Ballina Sport Inter “vrapon” drejt titullit, Juve e “tërbuar” ndaj arbitrit La Penna, emocionet...

Inter “vrapon” drejt titullit, Juve e “tërbuar” ndaj arbitrit La Penna, emocionet dhe polemikat e derbit të Italisë nuk përfundojnë kurrë

36
0

Mbrëmje emocionesh të jashtëzakonshme në “Derby d’Italia”, polemika pa fund pas kartonit të dytë të verdhë ndaj Kalulu, por në fund festoon Inter, i cili mposht 3-2 Juventus në javën e 25-të të Serie A, falë një goli dramatik në minutën e 90-të nga Piotr Zieliński.

Zikaltërit e nisin më mirë sfidën dhe kalojnë në avantazh në minutën e 17-të: krosimi i Luis Henrique devijohet fatkeqësisht nga Andrea Cambiaso, duke mos i lënë asnjë shans portierit Michele Di Gregorio. Por reagimi bardhezi është i menjëhershëm: në minutën e 26-të, Cambiaso shlyen gabimin, duke finalizuar saktë pas asistit të Weston McKennie për 1-1.

Interi shton presionin dhe godet dy herë shtyllën, por episodi që ndryshon rrjedhën e takimit vjen në minutën e 42-të. Pierre Kalulu, i ndëshkuar më herët me karton të verdhë, përjashtohet pas një ndërhyrjeje ndaj Alessandro Bastoni. Pamjet tregojnë mungesë kontakti, por VAR-i nuk ndërhyn për shkak të protokollit dhe Juventusi mbetet me dhjetë lojtarë për gjithë pjesën e dytë.

Epërsia numerike jep efekt në minutën e 76-të: Sebastiano Esposito realizon me kokë pas një asistimi perfekt nga Federico Dimarco, duke rikthyer avantazhin për vendasit.

Por “Zonja e Vjetër” nuk dorëzohet. Në minutën e 83-të, Manuel Locatelli lëshon një goditje të fortë nga distanca që surprizon Yann Sommer, për 2-2 dhe një finale të zjarrtë në “San Siro”.

Dhe kur gjithçka dukej e mbyllur, në minutën e 90-të shpërthen stadiumi: Zieliński godet saktë nga jashtë zonës dhe mposht Di Gregorion për 3-2. Interi rikthehet në +8 pikë nga Milan, ndërsa Juventusi del nga fusha me kokën lart pas një pjese të dytë heroike, por me polemika të forta që pritet të vazhdojnë gjatë.

Spalletti, Damien Comoli dhe Giorgo Chiellini nuk u përmbajtën me deklarata tepër të forta pas ndeshjes, duke mos dashur të flitet për futboll, pas kësaj ndeshje. Sipas tyre gafa e rëndë e arbitrit La Penna ndikoi në rezultatin e ndeshjes, me futbollin italian që ka humbur shumë pas kësaj sfide.

Edhe gazetat prestigjoze italiane kishin ditën e sotme në qendër pikërisht polemikat në derbin e Italisë. “Inter vrapon drejt titullit, Juve e tërbuar” shkuaan “La Gazzeta dello Sport”. Më të ashpra dy gazetat e tjera “Corrierre dello Sport” dhe “Tuttosport” që shkuajnë: “Dëmtimi, prishet derbi” dhe “Kështu është e thjeshtë të fitosh”.