Ballina Bota I akuzuari për sulmin me 15 të vrarë në Australi del për...

I akuzuari për sulmin me 15 të vrarë në Australi del për herë të parë para gjykatës, 59 akuza ndaj tij

75
0

I akuzuari për sulmin me armë në Bondi Beach, Naveed Akram, është paraqitur për herë të parë në gjykatë të hënën, dy muaj pasi ai dhe babai i tij dyshohet se kryen sulmin më vdekjeprurës masiv në Australi në gati 30 vjet.

24-vjeçari u paraqit në një gjykatë në Sydney për rreth pesë minuta përmes një lidhjeje video nga burgu. Ai përballet me 59 akuza që lidhen me sulmin në Bondi Beach, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për kryerje të një akti terrorist.

Sipas autoriteteve, Naveed dhe babai i tij, Sajid Akram, sulmuan një aktivitet të Hanukkah më 14 dhjetor në plazhin e njohur, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur më shumë se 40 të tjerë.

Sajid, 50 vjeç, u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje, ndërsa Naveed u plagos rëndë dhe më pas u transferua nga spitali në burg.

E hëna ishte hera e para herë që Akram u pa në ekran dhe foli që nga arrestimi i tij, duke thënë vetëm një fjalë kur Zëvendëskryegjyqtarja Sharon Freund e pyeti nëse e dëgjoi diskutimin për zgjatjen e urdhrave të ndalimit të publikimit: “Po”.

Urdhrat gjyqësorë mbulojnë identitetet e personave që i mbijetuan sulmit, por u lejojnë atyre të vetëidentifikohen nëse dëshirojnë.

Jashtë gjykatës, avokati i Akramit, Ben Archbold, tha se është ende herët për të përcaktuar se çfarë deklarimi do të bëjë klienti i tij, sipas Australian Broadcasting Corporation.

Ai shtoi se Akram po përballon situatën “aq mirë sa mund të pritet” gjatë qëndrimit në burgun e sigurisë së lartë në Goulburn.

“Gjithkush e di që është burg supermax… me kushte shumë të rënda,” u tha Archbold gazetarëve.

I pyetur nëse Akram ka dhënë një intervistë për policinë, ai u përgjigj: “Kemi nisur vetëm procesin. Po presim dosjen e akuzës. Nuk kam asgjë më shumë për të thënë.”

Dokumentet gjyqësore të publikuara në fund të dhjetorit pretendojnë se dy të dyshuarit e planifikuan “me kujdes” sulmin për muaj të tërë dhe vizituan vendin për vëzhgim dy ditë para ngjarjes.

Një video e regjistruar në një nga telefonat e tyre celularë në tetor, përshkruhet si pamje ku burrat qëndrojnë përpara një imazhi të flamurit të grupit të Shtetit Islamik (IS).

Sipas policisë, ata dëgjohen duke bërë deklarata për motivet e sulmit dhe duke dënuar “aktet e ‘zionistëve’”.

Pamje të tjera nga tetori, sipas autoriteteve, tregojnë babë e bir duke zhvilluar stërvitje me armë zjarri në një zonë rurale, që besohet të jetë në Uellsin e Ri Jugor, ku shihen duke qëlluar me armë gjahu dhe duke lëvizur në mënyrë taktike.

Autoritetet konfirmuan më herët se mes viktimave të sulmit në Bondi Beach ishin dy rabinë, një i mbijetuar i Holokaustit dhe një vajzë 10-vjeçare. Akram pritet të dalë sërish para gjykatës në prill.