Përshëndetje z.Arbana. Shijaku ka nisur një proces të rëndësishëm për Regjistrimin Fillestar të pasurive në fshatrat Shahinaj dhe Shetel. Mund të na tregoni më shumë rreth këtij procesi?
Po, ka nisur procesi i afishimit publik për Regjistrimin Fillestar të pasurive në fshatrat Shahinaj dhe Shetel, një hap thelbësor drejt zgjidhjes së çështjeve të pronësisë që kanë mbetur të pazgjidhura për 35 vite. Banorët kanë mundësinë të konsultojnë për 45 ditë të dhënat e paraqitura pranë njësive administrative përkatëse. Ky proces është rezultat i angazhimit të Bashkisë Shijak dhe mbështetjes së Kryeministrit Edi Rama, për t’i dhënë zgjidhje një problemi të gjatë, duke dëgjuar zërin e qytetarëve.
Për qytetarët që nuk kanë dokumentacion të plotë, si mund të përfitojnë nga ky proces?
Pas përfundimit të Regjistrimit Fillestar dhe krijimit të Regjistrit Kadastral, çdo banor mund të aplikojë për të regjistruar titullin e pronësisë dhe të pajiset me dokumentacion të plotë.
Cilat kanë qenë investimet kryesore të Bashkisë muajt e fundit?
Viti 2025 ka qënë i mbushur me investime në infrastrukturë që lidh komunitetet dhe përmirëson jetesën e përditshme. Mund të përmend këtu rehabilitimin e rrugëve kryesore si Likesh-Shahinaj, Katër Rrugët, lumit Erzen, Gjepalaj e Sipërme dhe shumë rrugë të tjera në gjithë Shijakun. Po ashtu, kemi nisur fazën e parë për ndërtimin e pallateve për të pastrehët dhe kemi mbështetur fermerët dhe investimet në zonat rurale përmes “Paketës së Maleve”.
Mund të na tregoni pak më shumë rreth mbështetjes për fermerët dhe zhvillimin ekonomik lokal?
Së bashku me Ministrin e Bujqësisë kemi qenë në dialog të drejtpërdrejtë me fermerët për Skemën Kombëtare 2026. Bashkia e Shijakut kryeson në nivel kombëtar në përmbushjen e praktikave të subvencionimit të naftës dhe kemi shpallur përfitues të gjithë aplikimet e dorëzuara nga fondet e AZHBR. Përveç kësaj, përmes “Paketës së Maleve”, qytetarët dhe diaspora mund të investojnë në agroturizëm, fermë, banesa me funksion hotelerie dhe struktura mbështetëse, me përfitime konkrete fiskale dhe mbështetje me projekte falas.
Bashkia Shijak pas situatës së vështirë të krijuar nga përmbytjet. Çfarë është bërë konkretisht për banorët e prekur?
Bashkia Shijak përfundoi shumë shpejt procesin e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve për 43 banesa në të gjitha njësitë administrative. Strukturat përkatëse i janë gjendur pranë banorëve që në momentet e para, duke shkuar derë më derë për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet. Falë mbështetjes së Qeverisë Shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama, të gjithë qytetarët e prekur do të dëmshpërblehen sipas vlerësimeve të kryera.
Si do të përshkruanit Shijakun për turistët dhe investitorët?
Shijaku është një vend ku tradita, natyra dhe mikpritja bashkohen. Fshatrat ofrojnë produkte vendase bio, ushqim tradicional dhe një përvojë autentike. Për investitorët, zonat piktoreske dhe liqenet e kodrat e bukura janë mundësi ideale për projekte të qëndrueshme turistike dhe agroturizëm.
Çfarë mesazhi keni për qytetarët e Shijakut?
Çdo hap përpara është rezultat i përpjekjes së përbashkët mes Bashkisë, qytetarëve dhe qeverisë. Faleminderit për besimin, durimin dhe bashkëpunimin. Bashkë po ndërtojmë një Shijak më të mirë për të gjithë.








