Ballina Rajoni Kriza e strehimit në Greqi, qiratë jashtë kontrollit

Kriza e strehimit në Greqi, qiratë jashtë kontrollit

45
0

Vitin e kaluar, Eirini Syntihaki, 28 vjeçe, jetonte me qira në qendër të Athinës, pranë miqve, punës dhe kafeneve të lagjes.

Kur shoqja e apartamentit u largua, pronarët vendosën të rrisnin qiranë, e cila tashmë arrinte në 700 euro, pothuajse sa të ardhurat mujore të saj.

E detyruar të mbijetojë, Eirini u largua nga shtëpia dhe u zhvendos te e motra. “Në fund të ditës shkojmë të flemë të rraskapitur dhe të lodhur mendërisht, sepse jetojmë vetëm për të paguar qiranë”.

Problemi nuk është i izoluar. Sipas ekspertëve të politikave sociale, një pjesë shumë e madhe e familjeve në Greqi shpenzon mbi gjysmën e të ardhurave për strehim.

“Gjysma e familjeve në Greqi përballet me problem strehimi, sepse mbi 50% e të ardhurave shkojnë për qira dhe shpenzime banese. Në shtresat më të ulëta, kjo përqindje i afrohet 100%”, tha Nikos Kourahanis, profesor i politikave sociale.

Kërkesa për banesa është shumë më e madhe se oferta.

Agjentët imobiliarë raportojnë se për një apartament paraqiten qindra persona për ta parë. Konkurrenca e fortë i shtyn çmimet në rritje dhe e bën gjetjen e një shtëpie të përballueshme pothuajse të pamundur.

“Qiramarrësit sot janë si njerëzit që prisnin në radhë për bukë në vitet ’40. Atëherë prisnin për ushqim; sot, Greqia duket sikur po pret në radhë për një shtëpi”, u shpreh Themistokles Bakas, agjent imobiliar.

Në moshën 33-vjeçare, kuzhinieri Ilias Daskalopoulos jeton ende me prindërit, sepse qiratë e larta dhe kostot e energjisë e bëjnë të pamundur një shtëpi më vete.

Ngrohja në dimër dhe energjia elektrike janë kthyer në luks.

“Është e turpshme të thuash që në moshën 33-vjeçare jeton me prindërit. Nuk ndihem mirë; duket sikur nuk qëndroj në këmbët e mia. Sot, ngrohja dhe drita janë bërë luks. Kur ishim më të rinj, nuk shihnim dritë në horizont. Tani që jemi pak më të rritur, sërish nuk shohim”, tha Ilias Daskalopoulos.

Rrënjët e krizës shkojnë pas në vitet e krizës financiare 2009–2018, kur ndërtimi u ndal.

Sot mungojnë rreth 180 mijë banesa për qira ose shitje në qytetet e mëdha. Programet e vizave të arta për investitorët e huaj dhe shndërrimi masiv i banesave në qira afatshkurtra për turizëm e kanë thelluar mungesën.

Në Athinë, mijëra prona janë kaluar në këtë treg, duke ulur ofertën për banorët vendas. Ndërsa ekonomia greke po rimëkëmbet pas krizës së gjatë, shumë qytetarë po mbeten pas. Rritja e qirave ka tejkaluar rritjen e pagave. Familjet shpenzojnë gjithnjë e më shumë për strehim dhe gjithnjë e më pak për ngrohje, argëtim apo ushqim.

Qeveria ka nisur subvencione për qiratë për disa kategori me të ardhura të ulëta, por në terren ndikimi mbetet i kufizuar. Ekspertët e tregut vlerësojnë se, me ritmin aktual të ndërtimit, do të duhen të paktën pesë vite për të mbuluar mungesën e banesave.