Ballina Aktualitet Dielli perëndoi përgjithmonë për Prof.Dr. Titi Tamburin

Dielli perëndoi përgjithmonë për Prof.Dr. Titi Tamburin

93
0

Doktor Profesor Titi Tamburi u nda nga jeta katër ditë më parë, duke lënë pas një kontribut të çmuar në mjekësinë shqiptare. Ai ishte një nga figurat më të shquara të kësaj fushe, një pedagog i përkushtuar si dhe një njeri me zemër të madhe.

Lidhur me ndarjen e tij nga jeta, në një reagim në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në postimin e tij, Berisha vlerëson figurën dhe kontributin e çmuar të profesor Tamburit, i cili u nda nga jeta në Kanada.

Sipas Berishës, profesor Tamburi ishte një klinicist i shkëlqyer në fushën e neurologjisë, me kontribute të veçanta në ngritjen e reanimacionit të klinikës, si dhe një studiues e kërkues shkencor i talentuar.

Berisha e vlerëson shumë atë në rolin e pedagogut, duke theksuar se dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në brezat e rinj.

“Përtej mantelit të bardhë, Titi Tamburi ishte një qytetar fisnik, prind dhe bashkëshort i dashur e shembullor. Ai ishte një mik i çmuar, i cili me virtytet e larta, sinqeritetin dhe njerëzinë e tij, të bënte krenar që me miqesine e tij,” thekson në postim Berisha.

Gjithashtu, ai thekson se edhe në përballjen me sëmundjen, profesor Tamburi tregoi forcë dhe dinjitet.

Postimi i Plotë i Berishës: 

Dielli perëndoi përgjithmonë për Prof.Dr. Titi Tamburin.Të dashur miq,

Prof. Dr. Titi Tamburi, një nga personalitetet më të shquara të mjekësisë sonë, mbylli sytë përgjithmonë larg atdheut, në Kanada. Prof. Dr. Titi ishte një humanist i madh dhe një nga mjekët më të njohur të gjeneratës së tij; një klinicist i shkëlqyer në fushën e neurologjisë, me kontribute të veçanta në ngritjen e reanimacionit të klinikës, si dhe një studiues e kërkues shkencor i talentuar.

Ai trajtoi, diagnostikoi dhe mjekoi me kompetencë, përkushtim dhe humanizëm mijëra e mijëra të sëmurë me neuropatologji të ndryshme. Si pedagog i aftë, Prof. Dr. Titi dha një kontribut të çmuar në përgatitjen e studentëve dhe mjekëve të rinj. I specializuar në klinikat më të mira të Europës, ai mbeti deri në fund një kërkues shkencor i apasionuar.

Me aftësitë e tij, trashëgiminë shkencore dhe publikimet e shumta serioze, Prof. Titi Tamburi zuri një vend nderi në universitetet më të mira në Kanada dhe SHBA:

• Në Kanada: Udhëhoqi doktoraturat e studentëve (PhD) të psikologjisë në Universitetin e Windsor-it, si profesor i Kurseve Pasuniversitare të Neuropatologjisë, Diagnozës Neurologjike, Neuroanatomisë, Neurofiziologjisë dhe Neurobiokimisë.

• Në SHBA: Nga viti 2000 deri në fillim të vitit 2025, shërbeu si pedagog i lëndëve Patofiziologji, Anatomi dhe Fiziologji në fakultetin në Michigan.

Përtej mantelit të bardhë, Titi Tamburi ishte një qytetar fisnik, prind dhe bashkëshort i dashur e shembullor. Ai ishte një mik i çmuar, i cili me virtytet e larta, sinqeritetin dhe njerëzinë e tij, të bënte krenar që me miqesine e tij.

Mbi të gjitha, ai ishte një shqiptar i vërtetë, një atdhetar i flaktë që e deshi aq shumë këtë vend dhe një demokrat me shpirt që në fillimet e proceseve demokratike. Edhe në përballjen me sëmundjen, ai u tregua një hero i vërtetë; vetëm pak javë para ndarjes nga jeta, gjeti forcën të vinte për një vizitë lamtumire në dheun e tij të dashur dhe te miqtë e tij.

Në Kanada, në dheun e tij të dytë, familja së bashku me qindra bashkatdhetarë, miq, studiues dhe parlamentarë kanadezë, i dhanë lamtumirën e dinjitoze që meritonte.

E kam pasur fatin ta njoh Titi Tamburin që në vitet e studimeve universitare. Do ta ruaj plot dashuri, nderim dhe mirënjohje të thellë kujtimin e një miku fisnik që nuk do ta harroj kurrë.

Me këtë rast, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të mrekullueshme, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve dhe të gjithë miqve. I lutem Zotit se bashku me ta që shpirti i mirë i Dr. Titit të gjejë paqen e merituar. U prehtë në paqe! Amin.