Ballina Kulturë Një këngë shqip në Trolein e Athinës

Një këngë shqip në Trolein e Athinës

21
0

Nga Abdurahim Ashiku 

Isha qetësuar në karrigen e troleit 3 të Athinës, kur nga dera e mesit futet një burrë me një kitarë mbledhur pas gjoksit… Gjë e zakonshme në mjetet e transportit publik në Athinë; në autobusë, trolei, tram e më shumë në linjën hekurudhore Pire- Kifisia. Këngët të vijnë në greqisht, anglisht, italisht… Këngë mbi tela kitare, mbi tastiera fizarmonike, gërneta, violina… Këngë e melodi të kënduara drejtpërdrejt e nganjëherë mbi shirita magnetofoni që rrotullohen në bobinën e tyre dalë e ngadalë… I dëgjoj në heshtje dhe po në heshtje përcjell qeskën që varet mbi instrumente që ma sjellin tek flegrat e hundës si
ftesë për të hedhur qindarka. Në heshtje përcjell edhe thirrjet në hyrje të vagonëve të
trenit të njerëzve në gjysmë të moshës sime që lypin me lloj – lloj kartash në duar që thërrasin për ndihmë se …kanë shumë fëmijë… Nuk e zgjas dorën me monedhë në “gotë plastike” thjesht sepse unë në të shtatëdhjetë e gjashtat e jetës sime udhëtoj të kap kohën për të nxjerrë bukën e ditës si argat në një kopsht greku, kurse ai i fortë si div lyp… E shpërndava llafin. Harrova njeriun me kitarë në qendër të troleit që ia nisi një melodie të njohur, melodi që pasoi me vargje të pastra të një kënge të vjetër dashurie…
Ishte zëri i Anita Takes së rinisë time në zërin e një burri…

Ne u ndamë n ‘errësirë,
Jeta ndarje ka,
Porse zemra lamtumirë,
Zemrës nuk i tha…

E dëgjova me nostalgji për ato vite të rinisë time e për ato këngëtarë e këngëtare, zëri i të cilëve nuk shuhet kurrë në shpirtin e brezit tim. Kur u shkëput nga holli në hyrjen e mesit të autobusit dhe kaloi mes karrigeve, e thirra duke i zgjatur një monedhë metalike
50 qindarkash që mu ndodh midis vogëlsirave në xhep.
– Faleminderit i them që më solle një këngë të rinisë sime dhe e këndove shqip.
– Faleminderit! – mu drejtua me një buzëqeshje që më shumë dilte nga urimi shqip se sa nga monedha që bëri vend në dorën e tij.
– Nga je? – e pyes.
– Nga Vlora, më thotë me atë tingullin karakteristik të vlonjatit mes buzëve.
– Nga ç’vend i Vlorës?
– Brenda, nga Lagjja Çole.
– Lagje e njohur- e përcjell me buzëqeshje.
Shqiptarët tashmë një çerek shekulli në vend tjetër kanë bërë
rrënjë, kanë lëshuar degë, kanë nxjerrë lule e kanë lidhë fruta.
Tash pesëmbëdhjetë vjet kanë hapur kurse apo siç i quajnë shkolla, sepse me të vërtetë shkolla janë edhe pse janë pa mure e çati shkollash shqipe, dhe u mësojnë fëmijëve shkronjat, tingujt, këngët në gjuhën e nënës, vullnetarisht, pa asnjë lloj
stimuli material e moral. Tash sa kohë në festivale greke kënga shqipe, mbi valët e
isos labe apo telat e çiftelisë veriore gjithnjë e më shumë e më qartë ka bërë vend… Çdo vit grupe folklorike mërgimtarësh shqiptarë këndojnë e vallëzojnë në festivale të organizuara nga shoqata e grupime shoqatash në Athinë, Selanik dhe në të gjithë hapësirën tokësore e detare greke… Këngëtari nga lagjja Çole e Vlorës tash e ka mundë frikën që i rëndonte mbi telat e shpirtit vite më parë. Është integruar, me dokumente të rregullta deri në nënshtetësi greke Por në se ai dhe të tjerë e ka mundur, shteti shqiptarë është ende i frikësuar. Ka një çerek shekulli që emigrantët kërkojnë të kenë një qendër kulturore shqiptare, qendër ku të gjëmojë kënga, vallja dhe fjala e bukur shqipe, por askush nuk ua jep, askush nuk i përfill… Ka pesëmbëdhjetë vjet që nga 7 marsi i vitit 2001 që shkollimi vullnetar shqip, shkollim nga mësues me të vërtetë rilindës të kohës sonë, qëndron pezull, i ngrirë. Ata janë të panjohur zyrtarisht, pa ligj për ta nga shteti mëmë. Për ta nuk ka asnjë marrëveshje midis dy ministrive të arsimit që të shtunat dhe të dielat, shkollat greke ti kenë dyert e hapura që mësuesit të zhvillojnë mësim normal. Lere pastaj që në marrëveshje midis dy qeverive gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë në shkollat greke, më e pakta aq sa është ajo në vende të Bashkimit Evropian (Suedi, Norvegji, Gjermani, Austri, Zvicër…) anëtare e të cilit është Greqia. …Këngëtari nga lagjja “Çole” e Vlorës zbriti në stacionin para Muzeut Kombëtar të Greqisë. Zbriti për tu ngjitur në një tjetër trolei me këngën shqipe në gojë mbi tela kitare…