Nga Ermal Peçi
Në librin Truri idiot shtrohet një e vërtetë e hidhur, por reale: shoqëritë në disa momente nuk sundohen nga më të ndershmit, por nga më të pacipët. Jo sepse janë më të zgjuar, por sepse nuk njohin kufij. Njeriu me dinjitet jeton brenda kufijve moralë, maskarai i tejkalon ata, dhe në politikë kjo mungesë kufijsh shpërblehet me pushtet.
Këtë e pashë qartë në Parlament. Debati mes Taulant Ballës dhe Jozefina Topallit më rikujtoi pazaret në kurriz të demokratëve në vitin 2021. Jozefina mundohej, nëpërmjet narrativës boshe, të lërë fajin tek Basha, me shpifje dhe akuza që koha po i vërteton se ishin thjesht mekanizma për të mashtruar qytetarët.
Hannah Arendt e quante këtë fenomen “banalitet i së keqes”: jo monstruoz, por i zakonshëm, i përsëritur, i normalizuar. Në politikën shqiptare, ky banalitet nuk është përjashtim; është bërë sistem, dhe Kryeministri Rama e drejton këtë sistem me mjeshtëri.
Është e pabesueshme, por e vërtetë: ka ekzistuar një bashkëpunim i strukturuar i opozitës për të penguar rotacionin. Në këtë ekuacion hyn edhe Ilir Meta, së bashku me figura të vjetra politike, të cilët bënë gjithçka për të mos lejuar Lulzim Bashën të bëhej Kryeministër, jo për vizion, por për mbijetesë politike. Siç shkruante Machiavelli: “Ai që përfiton nga rendi i vjetër është armiku më i rrezikshëm i ndryshimit.”
Problemi nuk ishte Basha si individ. Problemi ishte se ai ishte një figurë e formuar jashtë sistemit, financiarisht dhe profesionalisht e pavarur, dhe sistemi nuk fal pavarësinë.
Nietzsche paralajmëronte se kush lufton përbindëshat rrezikon të bëhet vetë përbindësh. Basha, me gjithë dobësitë e tij, nuk pranoi të bëhej i tillë. Pikërisht për këtë arsye, pushteti i mohohej, dhe sot ndodhet jashtë Parlamentit. Ai zgjodhi SHBA-në, drejtësinë dhe kërkoi një parti të djathtë që mund të rikthehej në pushtet, jo një grusht njerëzish me interesa meskine.
Lulzim Basha mund të jetë larg pushtetit, por jo larg së vërtetës. Në politikë, e vërteta ka një cilësi të çuditshme: vonon, por nuk humbet kurrë.
Ai që ka përballuar sulme, tradhti dhe izolim dhe ka mbetur në këmbë, nuk mund të kthehet më siç ishte. Përkundrazi, përjetimi i këtyre sfidave e bën më të fortë, më të kthjellët dhe më pak të manipulueshëm. Historia ka treguar se ata që nuk i nënshtrohen sistemit, edhe kur largohen përkohësisht, kthehen gjithmonë si problem, jo për qytetarët, por për pushtetin politik që nuk mund t’i kontrollojë.







