Ballina Kulturë “Dyert çë fjasën”/ Portat arbëreshe të pikturuara që rrëfejnë histori me ngjyra

“Dyert çë fjasën”/ Portat arbëreshe të pikturuara që rrëfejnë histori me ngjyra

18
0

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët sjell shembullin e komunës së Shën Benedhitit në Kalabri, ku është aplikuar projekti “Dyert çë fjasën”.

Portat e shtëpive arbëreshe janë pikturuar dhe secila prej tyre rrëfen një histori të caktuar dhe të kthen pas në shekuj. Përgjatë qendrës historike të komunës, portat e transformuara në vepra arti mbartin kujtesën e këtij komuniteti arbëresh dhe i japin dinjitetin e humbur shtëpive të pabanuara, që i ka mbuluar pluhuri i harresës duke ndërtuar një rrugëtim që të shpie drejt ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë kulturore arbëreshe.

“Dyert çë fjasën” (Porte Narranti) është një projekt inovacioni kulturor dhe social, që synon rigjallërimin e qendrave historike.

Projekti është financuar nga Rajoni i Kalabrisë dhe bazuar në një ide projekti të konceptuar nga Graziella Di Ciancio brenda administratës komunale të San Benedetto Ullano.

Ai angazhon artistë dhe komunitete për të lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e zonës. Projekti ka potencial për t’u bërë një nxitës i zhvillimit ekonomik, duke u mbështetur në të kaluarën, ndërsa shikon drejt së ardhmes dhe duke forcuar traditat.