Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës ka vendosur të heqë imunitetin e ish-Sekretarit të Përgjithshëm Thorbjørn Jagland, pas një kërkese zyrtare nga autoritetet norvegjeze për të vijuar hetimet lidhur me akuza për korrupsion të rënduar. Vendimi vjen pas publikimeve mediatike që nga nëntori 2025, të lidhura me dokumente të dala nga dosja penale e Jeffrey Epstein në SHBA.
Menjëherë pas këtyre zbulimeve, Sekretari i Përgjithshëm aktual, Alain Berset, urdhëroi një hetim të brendshëm administrativ informal në nëntor 2025 për të sqaruar rrethanat dhe për të verifikuar nëse kishte ndonjë përfshirje institucionale. Hetimi përfundoi në janar 2026.
Berset deklaroi se të gjitha veprimet janë ndërmarrë për të mbrojtur integritetin dhe reputacionin e Këshillit të Europës dhe se rekomandoi heqjen e imunitetit për t’i dhënë mundësi drejtësisë norvegjeze të bëjë punën e saj dhe Jagland të mbrohet në gjykatë, nëse ndiqet penalisht.
Çështja i është referuar gjithashtu Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Brendshme të Këshillit të Europës për të verifikuar nëse ka pasur dështime apo mangësi institucionale. Paralelisht, Berset ka nisur një rishikim më të gjerë të praktikave të qeverisjes institucionale.
Heqja e imunitetit u bë në bazë të kërkesës së datës 8 shkurt 2026 nga autoriteti norvegjez për hetimin e krimeve ekonomike dhe mjedisore (Økokrim). Komiteti i Ministrave theksoi se imuniteti diplomatik nuk jepet për përfitim personal, por për të garantuar pavarësinë e funksionit zyrtar, dhe se Këshilli i Europës do të bashkëpunojë me autoritetet kompetente për mbarëvajtjen e drejtësisë.







