Ballina Aktualitet Kontrollet e OSHEE zbulojnë skemat e vjedhjes së energjisë

Kontrollet e OSHEE zbulojnë skemat e vjedhjes së energjisë

52
0

Kontrollet e fundit në terren nga OSHEE, kanw zbuluar se se disa biznese dhe subjekte tregtare paguanin energjinë elektrike me tarifa familjare, 8.5–9.5 lekë/kWh, ndërkohë që tarifa reale për bizneset është 14 lekë/kWh.

Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHEE Group, ka intensifikuar verifikimet për të përshtatur kontratat sipas sistemit të ri të tarifimit.

Inspektimet tregojnë se shumë prej këtyre rasteve burojnë nga regjistrime të vjetra ose nga mungesa e përditësimit të kontratave, edhe pse objektet përdoren për aktivitet ekonomik.

Në këtë proces përfshihen të gjithë ata që kryejnë veprimtari ekonomike në emër të një personi fizik ose juridik dhe përdorin energjinë për zyra, dyqane, punishte apo qendra shërbimi, si dhe organizatat jofitimprurëse që në praktikë konsumojnë energji si subjekte ekonomike.

Procesi nuk prek konsumatorët familjarë që e përdorin energjinë vetëm për qëllime banimi, të cilët nuk kanë nevojë të ndërmarrin veprime shtesë.

Për të rregulluar situatën, OSHEE ka nisur një proces të gjerë verifikimi dhe fton të gjitha bizneset, organizatat jofitimprurëse dhe individët që ushtrojnë aktivitet tregtar të kontrollojnë kategorinë e kontratës së tyre dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme.

Procesi kërkon plotësimin e një kërkese për ndryshim kategorie dhe dorëzimin e dokumenteve që vërtetojnë aktivitetin ekonomik, si NIPT ose ekstrakt nga QKB.

Ndryshimi mund të kryhet në sportelet e Kujdesit ndaj Klientit ose online, përmes platformave të OSHEE-së.

FSHU paralajmëron se bashkëpunimi me grupet e kontrollit është thelbësor për të shmangur penalitetet dhe për të garantuar një sistem tarifimi të drejtë dhe funksional për të gjithë konsumatorët.