Tregtarët e Vlorës po protestojnë sërish para Teatrit “Petro Marko”, duke kundërshtuar vendimin e Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga zonat aktuale e tregut. Protesta po zhvillohet teksa në qytet pritet të mbërrijë edhe kryeministri Edi Rama.
Trgtarët e fruta-perimeve kundërshtojnë vendimin e bashkisë që të transferohen në tregun e Çoles, ndërsa ata industrialë në tregun e Shumicës, në Jalli të Nartës. Protestuesit pretendojnë se vendimi është marrë pa konsultim të mjaftueshëm dhe pa garanci për kushte minimale pune.
Ata paralajmërojnë se zhvendosja larg qendrës së qytetit mund të ulë ndjeshëm numrin e klientëve dhe të rrezikojë të ardhurat e dhjetëra familjeve. Po ashtu, tregtarët thonë se hapësirat e reja nuk janë ende funksionale dhe nuk ofrojnë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin normal të aktivitetit.
Protestuesit kërkojnë rishikimin e vendimit dhe nisjen e një procesi të mirëfilltë konsultimi, ndërsa paralajmërojnë vijimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.







