Ballina Kuriozitete Gjashtë planete bëhen bashkë, çfarë pritet të ndodhë më 28 shkurt

Gjashtë planete bëhen bashkë, çfarë pritet të ndodhë më 28 shkurt

29
0

Të gjithë entuziastët e hapësirës do të kenë mundësinë të shohin spektaklin qiellor, ku Mërkuri, Venusi, Jupiteri, Urani dhe Neptuni do të rreshtohen më 28 shkurt, për një paradë të rrallë. Sipas NASA-s, fenomeni i njohur si paradaplanetare ndodh kur të paktën katër ose pesë planetë mund të shihen së bashku. Ajo ndodh sepse planetët rrotullohen rreth Diellit në afërsisht të njëjtin plan të sheshtë, të njohur si plani ekliptik.

Megjithëse nga perspektiva e Tokës disa prej planetëve duken sikur janë në të njëjtën vijë, në fakt secili planet lëviz me shpejtësi dhe distancë të ndryshme. Në këtë mënyrë, parada planetare është thjesht një efekt vizual, pasi në realitet planetët mbeten nga miliona deri në miliarda kilometra larg.

“Grupet prej tre, katër ose edhe pesë planetësh që janë të dukshëm nuk janë të rralla, duke u shfaqur rregullisht gjatë çdo viti… Por sa më shumë planetë të përfshihen, aq më shumë gjëra duhet të rreshtohen për të qenë të dukshme menjëherë. Kjo i bën paradat e plota me shtatë planetë mjaft të rralla”, shprehet Greg Brown, astronom në Royal Observatory Greenwich.

Sipas NASA-s, mundësitë për të parë shumë planetë mund të zgjasin për një periudhë nga një javë deri në më shumë se një muaj. Ajo që e bën 28 shkurtin të dallueshëm është fakti se planetët do të jenë të grupuar më ngushtë dhe shumë prej tyre mund të shihen së bashku në qiellin e mbrëmjes.

Vlen të përmendet se vetëm katër planetë do të mund të shihen me sy të lirë, Mërkuri, Venusi, Marsi dhe Jupiteri, ndërsa Urani dhe Neptuni do të mund të shihen vetëm me dylbi ose teleskop.

Parada planetare do të jetë e dukshme për njerëzit në të gjithë botën, por meqenëse 28 shkurti është një datë mesatare, shikuesit në pjesë të ndryshme të botës mund ta shohin paradën disa ditë para ose disa ditë pas asaj date.

Sipas aplikacionit për astronomi Star Walk, pamja më e mirë do të jetë më 25 shkurt për Sao Paulo, më 28 shkurt për Athinën, Nju Jorkun, Meksikon dhe Tokion, më 1 mars për Pekinin, Berlinin, Londrën dhe Mumbain, dhe më 2 mars për Reykjavikun.