Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, ka zbuluar “formulën e madhe” të luftës kundër kancerit. Në forumin me titull solemn “Kontrolli i Kancereve në Shqipëri: Parandalim, Depistim dhe Kujdes ndaj pacientit” në vend të një bilanci të thjeshtë dhe konkret mbi atë që nuk funksionon sot në shërbimin onkologjik, Sala preferoi një fjalim të gjatë mbi “transformime”, “qasje multidimensionale” dhe “ekosisteme shëndetësore”. A thua se Shqipëria është një laborator shkencor nordik dhe jo një vend ku pacientët sorollaten për ilaçe bazike.
Sipas ministres, po ndërtohet një “ekosistem” që përfshin depistimin, parandalimin, krijimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit, zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme dhe përmirësimin e radioterapisë. Fjalë të bukura, struktura të mëdha, akronime të reja, por asnjë përgjigje për realitetin e përditshëm në Onkologjik.
Evis Sala foli si ministre, por edhe si mjeke e imazherisë onkologjike, duke kujtuar vitet e saj pranë pacientëve dhe “momentet e bukura kur beteja fitohet”. Një rrëfim njerëzor që tingëllon prekës, por që nuk ndryshon faktin se sot shumë pacientë humbasin betejën jo vetëm me sëmundjen, por me sistemin.
Në vend të kësaj retorike boshe, ndoshta do të ishte më e dobishme që ministrja të bënte një gjë shumë më të thjeshtë:
të shkonte vetë në spitalin onkologjik, të ulej në radhë si paciente, të priste për vizitë, të përballej me mungesën e barnave dhe vonesat, dhe vetëm atëherë të na tregonte për “ekosistemet”.
Sepse nuk nevojiten forume luksoze për të kuptuar krizën. Për këtë mjafton një ditë në korridoret e onkologjikut.
Sepse në Shqipëri, problemi nuk është mungesa e vizionit në PowerPoint, por mungesa e ilaçeve në rafte. Nuk është mungesa e strategjive, por mungesa e shërbimeve bazike. Nuk mungojnë institutet dhe kandidatët për ministra por dështojnë përpjekjet për ta bërë funksionale atë që ekziston.
Sepse ne realitet, ndërsa ministrja flet për zgjerim depistim dhe institucione të reja, pacientët vazhdojnë të kërkojnë trajtime që shpesh nuk i gjejnë dot brenda spitalit apo në Shqipëri.
Dhe kështu, mes “transformimeve hap pas hapi”, kanceri ecën shumë më shpejt se shteti./vna







