Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka bërë akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te zhvillimet e fundit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Berisha deklaroi se në krye të AKSHI-t është vendosur Igli Tafa, të cilin e cilësoi si “vegël të klanit të Surrelit”. Sipas tij, Tafa ka qenë drejtor i sigurisë kibernetike dhe autor i një tenderi prej 75 milionë eurosh, për të cilin opozita ka ngritur akuza për parregullsi.
Sipas Berishës, AKSHI po shndërrohet në një “ndërmarrje shtetërore private” ku, sipas tij, kontrolli ushtrohet nga rrethi i afërt i kryeministrit. Ai akuzoi Ramën se nuk heq dorë nga pushteti për të mbrojtur, siç u shpreh, “vjedhjet e tij”.
Në deklaratën e tij, Berisha bëri gjithashtu thirrje që autoritetet të hetojnë atë që ai e cilësoi si qëndrim kërcënues të kryeministrit ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ai kërkoi verifikimin e telefonatave, përfshirë ato të bëra pas mesnate, duke pretenduar se janë ushtruar presione për çështje të caktuara në shqyrtim.
Berisha theksoi se, sipas tij, këto veprime duhet të hetohen me urgjencë nga organet kompetente.
“Dua t’iu njoh me disa zhvillime të fundit. Në krye të kopshtit privat të tij, AKSHI-t, vendoset famëziu Igli Tafa. Cfare përfaqëson ai? Drejtorin e cybersecurity, i cili është dhe autori i tenderit 75 milionë euro për baxhanakun e Ramës, apo kunatin e florinjtë të Linda Ramës, ku nuk vërtetohet asnjë shpenzim përveç plaçkitjes së 75 milion eurove. Pra, igli Tafa është një kukull, vegël e klanit të Surrelit që do të mbajë me çdo çmim AKSHI-n nga ku kanë plaçkitur qindra miliona euro, Igli Tafa ka patur një rrogë dy herë më të madhe dhe Rama ka marrë përsipër t’i rregullojë rrogën.
Rama po krijon tani AKSHI-n si ndërmarrje shtetërore private ku duart e zeza të klanit të Ramës shtrihen dhe e kapin krejtësisht. Rama nuk heq dorë nga vjedhja kurrë. Është i gatshëm të rrijë deri në fund në pushtet që të vjedhë deri në palcë qytetarët. I bëj thirrje autoriteteve të hetojnë qëndrimin e tij kërcënues ndaj gjykatësve kushtetues, të hetohen telefonatat e tij të bëra edhe pas mesnate, kërcënimet e tmerrshme që u janë bërë gjykatësve që të votojnë për rrëzimin e ankimimit.
Janë lehtësisht të gjetshme dhe ndaj kërkoj hetimin me urgjencë, marrjen e tabulateve të numrave të familjes së tij, telefonata të bëra pas mesnate e tregojnë atë si një padrino, një njeri që është i gatshëm të shkelë cdo ligj e rregull për të mbrojtur vjedhjet e tij”, tha Berisha.







