Ballina Aktualitet Mbi 4.4 milionë euro kontrata me 3 studio ndërkombëtare për Arbitrazhet, KLSH...

Mbi 4.4 milionë euro kontrata me 3 studio ndërkombëtare për Arbitrazhet, KLSH gjen shkelje në procedurat e Avokaturës së Shtetit

37
0

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Avokaturën e Shtetit ka gjetur se procesi i kontraktimit të studiove ligjore për arbitrazhin ndërkombëtar gjatë viteve 2023–2024, me vlerë miliona euro, është zhvilluar në kushte të paqarta procedurale dhe pa standarde të mirëpërcaktuara.

Sipas të dhënave, Avokatura e Shtetit ka zhvilluar tri procedura për kontraktimin e studiove ligjore të huaja, me qëllim përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë në çështje arbitrazhi ndërkombëtar, duke angazhuar studiot “C. Ch”, “Wh & C” dhe “A & O” në procese me peshë të lartë financiare dhe juridike.
Sipas të dhënave zyrtare, kontrata me studion “C. Ch” kishte një vlerë prej 1,790,000 euro, nga të cilat janë paguar 156,867.52 euro, ndërsa procedura e arbitrazhit u ndërpre pas tërheqjes së paditësit dhe u përfundua me vendim tribunali më 11.12.2023, pa krijuar detyrime të mëtejshme financiare për shtetin.

Në rastin e dytë, kontrata me “Wh & C” kapte vlerën 1,999,998 euro, me pagesa të realizuara në masën 1,050,000 euro, ndërkohë që edhe kjo procedurë u mbyll pas tërheqjes së padisë, me urdhër ndërprerjeje nga tribunali në gusht 2024. Ndryshe nga dy rastet e para, kontrata me “A & O”, me vlerë 675,000 euro dhe pagesa të kryera deri në 130,000 euro, vijon të jetë aktive, pasi çështja e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Shqipërisë është ende në proces.
Megjithatë, auditimi i procedurave të ndjekura për këto kontraktime ka evidentuar problematika serioze në aspektin ligjor, administrativ dhe financiar. Raporti konstaton se, megjithëse procesi bazohet në VKM nr. 893, datë 18.11.2020, Avokatura e Shtetit nuk ka hartuar akte të brendshme nënligjore, si udhëzime apo rregullore, që të përcaktojnë qartë funksionimin e komisioneve, detyrat e anëtarëve, mënyrën e vendimmarrjes, dokumentimin e plotë të procedurave dhe rregullat për konfidencialitetin apo konfliktin e interesit.

Për pasojë, procesi i vlerësimit dhe renditjes së ofertave është zhvilluar pa një metodologji të miratuar zyrtarisht, duke u mbështetur në një formulë të ngjashme me atë të ofertës ekonomike, e cila nuk ishte e parashikuar shprehimisht për kriteret cilësore si përvoja profesionale, rastet e suksesshme apo eksperienca e stafit.
Auditimi ka vënë në dukje gjithashtu se anëtarët e komisioneve nuk kanë deklaruar mungesën e konfliktit të interesit në momentin e hapjes së ofertave, në kundërshtim me legjislacionin përkatës, ndërsa në procesverbalet e vlerësimit mungojnë shpjegime të detajuara mbi mënyrën e pikëzimit të subjekteve për kriteret profesionale.

Një tjetër problematikë e rëndësishme lidhet me formën juridike të kontratave, pasi, ndonëse procedurat janë zhvilluar në shqip dhe anglisht, kontratat me studiot ndërkombëtare janë hartuar vetëm në gjuhën angleze dhe pa përkthim të certifikuar, duke rrezikuar përputhshmërinë me kërkesat e Kushtetutës, Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Administrative.
Sipas raportit, këto mangësi përbëjnë shkelje të parimeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit, duke cenuar transparencën, llogaridhënien dhe sigurinë juridike në një fushë me impakt të drejtpërdrejtë në financat publike./ekofin.al