At Karl Serreqin ishte françeskan shqiptar, martir i rrëfimit, shpallur i lum më 5 nëntor 2016 në Shkodër.
Për të, faqja e shenjtorëve dhe e të lumëve “santiebeati”, shpjegon se e ushtroi misionin e tij si meshtar në zonat malore të Shqipërisë, aty ku sivëllezërit e tij në fe punonin për të ruajtur e përçuar traditat e lashta popullore e për t’i mësuar popullsisë jetën e vërtetë të krishterë. Ishte famullitar në Nikaj-Mërtur kur, në tetor 1946 e arrestuan pas një ndeshjeje me armë ndërmjet ushtrisë e policisë komuniste dhe malësorëve, që nuk pajtoheshin me regjimin. Iu dha urdhër të tregonte ç’i kishte thënë në rrëfim njëri prej atyre patriotëve, por frati, besnik ndaj sekretit sakramentor, nuk pranoi kurrë. Akuzohet për strehim kriminelësh dhe fillimisht dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet me burgim të përjetshëm. Pas arrestimit torturohet që të tregonte rrëfimin e një të plagosuri që kishte luftuar kundër komunistëve, por ai nuk e shkel betimin. U torturua, siç dinin të bënin vetëm komunistët, u dënua me vdekje më 18 janar 1947, por më vonë, dënimi u kthye në burgim të përjetshëm, duke ia zgjatur kështu agoninë. Vdiq, pas keqtrajtimesh të panumërta, në burgun e Burrelit, më 4 prill 1954.
Kush ishte atë Karl Serreqi
Atë Karl Serreqi lindi në Shkodër më 26 shkurt 1911. Prindërit e tij, Kolë Serreqi dhe Marije Guga, në pagëzim i dhanë emrin Ndue. Familja e tij ishte një familje e vjetër dhe e njohur në Shkodër, e i ati person i vlerësuar, saqë thirrej “Kolë Shenjti”. Besimi i praktikuar fuqimisht në familje e mësoi Nduen (Atë Karlin) t’i drejtohej Hyjit me gjithë zemër. Shpesh shkonte te Kisha e Fretërve në Gjuhadol e aty filloi t’i hyjë fuqishëm në zemër dhe në mendje ideali i përputhjes së jetës së tij me përvojën e krishterë të Shën Françeskut. Në vitin e tretë të gjimnazit, në moshën 15-vjeçare hyri në seminarin e fretërve minorë në Shkodër dhe pas dy viteve u kërkon eprorëve të urdhrit të pranohet në noviciat. Me veshjen e zhgunit françeskan mori emrin frat Karli. Me të mbaruar filozofinë, më 1932 mori kushtet e përjetshme dhe me të mbaruar teologjinë, shugurohet meshtar më 29 qershor 1936 në Itali, bashkë me etërit Viktor Volaj dhe Filip Mazreku. Kthehet në Shqipëri dhe pas një viti emërohet famullitar në Curraj të Epërm e më vonë në Berishë e më 1943 në Rajë, të gjitha famulli të malësive të Tropojës.
Frati minor me një karakter të jashtëzakonshëm, spikaste për gëzimin, ëmbëlsinë dhe butësinë e tij. Një meshtar i bindur, guximtar, i vendosur dhe i dashur nga njerëzit. Kishte një besim të madh dhe kultivonte me shumë zell shpirtin e devotshmërisë. E donte muzikën dhe dinte t’i binte mjaft mirë violinës, të cilën ia kishte dhuruar i vëllai, Angjelini. Edhe pse vinte nga një familje e kamur tregtarësh, zgjodhi shpirtin e varfërisë françeskane dhe e jetoi atë me gëzim. Diti të gërshetojë në një harmoni të plotë kushtimin total ndaj Hyjit dhe kushtimin total ndaj grigjës që i ishte besuar. Qe një “lulevjollcë”, “një manushaqe e vërtetë, e fshehur dhe erëmirë”, aty izoluar mes malesh, tamam si në atë “malin e lumturive ungjillore apo malin e shndërrimit”, që i mundësonte një itinerar të frytshëm asketik shenjtërie. Patër Zef Pllumi, që kishte kaluar dy vjet në famulli me të shkruan se: “E kam dashtë dhe çmuar jo vetëm për përvujtninë e tij, por edhe për vrazhdësinë e tij të qetë e t’ambël”. Në ato male të vështira, patër Karli, e konsideronte privilegj mundësinë e afrimit ndaj Krishtit të varfër dhe kryqit të dashur duke imituar sadopak Shën Françeskun.
Dënimi nga komunistët
Kur u imponua i ashtuquajturi pushtet i popullit, një kambanë plumbi kishte zbritur mbi të gjithë Shqipërinë e veçanërisht mbi Kishën Katolike. Me gjithë sjelljen e vet engjëllore, Atë Karli nuk mund të flinte i qetë dhe në kulmin e zellit të tij baritor i erdhi ora e sprovës, në Rajë, më 9 tetor 1946, në moshën 35-vjeçare. Aty ndodhi një përleshje mes forcave komuniste dhe antikomuniste. Në përleshje plagoset për vdekje Lush Martini e ky e lut Pjetër Kukën t’i gjejë një meshtar. Pjetri drejtohet te Kisha ku ishte Atë Karli, i cili, pa u menduar dy herë, merr me vete Eukaristinë dhe Vajin e të Sëmurëve. Fatmirësisht e gjen të plagosurin akoma gjallë dhe, pasi e rrëfen e ia jep zgjidhjen, arrin në kohë kështu t’i japë edhe vajimin dhe kungimin, pikërisht para se ky i plagosur për vdekje të jepte shpirt. Por gjithashtu iu drejtua edhe një partizani komunist që po përpëlitej në grahmat e vdekjes duke gjëmuar “Nënë, nënë!” dhe i jep edhe atij zgjidhjen e mëkateve duke i bërë shenjën e kryqit mbi ballë e duke iu lutur Hyjit për të.
Ndërkohë nga një gëmushë del një partizan komunist i fshehur aty e që e kishte ndjekur gjithë skenën. E më pas arrin edhe oficeri i asaj çete komuniste, i cili menjëherë ushtron dhunë mbi Atë Karlin se nuk pranon t’i zbulojë fjalët e thëna në rrëfim nga Lush Martini. Kur vuri re se nuk po ia dilte, atëherë urdhëroi t’i viheshin prangat Atë Karlit. E ashtu të lidhur për 13 orë në këmbë e dërguan në Kodër-Shëngjergj, ku iu nënshtrua fazës së parë të hetuesisë. Kur edhe aty e panë se nuk ia dolën, e dërguan në Burgun e Madh të Shkodrës. Refreni ishte po i njëjti: të tregonte çfarë i ishte thënë në rrëfim. Por Atë Karli ose heshtte, ose përsëriste: “Vdes, por nuk flas! Sakramenti i Rrëfimit është sekret i shenjtë e nuk tregohet”. Me gjithë mundimet e mëdha, Atë Karli nuk u plogështua, por vazhdonte të ishte i përvujtë dhe i kujdesshëm për nevojat e të tjerëve. Për këtë vlen të përmendet një dëshmi e bashkëvuajtësit të tij, Atë Dioniz Makajt, që tregon: “Atë Karli ishte me ne në burgun e madh ku, në kushte të papërshkrueshme, të gjithë vuanin urie. Një ditë Atë Karli më tha: “A të vjen keq nëse të pyes për diçka?”. U përgjigja: “Nuk më vjen keq!”.
Ai vazhdoi: “A fyhesh nëse të sjell pak bukë që kam?”. Iu përgjigja: “Jo, nuk fyhem, por më vjen keq që ti ja heq vetes». Kështu për disa ditë më solli një racion bukë në ditë. Kuptova se vepronte në fshehtësi sepse ishte i përvuajtur dhe nuk donte të binte në sy” – e vazhdon Atë Dionizi: “Një herë, pas shumë torturash të tmerrshme, e sollën në qelinë tonë. E pyetëm: “Atë Karl, a të kanë bërë të vuash?”. Na u përgjigj: “Si të gjithë ju!”. Nuk dëshironte të fliste për torturat”. Atë Dionizi gjithashtu kujton mirë edhe qetësinë, që nuk është menefregizëm, por një qetësi shpirtërore, që Atë Karli e ruajti në çdo çast. Ja si dëshmon Atë Dionizi: “Ditën e fundit para vendimit nga Gjykata Ushtarake, Atë Karli na tha: “Nesër kanë me dhanë vendimin”. Ditën tjetër, si kur shkoi, ashtu edhe kur erdhi, pati të njëjtin qëndrim dhe të njëjtën sjellje. E pyetëm: “A të dënuan?”. Na u përgjigj: “Po”. “Me çfarë dënimi?” – e pyetëm. “Me varje”, na u përgjigj krejtësisht i qetë. E meqë ngelëm të shtangur, Atë Karli na tha: “Përse shqetësoheni? Unë jam i gëzuar që po vdes për Krishtin”.
Betimi që e çoi drejt vdekjes
Natyrisht akuzat që çuan në atë vendim, ishin të sajuara dhe trashamane, por vendimi i dënimit ishte marrë që atë ditë që Atë Karli nuk pranoi të tregojë gjërat që i ishin thënë në sekretin e Rrëfimit. Edhe vetë avokati mbrojtës shtetëror, avokat Ferdi Kumbaro, kërkoi që t’i njihet pafajësia, por prokurori bashkë me gjykatësit nuk mund ta pranonin një gjë të tillë përpara një pathyeshmërie, si kjo e Atë Karlit, që për ta, në injorancën keqdashëse të tyre, ishte e pakuptueshme. Edhe pse i pafajshëm, dënohet me vdekje më 18 janar 1947, dënim që do të kthehet në burgim të përjetshëm më 21 shkurt 1947. Ky ndryshim dënimi u prit gati-gati me keqardhje nga Atë Karli, që, kur kthehet në qeli, pas komunikimit të këtij ndryshimi, i thotë, edhe me një notë humori, Atë Zef Pllumit: “Nuk e pata fatin me dek martir e tash do të rri me u zhgërrye gjithë jetën nëpër këto dhoma të pista të burgut”, – e pastaj, me një vendosmëri serioze shton: “Kjoftë bâ vullnesa e Zotit!”.
Më pas do të vuajë këtë kalvar në kampet e Bedenit, të Maliqit, që ishin gulagë të vërtetë, e në fund në burgun e Burrelit, i njohur si “Burgu i Vdekjes”. Por edhe midis këtyre ferreve, këtyre kampesh shfarosjeje, karakteri i tij do të mbetet i ëmbël, i fortë, i qetë dhe i vendosur, “model shenjtori”, siç e përkufizon Atë Zef Pllumi. “Nëse Krishti po, pse unë jo?” – ishte pyetja që i bënte vetes Atë Karli dhe që e ndihmonte të zbulonte bukurinë dhe qëndrueshmërinë që i dhuronte feja. Edhe pse shpirti i tij ishte i fortë, trupi i tij sa vinte e dobësohej nga tërë këto vuajtje e papritmas më 4 prill 1954 në orën 6 të mbrëmjes zemra e tij pushoi së rrahuri, duke u realizuar kështu flijimi, për të cilin, pa pushim, sidomos gjatë viteve të burgimit, ishte përgatitur duke iu ofruar martirizimit. Trupi i tij u zhduk, por dëshmia e tij, siç e dëshmon edhe Atë Zef Pllumi, mbeti për të tjerët e sidomos për bashkëvëllezërit e urdhrit françeskan, një ideal e model i jetës meshtarake françeskane dhe baritore: ky njeri kaq i thjeshtë, një hero i sakramentit të rrëfimit.







