Ballina Kulturë 6 gjëra që mund të mos i dini për kalendarin Gregorian

6 gjëra që mund të mos i dini për kalendarin Gregorian

10
0

1.Qëllimi fillestar i kalendarit Gregorian ishte të ndryshonte datën e Pashkëve.

Në vitin 1582, kur Papa Gregori XIII prezantoi kalendarin Gregorian, Europa përdorte kalendarin Julian, i vendosur nga Jul Cezari në vitin 46 para Krishtit. Meqë sistemi i perandorit romak e llogariste gabim gjatësinë e vitit diellor me 11 minuta, kalendari kishte dalë nga përputhja me stinët. Kjo e shqetësonte Gregorin, sepse do të thoshte që Pashkët, të festuara tradicionalisht me 21 mars, largoheshin gjithnjë e më shumë nga ekuinoksi i pranverës çdo vit që kalonte.

2.Vitet e brishta nuk ndodhin realisht çdo katër vjet në kalendarin Gregorian.

Kalendari Julian shtonte një ditë ekstra në shkurt çdo katër vjet. Por Aloysus Lilius, shkencëtari italian që zhvilloi sistemin që Papa Gregori prezantoi në vitin 1582, e kuptoi se shtimi i kaq shumë ditëve e bënte kalendarin pak më të gjatë seç duhej. Ai krijoi një rregull që shton ditë të brishta në vitet që pjesëtohen me katër, përveç rasteve kur viti pjesëtohet edhe me 100. Nëse viti pjesëtohet edhe me 400, atëherë dita e brishtë shtohet gjithsesi. Edhe pse kjo formulë duket e ndërlikuar, ajo pothuajse e zgjidhi vonesën e krijuar nga sistemi i Cezarit.

3. Kalendari Gregorian ndryshon nga viti diellor me 26 sekonda në vit.

Pavarësisht metodës së zgjuar të Liliusit për ta përputhur kalendarin me stinët, sistemi i tij ka ende një gabim prej 26 sekondash në vit. Si pasojë, që nga viti 1582 është krijuar një diferencë prej disa orësh. Deri në vitin 4909, kalendari Gregorian do të jetë një ditë i plotë përpara vitit diellor.

4.Disa protestantë e shihnin kalendarin Gregorian si një komplot katolik.

Edhe pse dekreti i Papës Gregori për reformën e kalendarit nuk kishte fuqi jashtë Kishës Katolike, vendet katolike, përfshirë Spanjën, Portugalinë dhe Italinë, e miratuan shpejt sistemin e ri për përdorim civil. Protestanët europianë, megjithatë, e refuzuan kryesisht ndryshimin për shkak të lidhjes së tij me papatin, duke pasur frikë se ishte një përpjekje për të heshtur lëvizjen e tyre. Vetëm në vitin 1700 Gjermania protestante e pranoi kalendarin e ri, ndërsa Anglia priti deri në vitin 1752. Vendet ortodokse e mbajtën kalendarin Julian edhe më gjatë, dhe kishat e tyre kombëtare nuk i kanë pranuar kurrë reformat e Gregorit.

5. Miratimi i kalendarit Gregorian në Britani shkaktoi trazira dhe protesta, ndoshta.

Sipas disa tregimeve, qytetarët anglezë nuk reaguan mirë kur një akt i Parlamentit e çoi kalendarin përpara brenda natës nga 2 shtatori në 14 shtator 1752. Thuhet se protestuesit dolën në rrugë duke kërkuar që qeveria t’u “kthejë 11 ditët”. Megjithatë, shumica e historianëve sot mendojnë se këto protesta nuk kanë ndodhur ose janë ekzagjeruar shumë. Nga ana tjetër e Atlantikut, Benjamin Franklin e mirëpriti ndryshimin, duke shkruar: “Është kënaqësi për një njeri të moshuar të shkojë në shtrat me 2 shtator dhe të mos ketë nevojë të zgjohet deri me 14 shtator.”

6.Para miratimit të kalendarit Gregorian, viti i ri në Angli fillonte me 25 mars, ose Ditën e Zonjës.

Reforma e kalendarit nga Jul Cezari në vitin 46 para Krishtit e caktoi 1 janarin si ditën e parë të vitit. Gjatë Mesjetës, megjithatë, vendet europiane e zëvendësuan atë me data me rëndësi më të madhe fetare, si 25 dhjetori (dita e lindjes së Jezusit) dhe 25 marsi (Festa e Ungjillëzimit). Kjo e fundit, e njohur si Dita e Zonjës sepse nderon Virgjëreshën Mari, shënonte fillimin e vitit në Britani deri me 1 janar 1752.