Ballina Aktualitet Banorët e Durrësit protestojnë kundër Projektit TID: Jo prishjeve të banesave, duam...

Banorët e Durrësit protestojnë kundër Projektit TID: Jo prishjeve të banesave, duam dialog me bashkinë

42
0

Grupimi Qytetar kundër Projektit TID Durrës ka zhvilluar këtë të enjte protestën e radhës para bashkisë.

Anëtarët e familjeve që preken nga prishjet e banesave dhe bizneseve në zonën historike të qytetit kanë kërkuar sot nga institucioni i qeverisjes vendore, që të ulet në tryezë bashkëbisedimi me ta, ashtu siç ka rekomanduar edhe AADF gjatë takimit të zhvilluar me banorët më 19 janar.

Banorët janë kundër atyre që ata i konsiderojnë tentativa të bashkisë për t’u gjetur sistemime në banesa sociale.

Protestës së sotme ju bashkuan edhe eksponentë të Partisë Demokratike, si deputeti Igli Cara dhe kreu i degës lokale, Ardian Muka.

Në një prononcim për mediat, deputeti Cara dënoi heshtjen e bashkisë Durrës dhe e cilësoi korruptiv projektin që po zhvillohet nga institucionet shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Përfaqësuesit e familjeve që preken nga projekti  kërkojnë me ngulm ngritjen e një Komisioni Hetimor në Këshillin Bashkiak Durrës për verifikimin e procedurave, shkeljeve ligjore dhe mungesës së transparencës siç i konsiderojnë ata hapat e ndjekur nga bashkia dhe Ministria e Kulturës gjatë 5 viteve të fundit.