Një gjykatë në Hong Kong e dënoi të hënën biznesmenin e fuqishëm të mediave pro-demokracisë Jimmy Lai me 20 vjet burg për krime kundër sigurisë kombëtare, një dënim që organizatat për të drejtat e njeriut e cilësuan si “praktikisht një dënim me vdekje” dhe si simbol të tkurrjes së lirisë së shtypit.
Lai, shtetas britanik dhe themelues i gazetës tashmë të mbyllur ‘Apple Daily’, u shpall fajtor në dhjetor për nxitje të vendeve të huaja që të vendosnin sanksione ndaj Hong Kongut dhe për publikimin e artikujve ‘kryengritës’ në gazetën e tij.
78-vjeçari mori dënimin më të rëndë të dhënë ndonjëherë sipas ligjit të sigurisë kombëtare të imponuar nga Pekini, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 10 vitesh që iu dha juristit Benny Tai në vitin 2024.
Në një dokument përmbledhës, gjyqtarët thanë se vendosën dënimin prej 20 vjetësh “pasi morën parasysh natyrën serioze dhe shumë të rëndë të veprimeve kriminale të Lai”.
Dy nga këto vite do të mbivendosen me dënimin aktual që ai po vuan, që do të thotë se realisht do të duhet të vuajë edhe 18 vjet të tjera burg.
Lai, i cili ndodhet në burg që nga viti 2020, qëndroi i qetë në bankën e të akuzuarve teksa iu lexua vendimi, raportoi një gazetar i AFP nga salla e gjyqit.
Teksa po e shoqëronin jashtë, ai përshëndeti me dorë në heshtje personat në galerinë e publikut, përfshirë bashkëshorten e tij Teresa, ish-ipeshkvin e Hong Kongut Kardinal Joseph Zen dhe ish-gazetarë të “Apple Daily”.
I pyetur nëse dënimi ishte në përputhje me pritshmëritë, avokati i tij mbrojtës, Robert Pang, i tha AFP-së: “Në këto kohë, nuk e di çfarë të pres”.
Edhe organizatat për të drejtat e njeriut e cilësuan dënimin si një padrejtësi të rëndë.
“Dënimi i ashpër me 20 vjet burg ndaj 78-vjeçarit Jimmy Lai është praktikisht një dënim me vdekje. Një dënim i kësaj mase është mizor dhe thellësisht i padrejtë”, tha në një deklaratë Elaine Pearson, drejtoreshë për Azinë në Human Rights Watch.
Amnesty International e quajti rastin “një tjetër moment të zymtë në transformimin e Hong Kongut nga një qytet i qeverisur nga sundimi i ligjit në një qytet të sunduar nga frika”.







