Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masat e sigurisë për zyrtarët dhe biznesmenët e akuzuar për dosjen e AKSHI-t.
Sipas vendimit të gjyqtarit Florjan Kalaja, drejtoresha e kësaj agjencie, Mirlinda Karçanaj u la në arrest shtëpie bashkë me zëvendësen e saj Hava Delibashi.
U la në fuqi gjithashtu masa e pezullimit nga detyra të zëvendës drejtorit të policisë Tiranë Erion Ismaili, detyrim paraqitje për 3 biznesmenët Gëzim Hoxha, Andis Papa dhe Rogers Rryta.
Njoftimi zyrtar:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 4 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve M.K, H.D,
E.I, R.Rr, A.P, G.H: “- Ankim kundër vendimit nr. 125, datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktim mase sigurimi personal. – Ankim kundër vendimit nr. 131, datë 18.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:
Verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personale shtrënguese për personat nën hetim M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H”, duke miratuar vendimin nr. 125, date 15.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt znj. H.D, z. E.I., z. G.H, znj. M.K, z. A.P dhe z. R.Rr dhe vendimin nr. 131, datë 18.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.







