Nga një fasoneri ku mijëra produkte përgatiten për tregjet europiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti alarmin për atë që e cilësoi si “kolaps total” të sektorit të prodhimit fason, një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend dhe një shtyllë kyçe e eksporteve shqiptare.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku analizoi shkaqet që, sipas saj, kanë çuar sektorin drejt krizës, duke paralajmëruar se bashkë me një grup deputetësh do të paraqesë një paketë konkrete masash për ta nxjerrë fasonerinë nga situata e rëndë.
“Sektori që ka vuajtur më shumë problemet e ekonomisë, sektori që sot është në një kolaps total, është sektori i prodhimit fason,” – deklaroi ajo.
Sipas Tabakut, kriza e fasonit nuk është e papritur dhe as e izoluar, por rezultat i tre faktorëve të kombinuar që kanë rritur ndjeshëm kostot dhe kanë ulur konkurrueshmërinë:
1. Rritja e pagës minimale dhe e sigurimeve shoqërore.
Ajo argumentoi se rritja e pagës minimale ka sjellë rritje të menjëhershme të sigurimeve që paguhen nga punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke shtuar me rreth 30% barrën e kostove për sektorin.
“Kjo e ka rritur ngarkesën e shpenzimeve me 30%, që do të dalin nga xhepi i punonjësve dhe punëdhënësve,” – theksoi Tabaku.
2. Taksimi i inputeve me 8–15%.
Deputetja e PD tha se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që aplikon këtë nivel taksimi për inputet e prodhimit, duke e bërë produktin shqiptar më të shtrenjtë dhe më pak konkurrues në tregjet ndërkombëtare.
“Në total, taksat e rrisin me 30% shtesë koston e produkteve,” – u shpreh ajo.
3. Zhvlerësimi i euros.
Sipas Tabakut, rënia e euros ka pasur “pasoja katastrofike” për eksportuesit, pasi të ardhurat realizohen në euro, ndërsa kostot paguhen në lekë.
“30% shtesë vjen në këto produkte të zhvlerësuara vetëm si rezultat i euros,” – deklaroi ajo, duke shtuar se kjo është arsyeja pse shumë produkte shqiptare nuk po shiten dot jashtë.
Në fund të deklaratës së saj, deputetja e PD paralajmëroi një nismë konkrete nga opozita.
“Ne duhet ta shpëtojmë këtë sektor me politika konkrete, me masa konkrete. Për këtë arsye, bashkë me një grup kolegësh, do të sjellim një paketë propozimesh për ta nxjerrë sektorin nga kriza,” – u shpreh ajo.
Tabaku ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme shqetësimin për rënien e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas dhe për ndikimin e politikave fiskale dhe monetare tek eksportuesit. Vizita e sotme në fasoneri shihet si pjesë e kësaj linje qëndrimesh, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë masat konkrete që opozita do të propozojë në Kuvend për një nga sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë shqiptare.







