Ballina Ekonomia Tatimet zbresin në Vlorë dhe Sarandë, penalizime për agjencitë imobiliare dhe sektorin...

Tatimet zbresin në Vlorë dhe Sarandë, penalizime për agjencitë imobiliare dhe sektorin e ndërtimit

21
0

Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren, ka vijuar kontrollet edhe në qytetet bregdetare të Vlorës dhe Sarandës.

Gjatë ushtrimit të këtyre kontrolleve janë konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit tatimor, të kryera me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.

Konkretisht, janë identifikuar agjenci imobiliare dhe subjekte ndërtuese të regjistruara dhe që operojnë me një NIPT të vetëm, duke krijuar struktura të përbashkëta me risk të lartë fiskal.

Nga verifikimet e kryera është evidentuar vepra e evazionit fiskal në vlera të konsiderueshme. Çmimet reale të tregut rezultojnë ndjeshëm më të larta se çmimet e referencës, si dhe janë konstatuar mospërputhje mes çmimeve të deklaruara në kontratat noteriale dhe atyre të raportuara pranë Administratës Tatimore, me qëllim uljen artificiale të detyrimeve tatimore.

Shkelje të tjera të rënda lidhen me mosdeklarimin e punonjësve në sistemin tatimor, përdorimin e dokumentacionit jotatimor, si dhe mospërputhje të theksuara ndërmjet të dhënave financiare të deklaruara dhe aktivitetit real ekonomik, të cilat përbëjnë indicie të qarta për fshehje të të ardhurave.

Në funksion të vijimit të hetimeve të thelluara dhe dokumentimit të fshehjes së të ardhurave, janë sekuestruar njësi kompjuterike dhe të dhëna elektronike, të cilat i janë nënshtruar analizave të specializuara.

Nga këto analiza rezultojnë informacione mbi transaksione shitjeje të kryera në cash, si dhe praktika të tjera në kundërshtim me legjislacionin tatimor në fuqi.

Drejtoria e Hetimit Tatimor po vijon analizimin e të dhënave të sekuestruara, me qëllim marrjen e masave që parashikon legjislacioni tatimor dhe referimin e rasteve pranë prokurorive përkatëse, në rastet kur do të provohen elementë të veprës penale të evazionit fiskal.

Administrata Tatimore informon se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjithë vendin, ndaj u bëjmë thirrje të gjithë subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e ndërtimit dhe ndërmjetësimit imobiliar të reflektojnë dhe të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet e tyre tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. /ekofin.al