Ballina Kosovë Haradinaj nuk do të rikandidojë për kryetar të AAK-së, nis procesi i...

Haradinaj nuk do të rikandidojë për kryetar të AAK-së, nis procesi i zgjedhjeve të brendshme

28
0

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar se nuk do të rikandidojë për drejtimin e partisë në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në muajt në vijim.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, Haradinaj bëri të ditur se procesi zgjedhor brenda partisë do të zhvillohet nga 20 shkurti deri më 6 qershor. Ai theksoi se vendimi për të mos kandiduar vjen pas një periudhe të gjatë në krye të subjektit, që nga themelimi i tij në maj të vitit 2000, si dhe pas rezultateve jo të kënaqshme në dy proceset e fundit zgjedhore të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, AAK siguroi gjashtë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Haradinajt, deri më tani kandidaturën për kryetar të ri të partisë e ka shpallur Ardian Gjini, ndërsa nuk përjashtohen edhe kandidatura të tjera gjatë procesit zgjedhor.

I pyetur për një kandidim të mundshëm për president, Haradinaj u shpreh se nuk do të jetë në garë. Ndërkohë, lidhur me qëndrimin e AAK-së për një mandat të dytë të presidentes Vjosa Osmani, ai tha se partia ende nuk ka marrë një vendim.

Haradinaj është zgjedhur deputet në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës, e konstituuar së fundmi. Në zgjedhjet e dhjetorit, ai ishte kandidat i AAK-së për kryeministër. Në të kaluarën, Haradinaj ka ushtruar dy herë detyrën e kryeministrit të Kosovës.