KLGJ vendosi të mos vendosë asgjë lidhur me dosjen e gjyqtares Irena Maneku, të cilën ia kishte përcjellë Prokuroria e Përgjithshme.
Njëri nga anëtarët, që ashtu si të tjerët mendoi se çështja nuk i takon KLGJ-së, pati idenë të hartonte një shkresë “për kompetencë” dhe ia përcolli praktikën (në fotokopje) Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për të qenë të qartë: Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk vendos masa. Ai shqyrton rastin dhe, nëse mendon se magjistrati ka shkelur, propozon marrjen e masave disiplinore.
Magjistratët ndahen në dy kategori: magjistratë gjyqtarë dhe magjistratë prokurorë.
Për magjistratët gjyqtarë (si Maneku), Inspektori i Lartë, kur konstaton shkelje, propozon masat në KLGJ — pra në të njëjtën adresë ku Prokurori i Përgjithshëm u drejtua fillimisht.
KLGJ nuk tha në vendim se çështja duhet të shqyrtohej fillimisht nga ILD për të pritur më pas propozimin e tij. As nuk ia ktheu dosjen Prokurorisë së Përgjithshme duke sqaruar adresimin e gabuar. KLGJ thjesht u përgjigj: “nuk është puna jonë”, pa treguar se cili institucion duhet ta trajtojë praktikën.
Për magjistratët “prekurorë” — siç i quante dikur Gramoz Ruçi — masat propozohen në KLP; por për këtë histori mbetet për t’u parë se çfarë do të shpikë KLP kur t’i vijë radha.
Pra, jemi në pikën ku KLGJ tha se çështja e Manekut “nuk është e jona” dhe nuk e mori në shqyrtim dosjen e magjistrates. Ndërkohë, Inspektori i Lartë njoftoi se ka nisur shqyrtimin. Opsionet janë dy:
– ose ILD e mbyll çështjen pa hetim;
– ose e çon propozimin në KLGJ.
Që do të thotë: rikthim sërish te KLGJ.
Por çfarë i mbetet të bëjë kryetarit të KLGJ-së, që vetë bëri “ankesë” te Inspektori i Lartë?
Dhe ku ishte Inspektori i Lartë përpara ditës kur mori ankesën e KLGJ-së? Nëse e kishte në kompetencë, pse nuk veproi kryesisht?
Në gjithë këtë debat mes institucioneve të drejtësisë, një gjë është e qartë: ngecja e përgjegjësive derë më derë duket sporti më popullor i kryetarit të KLGJ-së Ilir Rusi dhe kryetarit të ILD-së Artur Metani. Të njohur vetëm për daljet e paqarta para komisioneve parlamentare, gjurma e vetme që po lënë është loja me të ngecurën.
Nëse këta janë të paaftë të merren me një çështje kaq të mprehtë dhe me interes publik, imagjinoni se si bllokohen nëpër zyra hallet e qytetarëve të thjeshtë.
Për më tepër, duke qenë drejtues institucionesh të lidhura ngushtë me mazhorancën — dhe duke parë pakënaqësitë tashmë publike të saj me sistemin e drejtësisë — ndoshta përmirësimi duhet të niste pikërisht nga ta.
Në vend që Ulsi Manja të dalë në studio televizive dhe t’u japë ultimatume prokurorëve e gjyqtarëve, do të ishte më e udhës që si kryetar i Komisionit të Ligjeve të përballej drejtpërdrejt me përgjegjësit institucionalë të kësaj situate.
Por këtu ka një kufi ligjor që shpesh anashkalohet në retorikën politike: Komisioni i Ligjeve nuk ka të drejtë të thërrasë në dëgjesë as kryetarin e KLGJ-së dhe as Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Këto institucione janë të pavarura dhe nuk i nënshtrohen kontrollit politik përmes seancave dëgjimore rutinë.
E vetmja mundësi reale që mazhoranca ka, nëse vërtet është e pakënaqur me funksionimin e reformës dhe rolin e ILD-së, është hapja e një komisioni hetimor parlamentar për të kërkuar shkarkimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Nëse PS mendon se sistemi po bllokohet, se përgjegjësit po shmangen dhe se reforma ka dështuar — le ta nisë pikërisht nga këtu. Jo me presione publike, jo me ultimatume televizive, por me mekanizmin kushtetues që ka në dorë.
Përndryshe, pakënaqësitë për reformën dhe dëshira për ndryshime bien aq shumë në sy sa duket qartë se halli nuk lidhet as me dosjet e pazgjidhura, as me numrin e lartë të të paraburgosurve.
Thënë shkurt: nuk e kanë hallin e njerëzve, por hallin e prangave që po u afrohen.
Nëse vërtet duan ta përmirësojnë reformën — dhe votat i kanë — mirë do të ishte t’i vinin gishtin kokës dhe ta nisnin nga vartësit e tyre. Të paktën do të dukej sikur kanë hallin e qytetarëve, jo të vetes.







