Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe, pranoi publikisht sot se gjatë tre viteve të drejtimit të këtij institucioni ka vepruar nën presion politik. Deklarata u bë në seancën dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, ku ajo po shqyrtohet si kandidate për anëtare të Bordit të Bankës së Shqipërisë.
Një fakt i njohur prej kohësh në debatin publik, por që vjen për herë të parë si pranim i drejtpërdrejtë nga vetë Zaçe, ndërsa ajo kërkon të kalojë nga gjyqësori në një tjetër institucion kyç të pavarur. Në të njëjtën kohë, ky pranim ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si janë marrë disa prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese gjatë mandatit të saj,vendime që në pjesën më të madhe kanë rezultuar në favor të kryeministrit Edi Rama.
Sipas burimeve të VNA, Rama është kujdesur që Zaçe të mos mbetet pa pozicion pas largimit nga Gjykata Kushtetuese, duke e shtyrë drejt Bordit të Bankës së Shqipërisë. Paralelisht, po përgatitet edhe sistemimi i një tjetër anëtareje me mandat të mbaruar, Sonila Bejtja, në postin vakant të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Gjatë seancës, Zaçe deklaroi:
“Vij nga një trevjeçar ku kemi pasur presion politik… presioni nuk vjen drejtpërdrejt, por përmes medias dhe mënyrës sesi ngrihen çështjet në realitetin shqiptar. Jam e përgatitur që presioni politik do të vijojë edhe nëse zgjidhem në Bankën e Shqipërisë.”
Ajo këmbënguli se vendimet e Bankës së Shqipërisë për politikën monetare janë autonome dhe të pavarura, por pranoi se në Gjykatën Kushtetuese klima politike ishte e rëndë dhe e ndërhyrë.
Zaçe foli edhe për fenomenin e “gjyqësorizimit të politikës”, duke thënë se për një periudhë të caktuar e gjithë politika u transferua në Gjykatën Kushtetuese për të zgjidhur përplasjet që duhej të trajtoheshin në Parlament.
“Kam ditur të navigoj në një ambient të mbarësuar me presion politik. Edhe në vendime të papëlqyeshme, kam vepruar sipas bindjes sime dhe Kushtetutës,” shtoi ajo. Ndërsa vendimet dhe qëndrimet e saj në fakt kanë qenë tejet të diskutuara për qasjen politike dhe përpjkjen ekstra ligjore për ti zgjatur mandatin vetes.
Pranimi i sotëm i Zaçes për presionin politik dhe përpjekja për ta futur në ngërç Gjykatën Kushtetuese për ti zgjatur mandatin vetes e bën edhe më të debatueshme emërimin e saj në Bankën e Shqipërisë. Një institucion që, teorikisht, duhet të jetë i paprekshëm nga ndikimi i politikës.







