Ballina Ekonomia Mbi 11 milionë euro grante KESH-it për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës,...

Mbi 11 milionë euro grante KESH-it për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës, 1 milionë euro do shpenzohen vetëm për ekspertizë

86
0

Qeveria shqiptare ka miratuar dy marrëveshje të rëndësishme granti me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW, me një vlerë totale prej 11,120,000 euro, në funksion të rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës dhe mbështetjes teknike për këtë projekt strategjik të sektorit energjetik. Këto dy grante shoqërojnë marrëveshjen e kredisë me vlerë 40 milionë që KESH i ka marrë KfW.

Grant prej 10.12 milionë euro për rehabilitimin e hidrocentralit

Marrëveshja kryesore parashikon një grant në shumën 10,12 milionë euro, i cili do të përdoret për masa konkrete që lidhen me rehabilitimin e përgjithshëm të hidrocentralit të Fierzës. Fondet jepen nga KfW dhe kanalizohen përmes Ministrisë së Financave tek Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), si agjencia e zbatimit të projektit, dhe janë të pakthyeshme, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në marrëveshje.

Disbursimi i këtij granti do të bëhet në përputhje me ecurinë e projektit dhe vetëm me kërkesë të KESH-it, ndërsa banka KfW mund të refuzojë disbursimet pas datës 30 gusht 2030.

Marrëveshja parashikon gjithashtu se disbursimi mund të pezullohet në rast se nuk përmbushen detyrimet kontraktuale, fondet nuk përdoren sipas qëllimit, ose nëse ndodhin shkelje ligjore, financiare apo rrethana të jashtëzakonshme që rrezikojnë projektin. Në këto raste, KfW ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e menjëhershme të shumave të disbursuara, veçanërisht për fondet që nuk provohet se janë përdorur sipas marrëveshjes ose që nuk janë shpenzuar në mënyrë të ligjshme.

1 milion euro shtesë për ekspertizë dhe shërbime mbështetëse

Në një marrëveshje të dytë, qeveria ka miratuar një grant shoqërues në vlerën 1 milion euro, i cili do të përdoret për shërbimet e ekspertit në funksion të projektit të rehabilitimit të hidrocentralit të Fierzës. Këto fonde do të mbulojnë shërbimet konsulente dhe kostot përkatëse teknike, duke përfshirë edhe shpenzimet në valutë të huaj.

Edhe në këtë rast, fondet disbursohen sipas ecurisë së shërbimeve dhe me kërkesë të KESH-it, ndërsa KfW ka të drejtë të refuzojë disbursime pas datës 30 dhjetor 2030.

Marrëveshja parashikon se disbursimet mund të pezullohen dhe grantet mund të kërkohen të kthehen nëse fondet nuk përdoren për qëllimin e përcaktuar, nëse nuk përmbushen detyrimet e marrëveshjes, ose në rast rrethanash që rrezikojnë zbatimin e projektit. Në këto raste, banka financuese mund të kërkojë kthimin e menjëhershëm të shumave të disbursuara.

Dy grantet janë pjesë e një pakete më të gjerë financimi ndërkombëtar për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, një nga impiantet kryesore të prodhimit të energjisë në Shqipëri. Projekti synon përmirësimin e sigurisë, efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së prodhimit energjetik, ndërsa financimi mbështetet nga KfW dhe Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor. Vendimet kanë hyrë fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./ekofin.al