Ballina Sport Como trondit Napolin, i eliminim nga Kupa, Conte “fshin” edhe Serie A:...

Como trondit Napolin, i eliminim nga Kupa, Conte “fshin” edhe Serie A: Gara për titull?: Të mos bëhemi qesharak…

39
0

40 vite pritje për t’u rikthyer në fazën gjysmëfinale të Kupës së Italisë, me Como-n që rishkruan historinë, këtë herë duke eliminuar Napolin. Pas zhgënjimit në Champions, Conte e sheh veten jashtë një tjetër turneu, tani i mbetet vetëm Serie A, por dhe aty janë shumë larg garës për titull. Como dhe Fabregas shijojnë një sukses të rëndësishëm, por tani, në gjysmëfinale i pret Inter.

Në “Maradona”, ishte pikërisht Como që kaloi e para në avantazh, me Baturina-n që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 39-të. Me fillimin e pjesës së dytë, Napoli u rikthye në lojë ku Vergara finalizoi me gol një aksion të bukur. Në minutën e 74-ët, Conte hodhi në fushë edhe të munguarin e madh, Romelu Lukaku-n, me belgun që mori vendin e Hojlund. Pjesa e mbetur e kohës së rregull nuk solli ndryshim në rezultat, me dy ekipet që iu drejtuan ruletës së penalltive. Nga pika e bardhë, nga tetë tentativa në total, Napoli gaboi në dy raste, ku Lukaku dhe Lobotka zhgënjen duke bërë që Como të shpërthente në festë për këtë kualifikim.

Pavarësisht eliminimit, Antonio Conte nuk i kurseu elozhet për djemtë e tij: “Nderim për këta djem që po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Vinim në këtë sfidë pasi kishim luajtur kundër Genoa-s para tre ditësh, ndërsa Como vinte pas 10 ditëve pushim. Fituam Superkupën në kushte emergjence, por kemi dhe një titull në CV. A është Napoli në kushte për të fituar Serie A? Jemi 9 pikë larg kreut. Inter po lundron, ndërsa janë në garë edhe Milan e Juventus. Të përpiqemi të jemi serioz edhe në pyetje, në të kundërt bëhemi qesharak”, u shpreh Conte pas ndeshjes.