Ballina Dossier Dokumenti që refuzoi faljen. Si u vendos ekzekutimi i Lef Nosit, Harapit...

Dokumenti që refuzoi faljen. Si u vendos ekzekutimi i Lef Nosit, Harapit dhe Bushatit nga prokurori Misto Treska

104
0

VNA sjell këtë herë në rubrikën “Histori të harruara” një nga episodet më të debatueshme dhe më të dhimbshme të historisë shqiptare të pasluftës: dokumentet që vulosën dënimin me vdekje të Lef Nosi, Pader Anton Harapi dhe Maliq Bushati, tre figurat që u shpallën regjentë kolaboracionistë dhe u ekzekutuan më 15 shkurt 1946.

Tetëdhjetë vite më parë, në një Shqipëri që po dilte nga lufta dhe po hynte në një rend të ri politik, drejtësia ushtarake u kthye në instrumentin që do të mbyllte llogaritë me të shkuarën. Dokumenti i Gjykatës së Lartë Ushtarake, që refuzon faljen e jetës së Lef Nosit dhe miraton vendimin e dënimit me vdekje të dhënë nga Gjykata Ushtarake e Tiranë, mbetet sot një dëshmi e ftohtë burokratike e një vendimi që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë personale të tyre por dhe të vendit.

Në këto faqe të zverdhura nga koha lexohet gjuha e ashpër e epokës: akuza për bashkëpunim me pushtuesit, përfitime politike dhe ekonomike, dhe përgjegjësi morale për fatin e vendit gjatë okupacionit. Në anën tjetër qëndron kërkesa e prokurorit Misto Treska, emrin e të cilit sot për ironi të fatit mban një bibliotekë në kryeqytet — një kontrast që e bën historinë edhe më reflektuese për mënyrën si kujtesa kolektive zgjedh të ruajë kriminelët dhe të harrojë heronjtë dhe patriotët.

Ekzekutimi i tre personaliteteve të shquara nuk ishte vetëm fundi fizik i tre figurave publike. Ai ishte edhe një mesazh politik i kohës: mbyllja përfundimtare e një kapitulli dhe nisja e një epoke të re, ku interpretimi i së kaluarës do të shkruhej nga komunistët. Për një pjesë të historisë së diktaturës ata mbetën simbol i bashkëpunimit me pushtuesin; për të tjerë, figura komplekse të një kohe të ndarë mes zgjedhjeve të pamundura.

Sot, pas tetë dekadash, dokumentet flasin më qartë se retorika e kohës. Ato na kujtojnë se historia nuk është vetëm kronologji ngjarjesh, por edhe dramë njerëzore, vendime të pakthyeshme dhe pyetje që mbeten të hapura: a ishte drejtësi, hakmarrje politike apo një përzierje e të dyjave?

Në rubrikën “Histori të harruara”, VNA rikthen këtë moment jo për të gjykuar sërish, por për të kujtuar se pas çdo firme në një dokument zyrtar fshihet një jetë dhe një epokë e tërë që ende duhet të shfletohet dhe prezantohet me vërtetësi.

Dokumenti që refuzoi faljen. Si u vendos ekzekutimi i Lef Nosit, Harapit