmentin e rrugës provinciale që lidh Savigliano me Vottignasco, në provincën Cuneo.
Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një rrugë të ngushtë, e njohur prej vitesh si problematike dhe ku janë shënuar edhe më parë aksidente të rënda.
Sipas informacioneve paraprake, Jeep-i ku udhëtonin tre të rinj shqiptarë është përplasur ballë për ballë me një mjet të rëndë Iveco. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa dinamika e saktë e aksidentit mbetet ende nën hetim nga autoritetet.
Në automjetin tip SUV ndodheshin tre shtetas shqiptarë.
Dy prej tyre, pak mbi të 20-at, kanë ndërruar jetë në vendngjarje. I treti, një 21-vjeçar, i cili ndodhej në sediljet e pasme, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Savigliano-s në kod të verdhë (jashtë rrezikut për jetën).
Ndërkohë, në mjetin e rëndë udhëtonin dy persona, një burrë dhe një grua.
Burri, 58-vjeç, është dërguar gjithashtu në spital në kod të verdhë, ndërsa gruaja, 55-vjeçe, ka pësuar plagë të rënda (politraumë) dhe është transportuar me helikopter në spitalin Santa Croce në Cuneo, në kod të kuq.







