Në një video-mesazh, Prek Molla, banori Baks-Rrjoll (Velipojë) duke iu drejtuar shqiptarëve në Amerikë, Angli dhe kudo në botë, kërkon ndihmën e tyre urgjente për një çështje pronësie.
“Hajdeni mbroni tokën tuaj,” shprehet ai, duke pranuar se emigrantët kanë familje dhe përgjegjësi në vendet ku jetojnë, por këmbëngul se “toka është më e shtrenjtë se toka e huaj”.
Ai thekson se kjo nuk është një përpjekje për të marrë pronën e dikujt tjetër, por për të mbrojtur “pronën e të parëve tanë”.
Në fjalën e tij, qytetari përmend se ekzistojnë dokumente që vërtetojnë të drejtën e tyre, të cilat janë paraqitur edhe në televizion, duke u zotuar se nuk do t’i zhgënjejë ata që i përgjigjen thirrjes.
Duke iu drejtuar në veçanti banorëve të Dukagjinit për mbështetjen e tyre, ai paralajmëron për një rrezik të afërt. Sipas tij, nëse një grup i papërcaktuar arrin ta marrë tokën në fjalë, ajo do të humbasë përgjithmonë.
“Leni për momentin punët që janë jashtë shtetit. Këtu, nëse këta e marrin këtë tokë, nuk jeni të zot më që ta merrni këtë tokë,” përfundon ai apelin e tij të përgjëruar, duke kërkuar që bashkatdhetarët t’u dalin zot tokave dhe familjeve të tyre.
Deklarata e plotë:
Përshëndetje bashkatdhetarë.
Të gjithë ju shokë, miq, që gjithsecili prej nesh e ka nga një mik e nga një shok.
Ju lutem, ejani, qofshi në Amerikë, qofshi në Angli, ku do nëpër botë që të jeni. Hajdeni mbroni tokën tuaj. Ju lutna shumë. Ju jeni vllaznit tanë. Unë e di sepse edhe ju keni familje atje. Edhe ju doni me mbajt familjen atje.
Por toka është më e shtrenjtë se toka e huaj ku jeni atje. Hajdeni në tokën tuaj. Ju lutem. Ju përgjërohem. Velipoja. Faleminderit Dukagjinas që na keni përkrahur.
Na jena turpru që nuk kemi ardh atje me u dal zot. Po ju kërkojmë falje në emër të tërë atyne burra.
Edhe ne do të vishim, edhe ne do të vijmë, veç ju lutem, të gjithë ata që janë, përkrah nesh. Hajdeni sepse ne nuk jemi duke kërkuar pronën e dikujt tjetër.
Po kërkojmë pronën e të parëve tanë. Besoj se e keni parë që në televizor letrat që kemi.
Nëse vini këtu ne nuk ju zhgënjejmë për ata që ju kemi treguar në dokumentat që kemi paraqitur. Prandaj ju lutem. Hajdeni na delni zot. Delni zot tokës tuaj.
DIlni ZOT familjes tuaj. Leni për momentin punët që janë jashtë shtetit se Italia, Gjermania apo ku do nëpër shtetet e botës, kanë punëtorë që e zëvendësojnë punën tuaj.
Por këtu nëse këta e marrin këtë tokë, nuk jeni të zot më që ta merrni këtë tokë. Ju lutem, ju përgjërohem. Hajdeni na delni zot. Faleminderit.







