Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, deklaroi se protesta e thirrur nga opozita më 20 shkurt do të jetë “shumë më e fuqishme” se tubimet e mëparshme, duke paralajmëruar ndryshim të strategjisë dhe përshkallëzim të aksionit politik.
Ai u shpreh se po merren në konsideratë të gjithë skenarët e mundshëm, përfshirë rrethimin e institucioneve dhe futjen e deputetëve në grevë urie. “Protesta do të jetë komplet ndryshe, sepse temperatura do vijë duke u ngritur. Të gjitha skenarët po merren në konsideratë”, tha Gjoni, duke shtuar se nuk përjashtohet as ndezja e “zjarrit partizan”.
Sipas tij, protesta nuk do të mbetet vetëm në qëndrimin në shesh, por do të ketë alternativa të tjera veprimi. Megjithatë, ai theksoi se çdo hap duhet të ketë një zgjidhje në fund dhe se situata aktuale në vend, sipas opozitës, kërkon reagim të fortë.
Gjoni bëri thirrje që kancelaritë perëndimore dhe media ndërkombëtare të informohen për atë që ai e cilësoi si një situatë të rëndë në Shqipëri, duke përmendur nivele të larta kriminaliteti, korrupsioni dhe kapje të shtetit.







