Ballina Dossier Trajneri futbollit Edi Zalla: Pasioni, përkushtimi dhe ndershmëria janë armët për të...

Trajneri futbollit Edi Zalla: Pasioni, përkushtimi dhe ndershmëria janë armët për të arritur suksesin

64
0

Nga Bulevard news*

Rastësisht, teksa Edmond Zalla lozte me top në një kënd të rrugës së lagjes me bashkëmoshatarët, pikaset nga mjeshtri Petraq Ikonomi. Fëmijët ishin në qejfin e tyre dhe nuk e kishin vënë re se Ikonomi ishte ndalur me një qëllim të caktuar. Jo vetëm për të parë të vegjlit se si luanin dhe as për t’u argëtuar. Lojtarin Ikonomi që ishte një talent i atyre viteve, e tërheq mënyra e thjeshtë se si lozte Zalla: lëvizjet, pasimet, goditjet, zdhërvjelltësia elementë të rëndësishëm në futboll. Me kalimin e viteve Zalla do të bëhet emër shumë i vlerësuar në fushën e blertë si futbollist dhe trajner. Pasioni, përkushtimi dhe ndershmëria do të jenë armët e tij më të forta në rrugën sportive.

Talenti

Në atë periudhë Petraq Ikonomi edhe lozte vet si sportist, edhe grumbullonte dhe përgatiste fëmijë e të rinj për ekipin. Me të mësuar se 12-vjeçari ishte djali i Ali Zallës e fton për të bërë kompromis. Ikonomi e njihte shumë mirë Ali Zallën pasi i ati fëmijës kishte qenë lojtar shumë i mirë, kapiten ekipi, golëshënuar si dhe aktor. Vet Ikonomi kishte përfunduar studimet e larta në Institutin e Fizkulturës, lozte dhe pikaste talente ngado nëpër Durrës, në lagje, rrugica, fusha të impovizuara, oborre shkollash e shtëpishë. Këtu nisi rruga e Edi (Edmond) Zallës drejt sportit. Pas pak kohësh grupi i të vegjëlve të grumbulluar kalon nën stërvitje me trajner të talentuarin Filip Xhai për të cilin Zalla do të ruajë konsiderata të veçanta për shkak të edukatës së të sjellurit me lojtarë dhe pasionit. Të gjithë brezat e futbollistëve në Durrës kanë kaluar nga dora e Xhait. Ishte periudha e startimit të madh në futbollin shqiptar. Gjithandej në rrethe të rinjtë dhe fëmijët i përkushtoheshin me zell të madh. Edhe në Durrës dhjetra fëmijë, të rinj e të rritur stërviteshin sistematikisht. Ecuria e fëmijës Zalla ishte shumë e pëlqyer. Lëvizjet në të gjithë sektorët e fushës, pasimet e sakta, përpunimi mjaft i mirë i topit e sistemuan sulmuesin tek më të mirët. Moshat shkollore aktivizoheshin tek shtëpia e pionierit dhe Zalla qe sulmuesi kryesor i ekipit. Që në moshën 13-14 vjeç emri i tij nis e flitet gjithandej. Djaloshi ishte përfshirë nën një disiplinë të fortë. Trajneri para së gjithash i kishte mbjellë pasionin gjë që e kishte pjesë të edukatës nga i ati, por edhe nga vet temperamenti tij. Zalla gëzohej pa masë kur në rrugë e thërrisnin në emër të rinj e të rritur. Kishte nisur të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. Ardhja në Durrës e Miço Papadhopullit i dha krahë trajnerit Petraq Ikonomi dhe së bashku organizuan kampionatin e të vegjëlve për Durrësin. U ndeshën fëmijë të të gjitha lagjeve në saj të një kalendari të rregullt. Prindërit shoqëronin fëmijët dhe i tërë qyteti derdhej në rrugë drejt fushës për të parë futbollistët e së ardhmes. Papadhopulli dhe Ikonomi krijuan kështu ekipe të rregullta dhe secilin ekip, në saj të ndërhyrjes tek pushteti ekzekutiv në Durrës, ia bashkëngjitën një ndërmarrjeje. Kjo e fundit kujdesej për uniformën dhe ndonjë bazë materiale në shërbim të ekipit. Tre-katër vite më pas, më 1967 në Tiranë mbërrin ekipi gjerman për një takim me Shqipërinë. Interesimi ishte shumë i madh. Sytë e shqiptarëve ishin drejtuar nga fusha e blertë dhe prej ditësh kryefjalë ishte vetëm takimi me gjermanët. Këtë ngjarje e mban mend shumë mirë Zalla, edhe pse fëmijë. Barazimi 0-0 me Gjermaninë i dha flatra futbollit shqiptar. Këtë entuzisëm e shfrytëzoi Zyber Konçi i cili i kërkoi qeverisë shqiptare të hapte sa më parë shkollën e përgatitjes së futbollistëve. Shqipëria nuk kishte një të tillë deri asokohe, ndërsa mediat e huaja u morën gjatë me këtë barazim duke ngritur lart ekipin shqiptar. Qeveria shqiptare vendos hapjen e shkollës së mjeshtërisë sportive. Edmond Zalla do të jetë një nga nxënësit e parë të regjistruar.

Studimet

Shtatë vite do të studiojë Edi Zalla në shkollën sportive e cila më pas do të emërtohej “Shkëndia”. Zyber Konçi mori më të mirët e të gjithë rretheve në futboll. Kushti i vetëm ishte që nxënësi të kishte përfunduar arsimin e detyruar. Për të hyrë në shkollë duhej kaluar prova, konkursi. Më shumë se 50-60 futbollistë në Durrës u përpoqën të kalonin provën e parë për t’u ballafaqur me sfidën në Tiranë. Në konkurs edhe dhjetra djm nga rrethe të tjera. Të rinjtë që kalonin provën përballeshin me komisionin i cili vendoste për emrat që do të regjistroheshin në shkollë, gjithnjë duke parë rezultatet e konkurimit. Shkolla e mjeshtërisë sportive hapet me 22 nxënës dhe Zalla bashkë me moshatarët e tij janë nxënësit e shkollës “Shkëndia”e parë. Këtë emërtim futbollistët  dhe sportdashësit e kanë dëgjuar për herë të parë nga komentatori Ismet Bellova i cili transmetonte ndeshjet. Shkolla në vitin e parë pati vetëm futboll dhe të gjithë nxënësit ishin djem. Një vit më pas u fut atletika dhe gjimnastika me djem e me vajza. Edi Zalla e nis shkollën e mjeshtërisë me një javë vonesë. Garët në konkurs i kishte kapur të gjitha me rezultatet më të larta, por kur erdhi çasti për t’u nisur për në Tiranë, nuk ndahej dot nga shoqëria. Me shumë vështirësi e bindën dhe Zalla nisi studimet e mesme dhe më pas të larta. Shkëndia ishte në atë kohë në qendër të vëmendjes së shtetit. Por vetëm politikisht, në kujtimet e Zallës, infrastruktura, trajtimi dhe çdo gjë kishin probleme. 16 seanca stërvitore në javë ishin një sfilitje e paimagjinueshme. Para e pasdite, nga e hëna në të shtunë, me seanca 90 minutëshe. Kalendari ditor ishte i ngjeshur. E hënë: paradite basketboll ose henboll dhe pasdite stërvitje futbolli. E martë: 2 orë atletikë stërvitje, 2 orë metodikë futbolli, pasdite stërvitje futbolli. E mërkurë:  2 orë gjimnastikë tek pallati sportit “Asllan Rusi”, 2 orë furboll, pasdite stërvitje futbolli. Të enjten si ditën e martë. E premte: 2 orë lojra me dorë, 2 orë futboll, 2 orë stërvitje pasdite. E shtunë stërvitje paradite. Djemtë e mjeshtërisë gjatë gjithë ditës nuk kishin as mundësinë më të vogël për t’u ndërruar. I hidhnin ujë fytyrës, freskoheshin dhe në stërvitje. Zalla ka ruajtur në kujtesë me përpikmëri të rrallë gjiithçka të atyre viteve, të gjithë emrat e djemve me të cilët u hap për herë të parë mjeshtëria sportive, emrat e pedagogëve, takimet, rezultatet…Pedagog i futbollit ishte Zyber Konçi, në Atletikë Mirush Deliallisi, në Gjimnastikë Arqile Marku dhe lojra Bujar Shehu. Viti i parë i shkollës pati 22 djem të cilët shumë shpejt e bënë të dëgjuar shkollën në të gjithë Shqipërinë. Zalla kujton se shkolla është hapur me këta nxënës: Arjan Hoxha, Vladimir Ajazi, Shkëlqim Kurti, Petrit Gjoni, Bajram Hushi, Milto Gurma, Leonidha Çurri, Fisnik Kosova, Gjergj Ballço, Agron Sulo, Agim Bulku, Vasillaq Zëri, Agim Medja, Ritvan Koxhaj, Lavdosh Malaj, Agim Arkaxhiu, Bashkim Tufa, Mehmet Spahiu, Gjorgji Puka, Lulzim Tagani dhe Edmond Zalla. Djemtë e Durrësit Zalla, Ajazi dhe Bulku ndiheshin shumë mirë, kishin tregues dhe rezultate të larta. Për shkak të rëndësisë që mori hapja shkollës, nxënës dhe mësues vizitohen në atë kohë nga Ramiz Alia, një nga eksponentët kryesor politik të regjimit i cili vite më pas u bë kryetar i shtetit shqiptar. Konçi u përpoq të bënte revolucion, por idetë e tij nuk mund të zbatoheshin pikë së pari nga mënyra shumë e keqe e të ushqyerit. Situata i duhej përcjellë udhëheqjes politike dhe ardhja Alisë ishte rast shumë i mirë. Jo kusdho mund të guxonte të fliste. Edi Zalla kujton se këtë mision e merr përsipër kapiteni i ekipit, nxënësi Petrit Gjoni i cili deklaron se pengesë kryesore për cilësinë e ekipit bëhej të ushqyerit. Këtë ai e tha faqe Ramiz Alisë i cili premoti ta zgjidh shumë shpejt këtë ankesë, por gjërat mbetën vetëm në kuadrin e premtimeve.  Në vitin e dytë të shkollës, djemtë e ekipit “Shkëndia” bënë revolucion në futboll. Zalla flet deri në detaje lidhur me takimet e para të futbolllistëve të shkollës të cilët krijuan diferencën e madhe gjatë ballafaqimit në fushë me ekipet e kampionatit kombëtar. Që në 5-6 ndeshjet e para opinini dashamirës i futbollit mësoi se sa shumë kishin ecur djemtë e mjeshtërisë sportive. Vetëm një vit më pas, të gjithë djemtë e ekipit Shkëndia janë përfaqësues të ekipit bazë në Ballkaniadë që zhvillohet në Kavalla të Greqisë dhe në Vardar të Shkupit. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk kapercente të 20 vitet, sportistët e mjeshtërisë bënë figurë shumë të mirë. Provën e parë e kishin kaluar me shumë sukses që në vitin e dytë të shkollës së mesme teksa dolën kampion kombëtar për të rinjtë. Në vitin e tretë të shkollimit u shpallën kampion në kategorinë e dytë dhe pavarësisht moshës shumë të re 19-vjeçarët u kaluan tek të rriturit. Edi Zalla, një nga protagonistët e këtyre takimeve që kanë lënë gjurmë të forta në kujtesën e djemve të ekipit “Shkëndia”, është shprehur se futbollistët ishin të papërmbajtshëm. Pedagogët kishin punuar fort dhe sytë e dashamirësve të futbollit qenë drejtuar nga djemtë e mjeshtërisë sportive. Për dhjetë vite “Shkëndia” qëndroi në mesin e tabelës dhe shërbente si bazë për të furnizuar ekipet me futbollistë. “Shkëndia” historikisht nuk ka pasur lojtar mbi 22 vjeç megjithatë ndeshej denjësisht me ekipet e rretheve në kampionatin kombëtar.

Ekipi

Pas përfundimit të studimeve të mesme dhe të larta Edi Zalla bëhet pjesë e ekipit “Lokomotiva” për tre vite rradhazi, 1974-1977 kohë që Durrësi pati futbollistë cilësorë. Trajner gjeti Petraq Ikonomin, pedagogun që e pikasi kur Zalla ishte 12 vjeç. Më pas Ikonomi e la ekipin në dorën e Skënder Jarecit. Periudha e viteve shumë të vështira të ekipit bregdetar që mbahej me shumë vështirësi për shkak të rezultateve të dobta në kampionat dhe në kupë, do të kapërcehet. Kriza e rëndë mbetet pas dhe “Lokomotiva” del nga ujrat e turbullta në të cilat notoi për 6-7 vite.. Ikonomi punoi fort, ndërsa ardhja në ekip e futbollistëve Eduard Zalla, Fatmir Hima, Alfred Filiari, Agim Likmeta do e zgjojë ekipin. Nga gjendja e atrofizuar, ekipi “Lokomotiva” bëhet pretendent për të fituar kupën e Republikës dhe krahas djemve të tjera, Edi Zalla ka pjesën e tij të krenarisë. U ndeshën në Durrës dhe në Elbasan për të fituar këtë trofe, por e humbën me rezultatin 0-1 si në fushën e tyre edhe në atë mike. Futbollisti Edi Zalla flet me siguri të plotë se janë pikërisht ato vite që shënojnë kthesën historike. Durrësi që deri në atë kohë rrezikonte të dilte nga kategoria, bëhet pretendent. Në kulmin e moshës, Zalla, me urdhër politik, do të lëvizë për t’u bërë trajner edhe pse nuk kishte mbi shpatulla më shumë se 25 vite. Shkolla e mjeshtërisë sportive “Shkënida” e Tiranës për arsye të shkrehjes në përgatitje metodike-mësimore transferohet në Durrës. Viti 1977 shënon edhe hapjen e shkollës së mjeshtërisë sportive në qytetin bregdetar, shkollë që me kalimin e viteve do të marrë fizionomi të plotë. Jashtë pëlqimit të tij Zalla emërohet trajner i shkollës për të qëndruar si i tillë shtatë vite, deri më 1984.

Trajneri

Krejt papritur u gjend përballë një fakti të kryer. Edi Zalla emërohet trajner i djemve të shkollës së mjeshtërisë sportive të Tiranës e cila u transferuar në Durrës për shkak të zhvillimeve të brendshme. Edhe pse i ati, Ali Zalla, ishte me shumë reputacion, kjo nuk ndikoi në ndryshimin e vendimit të marrë padrejtësisht në dëm të pasionit dhe synimeve të vet të riut Zalla. Djaloshi ishte edukuar në një mjedis që nuk e pranonte intrigën, rushfetin dhe prapaskenat, ndaj Ali Zalla nuk bëri as hapin më të vogël për ta “shpëtuar” të birin nga emërimi i papëlqyer. Zalla trajener i të rinjve të ekipit “Shkëndia”. Ishte vetëm 25 vjeç. Pa ndihmës. Trajner dhe mësues kujdestar. Pa terrene sportive. Me pak bazë materiale dhe me infrastrukturë tejet të mangët. Ky ishte realiteti dhe Zallës nuk i mbetej tjetër veçse të kërkonte shpëtim nga vetvetja. Një vit pasi mori në dorë ekipin e djemve të mjeshtërisë sportive, i afrohet për ndihmë trajneri Kolec Shuli dhe një vit më pas edhe Petraq Ikonomi. Të gjithë iu përveshën punës. Zalla synonte shumë larg.Matej me më të mirët e kampionatit kombëtar në futboll. Tre vite pasi djemtë u përgatitën teorikisht dhe praktikisht nga trajneri Zalla, të 11 lojtarët bazë të formacionit tek “Shkëndia” u grumbulluan në ekipin përfaqësues të Shqipërisë për moshat U-19 dhe po atë vit rikthehen në Tiranë tek shkolla e tyre e mëparshme. Ndërsa futbolli kishte Zallën dhe ndihmësit e tij, gjimnastika u shtrua nën kujdesin e Kujtim Hoxhollit, pedagog dhe trajner i suksesshëm. Tre vite i është dashur Zallës për ta shpallur ekipin e tij kampion absolut të Shqipërisë. Trajneri 25-vjeçaria doli mbanë. Megjithatë me shumë sakrificë. Pikë së pari nuk kishin fushë stërvitje. Zalla ia kishte vënë syrin një terreni por që ishte i mbjellë me misër. Pra ishte tokë buke. Duhej shumë kokëçarje për t’i shkuar deri në fund synimit për ta bërë të tijën tokën e mbjellë. Bëhej fjalë për një tokë pranë fidanishtes. Ish anëtari Byrosë Politike, Qiriako Mihali, i cili vinte shpesh në Durrës për të ndjekur ecurinë e të birit në stërvitje, i afron ndihmë Zallës. Pasi trajneri i paraqet kërkesë, të dy së bashku vizitojnë vendin. Mihali sheh se toka ishte jo vetëm e mbjellë, por edhe e rrethuar me bunkerë mbrojtjeje. Edhe pse jo shumë i sigurtë në arritjen e qëllimit, Qirjako Mihali nis të punojë për t’i siguruar Zallës terrenin e ri sportiv. Një muaj pas takimit të tyre, trajnerin e thërrasin për t’u paraqitur në Kryeministri. Në katin e parë e priti një person i cili pasi sigurohet se përballë kishte Edmond Zallën nisen për të takuar Prokop Murrën. ministër i Mbrojtjes. Ky i fundit pranon të lirojë për llogari të arsimit tokën e rrethuar nga bunkerët. Që andej shkojnë tek Themie Thomai, ministre e Bujqësisë, por aty ndeshin në rezistencë pasi kundështohet dhënia e firmës. I ngarkuari nga Kryeministria dhe Zalla kthehen tek godina qeverisë dhe për tre orë ngjarjet zhvillohen në zyra por jo në prani të trajnerit. Së fundi Thomai thyhet dhe fusha e mbjellë me misër bëhet pronë e arsimit. Ministres së Arsimit Tefta Cami s’i kishte mbetur tjetër veçse ta përfshinte në inventarin e saj atë copë tokë për të cilën është bërë shumë përpjekje. Me t’u kthyer në Durrës pushteti vendor ngarkon ing Viktor Dhimgjini dhe teknikun Riku Bulku për ta përshatur në fushë futbolli. Meqë terreni u shtrua me rërë, u njoh si Aneksi rërës. Ishte jo pak arritje dhe çdo gjë nisi e mbaroi në saj të vullnetit dhe përpjekjeve të Edi Zallës. Me t’u rikthyer shkolla sportive në Tiranë, Zalla kalon trajner i të rinjve tek “Lokomotiva”. Niko Xhaxho sapo i kishte nxjerrë ekipin në kategorinë e parë pas një pune shumë të mundimshme. Xhaxho merr shpresat e ekipit “Lokomotiva”, kurse Zalla me të rinjtë. Vitin e parë djemtë e tij zunë vendin e gjashtë në kampionatin kombëtar. Vitin e dytë në vend të katër dhe vitin e tretë nënkampion, me pikë të barabarta me “Tiranën”. Zalla përgatiti ekip cilësor me djem të tillë si: Kujtim Shtama, Artan Vila, Adrian Suka, Led Manushi, Dhimitër Manushi, Arjan Belishova, Artur Kallço, Dashamir Disha, Eduart meta, Edmond Rrushi, Adnand Beba. Ishte viti 1986. “Lokomotiva” dhe trajneri Zalla nuk përmbaheshin. Stërvitje, përgatitje metodike, skema, biseda, çdo gjë për sportin dhe kushtuar tërësisht futbollit. Për të i vetmi preokupim ishte ekipi. Edhe pse i ri dhe familjarë, mendja i punonte çdo çast për futbollin. Këtë vit  Birkush Birçe ikën nga Durrësi dhe Zalla meërr ekipin e parë të “Lokomotivës”. Veç lojtarëve me famë si Ardian Abazi, Agim Çela, Niko Jani, Bujar meta, Bujar Hodo, Haxhi Ballgjini, Albert Topçini të cilit ishin pjesë e ekipit kombëtar, trajneri futi në formacioni e parë edhe djemtë që dolën nënkampion. Vitet 1990-1994  do të njihen edhe si vite të eksodit të madh. Ekipet shpërbëhen një nga një. Vala eksodit përpiu futbollistë, volejbollistë, basketbollistë, peshëngritës, atletë, mundës… të gjithë. Megjithatë Edi Zalla nuk tërhiqet. Edhe pse me shpresa të vrara, bën të tjera përpjekje. Në vitin 1994 krijon KF Durrësin. Mendja i punonte të krijonte një ekip të dytë, paralel me atë “Teuta” për t’i dhënë Durrësit jo një, po dy ekipe të para futbolli, derbi të cilave do të ngjallte interes. Kërkoi ndihmën e Danish Bebeziqit për të krijuar emblemën, ngjyrën e fanellave dhe të tjera detaje. Nga ana tjetër merr mbështetjen e ish kryetarit të bashkisë së Durrësit Tomorr Golemi i cili i merr përsipër vetëm krijimin e lehtësive në mbledhjen e këshillit bashkiak, por jo mbështetjen me fonde. Kaq i duhej Zallës pasi për të tjera kishte sajuar të tjera rrugë. Federata Shqiptare e legalizon. Nuk mund të ndodhte ndryshe pasi Edi Zalla kishte punuar shumë për të përgatitur dosjen për legalizimin e një ekipi të dytë në Durrës. Mbështejten financiare do e gjejë tek biznesmenet V. Ballo, A. Hoxha, E. Xhani dhe L. Koka. Për fare pak Lushnja fiton në përballje me KF Durrësi në duelin për të hyrë në kategorinë e parë. Njëherësh me KF Durrësi trajneri i zhytur në punë dhe plot pasion përgatit edhe akademinë e fëmijëve të moshave 12-14 vjeç. Qëllimi ishte furnizimi i ekipit të parë me elementë cilësor, të përgatitur dhe të kualifikuar metodikisht. Vitet ecnin dhe Zalla po ashtu, nuk pushoi së kërkuari elementët e rinj. Cep më cep, shkollë më shkollë. Zalla shfaqej në çdo kënd, kudo ku kishte fëmijë që loznin në lagje. Këta fëmijë në kampionatin kombëtar të vitit 2002 përfaqësuan “Teutën” dhe dolën kampion të Shqipërisë. Ekipi që i ndiqte ishte plot 12 pikë pas tyre. Ishin vitet 2001-2002. Zallës i besohet drejtimi të rinjve të ekipit “Teuta” dhe dy vite më pas trajner i të rriturve. Të rinjtë dalin kampion dhe ky ishte shpërblimi më i madh për të cilin kishte punar me gjithë forcat Edi Zalla. Nga të rinjtë merr tek ekipi i parë disa furbollistë shumë cilësorë si Alfred Osmanin, Bledian Rizvanin, Bledar Hodon, Ilir Tetovën. Meqë ata ishin shumë cilësor vendos t’i aktivizojë, por kjo sjell edhe përplasje jo të vogla pasi spostohen lojratë të cilët kishin mbështetje jo të vogël, edhe pse rezultatet e tyre nuk ishin si ato të futbollistëve të aktivizuar nga Zalla. Hendeku nis e thellohet dhe pikërisht kur trajneri korr fitore jo të pakta, vjen edhe largimi tij si masë ndëshkimi. Pra trajneri ndëshkohet në kulmin e punës dhe të suksesit. Zalla tërhiqet përkohësisht për t’u rikthyer sërish në fushën e blertë. Këtë herë me fëmijë të përzgjedhur nga kopshtet dhe klasat e para të shkollave të Durrësit. Janë 27 fëmijë të moshës 6-7 vjeç të cilët përgatiten sistematikisht prej tij. Për të arritur tek ky numër trajneri ka bërë seleksionim njëvjeçar. Këtë herë ka ndihmën dhe bashkëpunimin e Ilir Tetovës, Eduart Currit dhe Alfred Osmanit me të cilët përgatit itensivisht fëmijët. Kontigjenti i zgjedhur i është nënshtrtuar edhe testit të inteligjencës në saj të ndihmës së dhënë nga mësueset dhe edukatoret e tyre. Fëmijët janë të gjithë me përparim të shkëlqyer dhe vet trajneri Zalla së paku një herë në muaj merr takim me mësueset dhe edukatorët për të ndjekur ecurinë e furtbollistëve të tij të vegjël. Ekipi 6, 7-vjeçarëve ka emërimin “Teuta” dhe sponsorizohet nga Adrian Bardhi. Trajneri ka futur në ushtrimin metodik dhe në stërvitje jo vetëm modelet perëndimore, por edhe të ushqyerit sipas këshillave. Datëlindjet dhe festat kombëtare ekipi të vegjëlve, trajneri dhe ndihmësit e tij i kalojnë bashkarisht.  Zalla shpreson shumë dhe ndihet mjaft optimist në ecurinë e tyre. Edhe tani që ushtron detyrën e shefit të sporteve pranë bashkisë së Durrësit, nuk i ndahet ekipit, stërvitjes, studimeve dhe planeve.

Të pathëna

Edmond Zalla njihet për temperamentin e tij shpërthyes. Janë disa episode në fushë, në terrenet e stërvitjes, në stadium e bankinë, apo në klasë që dëshmojnë karakterin e tij prej rebeli. Përgatitjet e të rinjve të “Shkëndisë” i ndiqte rregullisht Qiriako Mihali, ish funksionar shumë i lartë i Komitetit Qëndror. Funksionari afronte makinën tek fusha dhe shkonte të bisedonte me trajnerin për të dëgjuar si ecte me stërvitje i biri. Zalla i kërkon të mos e parkojë makinën pranë fushës dhe të mos e ndërpresë gjatë stërvitjes, veprime tepër të guximshme dhe me jo pak rrezik për kohën. Por Zalla ka ndodhur që të rebelohet edhe në fushë. Protesta e tij e ka shtyrë të përplasë barelën në mes të fushës, të hyjë në lojë për t’u grindur me albitrin, të qëllojë me orë albitrin, të shahet ashpër dhe me fjalë fyese me shefin e policisë, apo edhe të godasë me grusht një person i cili e besdiste pranë bankinës. Një karaktet i tillë shpërthyes duket se i shkonte shumë përshtat tifozërisë e cila e shikonte Zallën si një shkëndijë për të shpërthyer edhe ata në revoltë. Në vitet 80 të shekullit të kaluar vendi ishte izoluar politikisht dhe ekonomikisht ndaj njerëzit gjenin stadiumet për të nxjerrë dufin, ndërkohë që “flakën” e ndezte vet trajneri Zalla. Ata e shikonin Zallën si çlirues të shpirtit të trazuar ndaj e adhuronin pa masë. Por Edi Zalla ka edhe të tjera të pathëna. Lexon shumë, jo më pak se 4 orë në ditë. Ka vite që tërë kohën ia kushton leximit të literaturës për futbollin dhe çdo gjë e merre në gjuhë të huaj. Është i abonuar në disa organe sportive evropiane. lexon, nënvizon dhe i kthehet sërish për ta zbatuar në praktikë. Blen shumë libra e literaturë sportive. Veç tyre Zalla merret me maratonë. Jo vetëm ai por edhe bashkëshortja e tij, mësuese e Edukimit fizik, Valentina Zalla vrapon çdo ditë. Kështu edhe të bijat Edvana stomatologe dhe Redija mësuese e Ciklit të Ulët. Si familje çdo ditë ecje sportive disa kilometra. Në 50-vjetorin e lindjes Zalla e ka bërë me këmbë rrugën Tiranë-Durrës. 55-vjetorin e lindjes ka ndërmarrë maratonën Shkodër-Durrës me biçikletë i shoqëruar nga inxhinieri, miku i familjes, Viktor Dhimgjini, ndërsa 60-vjetorin po me biçikletë, mataronë Orikum-Sarandë, rrugë e përshkuar për 6.5 orë.

Trajner në moshë fare të re, në kulmin e karrierës sportive futbollistike.E vështirë?

Kështu ndodhi. Nuk varej fare nga dëshira jonë, konkretisht nga dëshira ime. Vendimet merreshin diku lart dhe nuk kundështoheshin. Më mbetej vetëm t’i shtohesha punës. Djemtë ishin të qartë për synimet tona. Stërviteshin dhe respektonin deri në një udhëzimet. Dëshira për të lozr ishte e papërmbajtshme, por më duhej të mendja për stërvitjen. Djemtë dhe vajzat e shkollës po ecnin shumë mirë. U shpallëm kampion absolut. Them kështu pasi e siguruam kryesimin disa javë para së të mbyllej kampionati. E njëjta gjë edhe me vajzat e gjimnastikës, të cilat shpallen kampion absolut. Ndeshjet me Shkodrën, Partizanin, Dinamon, Vlorën, Korçën… treguan sa lart ishte përgatitja ekipeve tona. Vajzat e atletikës me trajner Idriz Qinari morën në dorë kryesimin, u bënë kampione të padiskutuara. Rekordmeni Eduart Salillari me trajner Eqrem Bylykbashi mori zë të madh.

Sigurisht që infrastruktura ka qenë problem më vete në ato vite.

Nuk kishte infrastrukturë. Shkolla në Durrës sa qe hapur. E vetmja gjë që nuk mungonte ishte pasioni ynë dhe i sportistëve.Futeshim në garë cili punonte më shumë se tjetri. Kampion pa punë nuk del. Ne ia arritëm vetëm në saj të punës. Stërvitjen e bënim në të njëjtin terren sportiv që stërvitej ekipi “Lokomotiva”. Në kulmin e përgatijes sonë, duhej liruar mjedisi se vinin djemtë “Lokomotivës”. Nisa të mendoj për të gjetur një vend që të shërbente si fushë për të stërvitur nxënësit e shkollës së mjeshtërisë sportive. E pikasa pasi kërkova gjithandej ndihmë. Bëhej fjalë për fushën që ne i themi “Aneksi i rërës”.

I vështirë pozicioni i trajnerit sidomos përballë furisë së tifozërisë kundërshtare.

Jam trajner që nga viti 1978, pra prej 35 vitesh. E kam nisur këtë profesion në moshën 25 vjeç si trajner me të rinjtë e shkollës së futbollit, 3 vite trajner i të rinjve tek “Lokomotiva”, 2 vite me të rriturit e “Lokomotivës dhe me rradhë deri më sot që stërvisë fëmijë të moshës 6 e 7 vjeç. Kam qenë më i riu trajner në kampionatin kombëtar. Për t’u kthyer tek përgjigja. Asnjëherë dhe në asnjë stadium nuk jam ndier keq, kurrë nuk kam marrë një fjalë fyese nga tifozët. Tifozi të sheh si vepron. Me të zbardhur mëngjesi vrapoja për tek fusha, vijëzoja dhe pastroja fushën, hidhja një kovë me ujë të ftohtë në trup dhe dilja i veshur si trajner. Pastaj shkoja repart më repart në ndërmarrje të ndryshme për të siguruar bazën materiale që duhej për stadiumin.Nga mëngjesi deri në mbrëmjë në shërbim të futbollit, në shërbim të ekipit. Nuk kam diferencuar kurrë lojtarin nga lojtari. Nuk kam pranuar kurrë ndërhyrje. Kjo nuk është se nuk më ka kushtuar, madje shumë telashe kam pasur. Megjithatë të tillë edukatë kisha marrë dhe të tillë karakter kisha. Vajzat e mia janë rritur në krahët e bashkëshortes sime. E kam pasur mallë të lozja me to, t’i shëtisja siç bënin prindërit e tjerë. U rritën pa kujdesin tim. Dhe e gjithë kjo ngase iu përkushtova sportit. Kjo është arsyeja që tifozët më kanë adhuruar dhe më kanë pëlqyer. Kur rebelohesha në fushë ata ndiqnin ritmin tim. Dukej sheshit se e pëlqenin rebelimin, protestën kundër të padrejtës.

Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!