Ballina Politika Gjyqi ndaj arkitektit Stefano Boeri/ Miku i Ramës del para gjykatës së...

Gjyqi ndaj arkitektit Stefano Boeri/ Miku i Ramës del para gjykatës së Milanos në 16 mars

34
0

Më 16 mars 2026 do të nisë në Milano procesi gjyqësor për çështjen “Bosconavigli”, kompleksi rezidencial në zonën San Cristoforo të Milanos, që ka qenë në qendër të hetimeve të prokurorisë për parregullsi urbanistike dhe ndërtimore.

E ka vendosur Gjykata e Milanos.

Të pandehurit, mes të cilëve edhe arkitekti i masterplanit të Tiranës, Stefano Boeri, akuzohen për parcelizim të paligjshëm dhe ndërtim pa plan zbatues të miratuar, ndërsa prokuroria vlerëson se projekti ka shkaktuar një dëm financiar prej rreth 5.5 milionë eurosh për arkën publike.

Në gjyq do të përballen arkitekti Stefano Boeri dhe Giovanni Da Pozzo, projektues; Marco Nolli, përfaqësues i shoqërisë Milano 5.0; Giorgio Cristoforo, përfaqësues i kompanisë Smv Costruzioni srl; Stefano De Cerchio, drejtor i punimeve; Giovanni Oggioni, drejtor i Zonës SUE të Bashkisë; Alberto Viaroli, përgjegjës i njësisë së konventave dhe zbatimit të planeve.

Rasti i Bosconavigli është alarm për Tiranën ku projektet e mëdha rezidenciale shpesh miratohen me procedura të diskutueshme dhe kontroll minimal urbanistik, duke krijuar pasoja sociale dhe financiare për qytetin.

Masterplani i Tiranês e gjithcka po ndodh me urbanistikën e këtij qyteti,  autorësia e të cilit është Boeri, ka polemika të ngjashme: mungesa e një plani zbatues të qartë, ndikimi mbi infrastrukturën dhe hapësirat publike, si dhe lidhjet e forta me qarqet politike kanë krijuar një model alarmi të menaxhimit urbanistik në kryeqytet.

Rastet si Bosconavigli në Milano mund të shërbejnë si paralajmërim për Tiranën ku pa mekanizma kontrolli, qyteti dhe qytetarët paguajnë çmimin e kaosit urbanistik e problemeve me pronën private.

Procesi në Milano do të hetojë përgjegjësitë e secilit të pandehur dhe pasojat e projektit mbi planifikimin urban dhe financat publike, duke krijuar një precedent të rëndësishëm për kontrollin e projekteve të mëdha dhe për menaxhimin e transparencës në qytetet europiane dhe shqiptare./Alba Kepi, Itali