Ballina Opinion Kontrolli punëtor-fshatar i Fatmir Xhafës mbi drejtësinë

Kontrolli punëtor-fshatar i Fatmir Xhafës mbi drejtësinë

28
0

Nga Desada Metaj

Përpjekja e Fatmir Xhafës, që përmes komisionit të tij të ashtuquajtur “për nismat qytetare” (lexo anti-SPAK) të ushtrojë një vizitë “monitoruese” në Prokurorinë e Posaçme, përbën një avancim serioz të mazhorancës së Edi Ramës në përplasjen e saj ballore me drejtësinë e re, dhe veçanërisht me SPAK-un. Mesa duket, ajo që publiku sheh sot – shndërrimi i Kuvendit në barrierë mbrojtëse kundër drejtësisë në çështjen Balluku, përmes zvarritjes deri në mosheqje të imunitetit, apo sulmi i paprecedent ndaj Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar efektet e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres – janë vetëm pjesa e dukshme e një beteje shumë më të thellë dhe më brutale, e cila po konsumohet në mënyrë sistematike në këtë fazë.

Agresioni i mazhorancës së Ramës ndaj drejtësisë tashmë duket se ka marrë formë të strukturuar, duke “thirrur nën armë” edhe esnafët e vjetër të kontrollit politik mbi drejtësinë. Simboli më domethënës i kësaj fryme është vetë Fatmir Xhafa.

Përpjekjet e tij në këtë drejtim nuk janë të reja. Ato kanë nisur që në momentin kur ai u vendos, rreth dhjetë vite më parë, në krye të Komisionit të Reformës në Drejtësi. Edhe pse kjo reformë zhvillohej nën mbikëqyrjen e rreptë të partnerëve ndërkombëtarë, shenjat e para të penetrimit të falangave dhe zgjatimeve miqësore – dhe jo vetëm miqësore – të Xhafës & Co., ishin të dukshme. Një ndërhyrje e vazhdueshme, e orientuar gjithnjë drejt kapjes së pikave kyçe të sistemit.

Nuk bëhej fjalë për kontroll të hapur, të institucionalizuar përmes ligjeve apo rregullave formale, por për një kontroll të heshtur, të bazuar në njohje personale, lidhje informale, miqësi, favore të ndërsjella, borxhe politike dhe shpërblime të vonuara në kohë. Një mentalitet i trashëguar nga praktikat e komunizmit, i transplantuar në një realitet të ashtuquajtur demokratik, por në thelb hibrid. Metoda që ngjajnë më shumë me instrumentarin e Sigurimit të Shtetit, për të cilin zoti Xhafaj zotëron edhe ekspertizën e duhur.

Mund të thuhet pa hezitim se penetrimi i falangave të tij në institucionet e reja të drejtësisë kanë qenë edhe kapitali i vetëm politik i Fatmir Xhafës, që i ka garantuar këtij të fundit jetëgjatësi të pazakontë në politikë. Duke e mbrujtur edhe me perceptimin e kultivuar me kujdes brenda Partisë Socialiste si “njeri me lidhje në drejtësi”. Një aset i çmuar, sidomos në një periudhë kur problemet e PS-së me drejtësinë janë shtuar në mënyrë eksponenciale.

SPAK-u, për faktin se është ndërtuar dhe kuruar me kujdes maksimal nga partnerët ndërkombëtarë, ka qenë ishulli i vetëm jashtë kontrollit të këtyre metastazave politike. Pikërisht për këtë arsye, ai ka qenë gjithmonë një objektiv prioritar për “arkitektin e drejtësisë së re”, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë ambicien për ta futur nën kontroll.

Ishte po Fatmir Xhafa që mori përsipër drejtimin e komisionit të posaçëm të Kuvendit të kaluar për reformat antikorrupsion, i cili në realitet synonte rikthimin e kontrollit të humbur mbi SPAK-un dhe GJKKO-në. Edhe pse ky komision dështoi dhe “iu dogjën letrat në dorë”, në këtë legjislaturë ai e ricikloi të njëjtën ide, duke e shndërruar në një komision të përhershëm parlamentar, të pagëzuar me emrin e sofistikuar “Komisioni i Nismave Qytetare”. Edhe vetë emërtimi nuk është i pafajshëm: ai huazon simbolikën e kontrolleve “punëtore e fshatare” të periudhës së diktaturës.

Kërkesa për të programuar një vizitë monitorimi në SPAK përbën në thelb një tejkalim flagrant të vijës së qartë ndarëse që Kushtetuta vendos midis pushteteve. Ajo bie ndesh drejtpërdrejt me pozicionet që ligji për Prokurorinë dhe Rregullorja e Kuvendit u caktojnë përfaqësuesve të pushtetit legjislativ përballë pushtetit të drejtësisë.

Ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” përcakton qartë se “…Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit në vend të paktën një herë në vit. Ky raportim përfshin të dhëna për numrin, llojet, shtrirjen territoriale, intensitetin dhe format e kriminalitetit, si dhe për efektivitetin e ndjekjes penale dhe cilësinë e përfaqësimit të akuzës në gjykatë. Ndalohet shprehimisht njoftimi për çështje konkrete, me përjashtim të atyre që i dërgohen Kuvendit me vendim të posaçëm.”

Ky është kufiri. Kjo është vija e kuqe. Një vijë që nuk duhet tejkaluar kurrë, sepse përndryshe shembet vetë arkitektura kushtetuese e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Edhe Rregullorja e Kuvendit, në nenet 102 dhe 103, e kufizon funksionin kontrollues të Kuvendit vetëm në raportimin e institucioneve të pavarura dhe në kontrollin post-legjislativ, pra në analizën e efektivitetit të ligjeve të miratuara. Raportimi vjetor i SPAK-ut synon informimin e Kuvendit mbi tendencat e kriminalitetit, me qëllim që ky i fundit të miratojë legjislacion sa më të përshtatshëm për luftën kundër tij.

Skenat e shëmtuara në Kuvend, ku prokuroria – e sidomos SPAK-u – vihet në bankën e të akuzuarit, ndërkohë që politikanë nën hetim e marrin rolin e prokurorit, janë deformimi më absurd i këtij mekanizmi kushtetues. Sidomos kur pyetjet degjenerojnë në çështje personale që këta politikanë kanë me drejtësinë.

E gjitha sa më lart, e avancuar me “monitorimin” në zyra prej Xhafës, nuk është as lajthitje dhe as merak për drejtësinë. Është ringjallje e një fryme të vjetër për ta vënë drejtësinë nën presion dhe nën kontroll. Vizita e programuar “monitoruese” e Xhafës është shprehje e qartë e kësaj linje të re politike.

Mjafton të shohësh kalendarin e punimeve të komisionit Xhafa për të kuptuar se bëhet fjalë për një tur “njohës” në gjykatat e shkallës së parë në Vlorë, Fier, Lezhë dhe Shkodër. Një komision që duket se ka uzurpuar edhe kompetencat tradicionale të Komisionit të Ligjeve, tashmë i reduktuar në një mekanizëm formal ngritjeje kartonësh për ligje që askush nuk i lexon. Në kushtet e një opozite që, në vend të jetë në krah të drejtësisë, ndodhet në pjesën më të madhe të kohës përballë saj, tashmë “dueli” i vetëm mbetet të jetë ai mes Xhafës dhe Manjës për të marrë nën kontroll frenat e komisionit parlamentar që do të “monitorojë” drejtësinë.

Mesa duket, edhe krijimi i këtij komisioni personal në fillim të kësaj legjislature ka pasur një synim ekskluziv: kontrollin e drejtpërdrejtë mbi drejtësinë.

Zbarkimi i politikanëve të mazhorancës në gjykata dhe prokurori është një sinjal i rëndë alarmi. Lidhjet e drejtpërdrejta, kontakti fizik, prezantimi i politikanëve si “të zgjedhur nga populli”, me qëllim krijimin e varësive psikologjike dhe hierarkive faktike mbi gjyqtarë e prokurorë, përbëjnë rrënimin fatal të pavarësisë së drejtësisë.

Reforma në drejtësi kishte një qëllim themelor: shkëputjen përfundimtare të lidhjeve midis politikës dhe drejtësisë. Për këtë arsye, ministri i Drejtësisë është sot “non grata” në KLGJ dhe KLP. Nevojat e sistemit duhet të adresohen nga këto dy organe, të cilat janë të vetmet të legjitimuara për të ndërmjetësuar shqetësimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve pranë Kuvendit.

Në këtë situatë, kur Fatmir Xhafa ka ndërmarrë një tur “turistik” në gjykata dhe prokurori, KLGJ dhe KLP duhet të dalin me zë të fortë, në përmbushje të detyrës së tyre kushtetuese, për të mbrojtur gjyqtarët dhe prokurorët dhe për të mos i lënë ata pre të një politike të vendosur tashmë nën akuzë. Për këtë ditë janë zgjedhur. Dhe sot duhet të flasin. Përndryshe le të shkojnë e të rrinë në paradhomën e Edi Ramës. Të paktën ta këshillojnë siç duhet kur të ketë probleme me SPAK-un.