Ballina Politika Ligji nuk ndryshohet për të shpëtuar pushtetin. Gazment Bardhi akuzon Edi Ramën...

Ligji nuk ndryshohet për të shpëtuar pushtetin. Gazment Bardhi akuzon Edi Ramën për ndërhyrje politike në drejtësi

105
0

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas nismës së kryeministrit Edi Rama për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke e cilësuar atë si një lëvizje të motivuar nga frika dhe jo nga parimi.

Sipas Bardhit, përpjekja për ta kthyer një hetim penal ndaj Belinda Ballukut në debat teorik për ndarjen e pushteteve synon të shmangë thelbin e çështjes. Ai thekson se pezullimi nga detyra është një masë e parashikuar në ligj, që nuk paralizon institucionin dhe nuk shkarkon funksionarin, por synon të mbrojë procesin penal nga ndikimet.

Bardhi argumenton se ndryshimi i ligjit pikërisht në momentin kur Kuvendi duhet të shqyrtojë kërkesën për arrest të Ballukut përbën ndërhyrje politike për të dobësuar hetimin dhe për të krijuar imunitet për pushtetin. Sipas tij, në vendet e BE-së dhe SHBA-së, zyrtarët që përfshihen në hetime japin dorëheqjen dhe nuk ndryshojnë ligjet për të mbrojtur pozitat e tyre.

Ai nënvizon se çështja kryesore mbetet kërkesa për arrest e Belinda Ballukut, e cila, sipas opozitës, po zvarritet prej muajsh në Kuvend. Bardhi kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe votimin e Parlamentit, duke theksuar se respekti ndërkombëtar fitohet përmes respektimit të shtetit ligjor dhe jo përmes “fotografive ceremoniale”.