Sali Berisha akuzoi nga Foltorja e radhës në Krujë mbrëmjen e sotme, kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën, se donin që ta shuanin opozitën me marrëveshje të fshehta dhe ta bënin njësh me pushtetin pas zgjedhjeve të 11 majit.
Qëllimi sipas tij ishte të vijonin plaçkitjet e shqiptarëve dhe vjedhjet e tenderëve, por paralajmëroi se PD do të ngrejë një agjenci të posaçme kur të vijë në pushtet, për sekuestrimin e të gjitha pasurive të zyrtarëve të korruptuar dhe kapjen e të gjithë qeveritarëve kudo që të fshihen, siç bëri pas 2005 me krerët e bandave kriminale.
“Kemi një mision të ri, të shpëtojmë nga kjo diktaturë totalitare, askush nuk mund ta bëjë këtë, është propagandë kriminale, por ne, edhe pse u përpoqën të na zhduknin, u përpoqën të na vendosnin pllakatë të qeverisë. Një javë para zgjedhjeve të prillit 2021, me vjen këshilltari i huaj i zgjedhjeve dhe më thotë “Zoti Sali, nëse i fitojmë këto zgjedhje, si thuaj ti për një koalicion të madh?”. Në asnjë rast i thashë po të ndodhi, në asnjë mënyrë. Ndodhi që kishin bashkuar letrat, donin të mos kishte opozitë. Dhe ia dolëm, u ngritëm, sado u përpoqën të na demonizonim, përsëri ne ia dolëm, edhe pse bënë propagandë kundër nesh, përsëri ne jemi forca kryesore. Tani ne jemi ballë përballë. Po. Jemi në betejë”, tha Berisha.
Lideri i opozitës deklaroi se me betejën e saj opozita faktoi farsën elektorale të Ramës dhe skandalet korruptive përpara syve të të gjithë botës.
Ai u shpreh se qeveria është e paligjshme dhe tani nuk meriton të qëndrojë më asnjë minutë më shumë. Ai e cilësoi kryeministrin si armikun më të egër të shqiptarëve.
“Kemi faktuar se Rama është armik i egër i botës së shqiptarëve, nuk respekton asnjë nen, asnjë normë dhe ligj, nuk lë gjë pa bërë të kontrollojë votën e shqiptarëve, s’e vë më njeri në dyshim. Ne i dolëm zot votës, e mbrojtëm, e denoncuam atë. Ne jemi njerëz të parimeve dhe idealeve, ndaj kjo na jep të drejtën të përdorim çdo mjet. Kjo qeveri është e paligjshme, nuk buron nga vullneti qytetar, doli nga farsa elektorale dhe nuk Meriton asnjë ditë të ekzistojë. Ne nuk duhet të pajtohemi kurrë me bastisje dhe plaçkitje të shqiptarëve”, vijoi kreu i PD-së.
Berisha vijoi akuzat ndaj Ramës duke thënë se dikur arrestonte liderët e opozitës, kurse tani fsheh kamionë me dokumente të abuzimeve që ka bërë, që të mbrohet nga drejtësia.
“Tani doli se njeriu që vraponte të arrestonte kundërshtarët politikë, tani me kamionë me dokumente vrapon që të mbrojë korrupsionin. Qeveria që vjedh qytetarët, nuk meriton të qëndrojë një ditë në pushtet. Në 1997 u thanë se qeveria mori paratë tuaja dhe qytetarët kërkonin paratë e tyre, ata e besuan se qeveria u kishte marrë paratë. Por qëllimi dhe vendimi ishte ky, bashkëpunëtorë të mi u thashë, ne do dalim në opozitë, nuk pajtohemi me këtë, të dalim në opozitë dhe të faktojmë se nuk kemi vjedhur asnjë qindarkë. Qeveria nuk mund të shlyente kurrë një borxh që s’e kishte marrë, ajo ishte amorale, duhet të shkelja norma morale, s’mund të ndodhte kurrë. Po tani, këta janë kapur, kanë vjedhur”, bëri analogji politike kreu i opozitës para qytetarëve.
Berisha bëri koment edhe për drejtorin e ri të emëruar të AKSHI-t, i prezantuar sot, duke thënë se u shpërblye për tenderin e Inteligjencës Artificiale që i dha baxhanakut të kryeministrit:
“Ky që u bë drejtor i AKSHI-t sot, e di çfarë është ky? I ka dhënë tenderin baxhanakut të Ramës 75 mln euro për të përmirësuar inteligjencën artificiale, e cila ka harxhuar për aplikacionin e vetë vetëm 6 mln euro. Të gjitha vjedhje. Dhe tani ky merret dhe vihet drejtor”.
Kryetari i PD-së tha para mbështetësve se opozita tani ndodhet në betejë dhe në aktin final për rrëzimin e kësaj qeverie, edhe pse janë të dëshpëruar, të rraskapitur edhe të lodhur, por nuk do të dorëzohen.
“Ku jemi tani? Në situatën që këta kanë plaçkitur shqiptarët dhe thonë jemi mbi ligjin, drejtësia nuk ekziston dhe tani thotë janë minj, janë qenë, me gjuhë ordinere. Por ne, ja do vdesim e ja do rrojmë, këta do i nxjerrim nga pushteti. Këta nuk duhet të qëndrojnë asnjë ditë më shumë, jo, kanë humbur çdo të drejtë të qeverisin shqiptarët, janë armiq të kombit, e shkatërruan. I kanë bërë të këqija këtij kombi, Rama dhe organizata e tij kriminale, jemi të lodhur, të rraskapitur, e pranoj, edhe të dëshpëruar, por nuk ka gëzim më të madh, është nder që në momente kritike të gjendesh në këto kohë, sot dhe ne jemi në betejën finale”, u shpreh ai.
Në fund Berisha paralajmëroi se do të sekuestrohen pasuritë e zyrtarëve dhe pushtetarëve të korruptuar, ndërsa do gjenden e do kapen kudo që të fshihen.
“Ua them unë ju, dhe këtë betejë ne do e fitojmë është e drejtë, asgjë s’do na pengojë ne pa u dhënë atë që meritojnë. Janë bërë miliarderë duke vjedhur shqiptarët, kanë zhytur shqiptarët në varfëri, i kanë larguar nga vendi. Të këqijat që kanë bërë do i paguajnë, beteja e kryengritja jonë është paqësore dhe vetëm paqësore. Ua them unë, siç kapëm Aldo Baret me shokë kudo që ishin fshehur ashtu do kapen edhe këta qeveritarë kudo që të fshihen. Një Agjenci e posaçme do krijohet për konfiskimin e pasurive të tyre”, tha ai.
Dhe më tej bëri krahasimin e pasurive që gëzojnë aktualisht Belinda Balluku dhe Edi Rama:
“300 apartamente Lubia, e imagjinoni juve? Paratë e rrugës aty i merrte kjo për apartamente atje. Dhe dihen vetëm kaq. Po Rama? Ka miliarda! 200 mln kishte vetëm si kryetar bashkie, e denoncoi raporti i OSBE”.







