Ballina Ekonomia Ibrahimaj: Marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg

Ibrahimaj: Marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg

14
0

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës se mungesa e fuqisë punëtore dhe nevoja për kualifikim janë ndër prioritetet kryesore për tregun e punës në vitin 2026.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se adresimi i mungesës së fuqisë punëtore kërkon masa të koordinuara, përfshirë kualifikimin profesional dhe marrëveshjet me vendet e treta për plotësimin e nevojave të tregut të punës.

“Siç jeni në dijeni qeveria shqiptare ka një politikë për migracionin, ka një strategji kombëtare për migracionin e cila ka të parashikuar një sërë masash. Adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme, ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që na jemi duke nënshkruar me vendet të treat”, tha ajo.

Në kuadër të diskutimeve u theksua rëndësia e rishikimit të Kodit të Punës dhe përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, si dhe roli i pagës minimale në përmirësimin e mirëqenies së punonjësve, ku qeveria synon rritjen graduale të saj gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, duke e afruar atë me standardin europian, minimalisht 60% e pagës mesatare.

Një tjetër çështje është statusi i minatorit, për të cilën ministrja tha se synohet zgjidhje e qëndrueshme në bashkëpunim me palët sociale.

“Çështja e statusit të minatorëve dhe problematikat e lidhura me përfitimin 1% apo 0,6% për 1136 minatorët, është një element që sigurisht ka marrë vëmendje dhe diskutime dhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Kombëtar të Punës dhe besoj që sot do të kemi një diskutim shterrues për këtë çështje”, tha ajo.

Në kuadër të reformave, u prezantua gjithashtu Krijimi i Komitetit Ndërministror për Çështjet e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe ndryshimet në ligjin për nxitjen e punësimit, të cilat synojnë modernizimin e shërbimeve, digjitalizimin e proceseve, forcimin e Garancisë Rinore dhe krijimin e Observatorit të Tregut të Punës.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e dialogut social si një komponent kyç të mirëqeverisjes dhe nënvizoi se konstituimi i ri i Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbledhja e parë që në muajin janar janë hapa konkretë për forcimin e tij.