Alarmi demografik i Shqipërisë sa vjen e thellohet. Vendi e mbylli vitin 2025 me 21.425 lindje dhe 20.245 vdekje, duke regjistruar një shtesë natyrore pozitive prej vetëm 1.180 personash.
Sipas të dhënave të INSTAT, lindjet në vitin 2025 rezultojnë: 4.662 në tremujorin e parë, 4.982 në të dytin, 6.408 në të tretin dhe 5.373 në të katërtin.Nga ana tjetër, vdekjet për vitin 2025 regjistrohen: 5.545 në T1, 4.934 në T2, 5.061 në T3 dhe 4.705 në T4, duke çuar totalin vjetor në 20.245 vdekje.
Rënie strukturore e lindshmërisë
Megjithatë, analiza e dinamikës tremujore tregon një realitet më kompleks. Tremujori i parë i vitit 2025 ishte negativ për bilancin natyror (më shumë vdekje se lindje), ndërsa rimëkëmbja erdhi kryesisht në gjysmën e dytë të vitit. Piku i lindjeve u shënua në tremujorin e tretë me 6.408 lindje, ndërsa niveli më i ulët në tremujorin e parë.
Në krahasim me fundin e vitit 2024, vetëm tremujori i tretë 2025 i afrohet niveleve më të larta të lindjeve, ndërsa tremujori i katërt mbetet ndjeshëm më poshtë se T4 2024 (6.019 lindje). Kjo konfirmon se tendenca afatmesme e lindshmërisë është në rënie.
Përqendrim demografik në Tiranë
Të dhënat e tremujorit të katërt tregojnë qartë polarizimin rajonal. Tirana dominoi me 2.589 lindje vetëm në tremujorin e katërt dhe një shtesë natyrore prej 1.547 personash. Ndërkohë, qarqe si Fieri rezultojnë me bilanc negativ.
Kjo prirje sugjeron se shtesa natyrore kombëtare mbështetet kryesisht në zonat urbane me migrim të brendshëm aktiv, ndërsa një pjesë e qarqeve po përballen me tkurrje strukturore të popullsisë.
Çfarë nënkupton për ekonominë?
Një shtesë natyrore prej vetëm 1.180 personash në një vit është minimaliste për një ekonomi që synon rritje të qëndrueshme. Në afat të gjatë, rënia e lindjeve do të ndikojë drejtpërdrejt në tkurrjen e forcës së punës; rritjen e presionit mbi skemën e pensioneve; ndryshimin e strukturës së konsumit; thellimin e diferencave rajonale.
Edhe pse 2025 mbyllet me “bilanc pozitiv”, trendi strukturor mbetet sfidues. Nëse lindshmëria nuk stabilizohet dhe emigracioni neto mbetet negativ, rritja ekonomike do të duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë tek produktiviteti dhe jo tek zgjerimi demografik.







